Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan dje tri shtëpi tradicionale të restauruara në Qendrën Historike të Prizrenit.
Shtëpia e familjes Kirajtani, e ndërtuar në fillim të shekullit XIX, është një nga objektet e restauruara. Ajo përmban karakteristika unike dhe vlera të larta të trashëgimisë kulturore.
“Fasada ballore ka një trajtim të lartë artistik, përmes plastikës dekorative,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjithashtu, Kurti dhe Çeku vizituan shtëpinë e familjes Vetimi, e cila përfaqëson një shembull të arkitekturës së banimit gjatë shekullit XIX. Nëpërmjet ndërhyrjeve restauruese, janë ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore, duke siguruar kushte më të dinjitetshme për banim për familjet.
Po ashtu, u vizitua kompleksi i banimit të familjes Munik, një nga shembujt e paktë të kompleksit të banimit të asaj kohe.
“Shquhet për trajtim të lartë artistik të dhomës së miqve, e dekoruar me elemente të drugdhendjes. Shtëpia dhe ahuri kanë qenë në gjendje shumë të rëndë fizike. Përmes restaurimit janë shpëtuar nga rrënimi,” theksohet në njoftim.
Kryeministri Kurti dhe ministri Çeku falënderuan familjet Kirajtani, Vetimi dhe Munik për mikpritjen dhe përkushtimin e tyre ndaj mbrojtjes së vlerave historike dhe tradicionale të këtyre shtëpive.
Qendra Historike e Prizrenit është një zonë e veçantë e mbrojtur, e cila mbrohet përmes Ligjit të veçantë për Qendrën Historike të Prizrenit. Gjatë këtij mandati, buxheti për trashëgiminë kulturore është rritur katër herë.
“Vetëm në Prizren janë investuar mbi 4.5 milionë euro në dhjetëra monumente,” përfundon njoftimi. /Telegrafi/