(E PLOTËSUAR) Në Kuvendin e Kosovës po vazhdon tash dy orë takimi i nisur në orën 16:30 në mes të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Në takimin e sotëm, ku janë të pranishëm edhe zyrtarë të tjerë të lartë nga dy partitë, pritet të vendoset se nëse do të arrihet ose jo koalicioni për bashkëqeverisje në mes të dy subjekteve politike.
Para takimit, Isa Mustafa, ka thënë se në takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, gjithmonë shkon për të arritur një marrëveshje.
“Jemi të vullnetshëm ta përfundojmë marrëveshjen në mënyrë që të procedojmë më tutje”, ka thënë Mustafa para nisjes së takimit me Kurtin.
Në hapësirat e Kuvendit, Mustafa është parë i shoqëruar nga nënkryetarët e partisë së tij, Vjosa Osmani,Lutfi Haziri, Agim Veliu dhe zëdhënësi për media, Besian Mustafa.
Në anën tjetër, gjatë ditës së sotme, pare medieve ka folur, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, i cili konfirmoi se ka gjasa që të ketë takim në mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti.
Veliu më tej theksoi se çështja e bisedimeve me LVV-në duhet të mbyllet sot.
“Gjasat janë që të ketë takim, për tjerat nuk e di… Unë mendoj se ky proces duhet të mbyllet sepse çfarëdo epilogu të ketë qoftë pozitiv apo tjetër, duhet të ketë një kohë që të kryhen disa punë dhe detyra që na presin. VV duhet të ketë kohë që ti shqyrtojë pozicionet e saj dhe të bëjë përpjekje tjera. Sipas mendimit tim sot duhet të ndodhë kjo”, ka thënë Veliu, shkruan Telegrafi.
Ai më tej shtoi se për çështjen e ministrive janë marrë vesh, dhe se janë duke pritur që LVV të deklarohet për ofertën e fundit që LDK i ka bërë. /Telegrafi/