Site icon Telegrafi

Kurti dhe Çeku urojnë ekipin Bad News Eagles për kualifikimin në Paris  

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, kanë uruar ekipin Bad News Eagles për kualifikimin në Paris.

“Me plis për Paris”, ishte fotoja të cilën kryeministri Kurti e postoi në llogarinë e tij në Instagram, duke theksuar se tashmë të gjitha shtetet me ekipet e tyre i njohin djemtë e BNE-së.

“Bad News Eagles përsëri pjesë e Majorit. Sonte ata mposhtën ekipin e dytë më të mirë në botë. Tashmë të gjitha shtetet me ekipet e tyre i njohin djemtë tanë. Jam i lumtur për potencialin e rinisë sonë. Shumë suksese e përpara për fitore të reja!”, shkroi Kryeministri Kurti në llogarinë e tij zyrtare në Instagram.

Ndërsa Ministri Çeku ka postuar një fotografi të ekipit shqiptar në llogarinë e tij në Facebook, duke shkruar: “Shqiponjat e Kosovës. Fluturoni për në Paris Major 2023! Urime dhe suksese! Bravo djema, Bad News Eagles”.

Kësaj radhe Bad News Eagles në ndeshjen vendimtare mposhtën ekipin e dytë më të mirë në botë, FaZe, për të kaluar tutje në Major.

Ky është Majori i tretë radhazi që ekipi shqiptar po garon kundër skuadrave më të mira të botës. /Telegrafi/

Exit mobile version