Edhe pse ishte nisur për një bashkëpunim afatgjatë, Lëvizja Vetëvendosje si e para dhe LDK si e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, nuk zgjati as dy muaj.
Madje, Qeveria e parë e Albin Kurtit, nuk zgjati më shumë se 52 ditë, kur mocion ngriti partneri i saj LDK-ja, duke nominuar Avdullah Hotin në vend të Kurtit, raporton RTV Dukagjini.
Tashmë, Qeveria “Kurti 2” po e kalon pragun e 52 ditëshit.
Për gjatë këtyre 52 ditëve, Albin Kurti mblodhi kabinetin e tij qeverisës plotë 11 herë dhe në mbledhjen e fundit, votoi programin qeverisës.
Si prioritet të parë, qeveria Kurti e renditi menaxhimin e pandemisë, por që Kosova vazhdon të jetë e fundit rreth sigurimit të vaksinave. Me rreth 62 mijë sosh që kanë ardhur, të gjitha të si donacion, Qeveria nuk e ka blerë asnjë vaksinë.
Top-prioritet është edhe luftimi i krimit e korrupsionit. Në këtë drejtim, dikasteri për drejtësi ka lëvizur duke votuar në kabinet koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, por edhe ka krijuar grupin punues, që do të punoj për vetingun.
Në programin e qeverisë, dialogu nuk është prioriteti kryesor, teksa përmendet edhe ngritja e padisë për gjenocid ndaj Serbisë. Përkundër që nuk është prioritet, Kurti vizitën e parë zyrtare e bëri në Bruksel, ku pati një agjendë të ngjeshur. Ai refuzoi bisedime me Serbinë në Maj por paralajmëroi se ato mund të vazhdojnë në qershor, pas përgatitjes dhe konsultave për këtë proces me opozitën.
Pa precizuar shumë kohën e realizimit, Kurti në programin qeverisës është zotuar se do të zhdukë varfërinë ekstreme, 250 euro pagë minimale, ndërtimin e shumë çerdheve e banimit të përballueshëm, Trepçë fitmprurëse e FSK të gatshme për mbrojtjen e territorit të vendit. /Telegrafi/