Telegrafi

Kurti, basketbollisti që i mungon Prizrenit

Artan Kurti në vitin 2013 i ka dhënë fund karrierës si basketbollist aktiv. Ai vlerëson se u largua herët nga loja mes dy koshave, se do të mund t’i jepte ende skuadrës së tij. Kurti, tash 38-vjeçar, po ashtu ka një peng, një gjë që nuk e ka arritur në karrierën e gjatë si lojtar.

Largimi i Kurtit megjithatë vlerësohet si humbje më e madhe për qytetin e Prizrenit dhe për skuadrën e Bashkimit. Kurti ishte i vetmi lojtar prizrenas që për më shumë se një dekadë i mbijetoi te Bashkimi konkurrencës kryesisht të lojtarëve të huaj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në shumë edicione të kampionatit të Kosovës në basketboll, Kurti ishte i vetmi lojtar vendor në pesëshen e parë e po ashtu i vetmi lojtar prizrenas që kishte hapësirë të konsiderueshme në skuadër.

Tani Bashkimi, në momentin kur i duhet më së shumti, nuk ka një lojtar të tillë, një prizrenas që luan shumë minuta dhe që merr përgjegjësi në skuadër.

Bashkimi bazohet kryesisht në lojtarët e huaj e më pas vijnë vendorët, por të qyteteve tjera. Lojtarët prizrenas pos që nuk janë të shumtë, kanë edhe hapësirë fare të vogël.