Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për kompensimin e orëve të humbura për shkak të grevës nga mësimdhënësit.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se kjo seancë është iniciuar nga nënshkrimi i 42 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se kjo seancë është iniciuar nga Nisma.
Ai tha se askush nuk ka të drejt të luaj për fatin e nxënësve për çështje inatesh.
“Nisma e ka iniciuar këtë seancë të jashtëzakonshme. SBASHK-u e ka gabim kur pretendon se kjo çështje nuk duhet as të debatohet. Kuvendi i Kosovës ka të drejt të debatojë çfarëdo çështje që ndodhë brenda dhe jashtë vendit në lidhje me vendin. Prandaj kjo nuk është temë tabu. Aty mund të debatohet, të nxjerren mendimet, mund të jepen sugjerimet dhe kjo nuk është asnjë arsye që dikush të mendojë edhe për një grevë tjetër. Mendimi për një grevë tjetër është huqje, dhe askush nuk mund të luaj me fatin e atyre shkollarëve për çështje inatesh”, ka thënë ai.
Kurteshi thotë se pret që sot të nxirret një rezolutë për këtë çështje.
“Besoj që propozuesi do të thotë Nisma, do të dalin në fund me një propozim të një rezolute, por se a do të votohet apo jo, kjo varet nga përmbajtja e rezolutës. Ne si Vetëvendosje do të marrim pjesë në seancë, shprehim mendimin tonë, por është çështje tjetër nëse do të votohet ose jo rezoluta, varet nga përmbajtja”, ka thënë ai.
Ndryshe sot Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), përmes një njoftimi për media ka thënë se është më mirë që sot në seancën e Kuvendit të diskutohet për mungesën e kushteve elementare të punës në shumicën e shkollave të Kosovës se sa të merreni me një vendim jo ligjor të Ministrit Bytyqi.
Ata kanë paralajmëruar grevë në rast se siç thonë ata vazhdojnë presionet për kompensim të orëve mësimore./Telegrafi/