Site icon Telegrafi

Kursimet e familjeve shqiptare ishin mbi tetë herë më të larta se borxhet

Pasuritë financiare të familjeve shqiptare në formën e depozitave dhe llogarive bankare, sigurimeve në skemat e pensioneve, derivateve financiare etj arritën vlerën e 2 trilionë lekëve [mbi 16 miliardë euro] në vitin 2019. Kjo shumë ishte 8.4 herë më e madhe se borxhet që ata kanë.

Banka e Shqipërisë publikoi statistikat e llogarive financiare kombëtare prej të cilave rezultoi se vetëm familjet kanë një bilanc pozitiv në raport me qeverinë dhe bizneset pasi i kanë kursimet shumë më të larta se detyrimet.

Të dhënat tregojnë se detyrimet financiare të familjeve shqiptare ishin 236 miliardë lekë [rreth 2 miliardë euro] më 2019, duke u zgjeruar me 8% në raport me një vit më parë. Me gjithë bilancin pozitiv detyrimet e familjeve shqiptare u rriten me ritmin më të lartë që nga viti 2013, kur nisi të matej ky tregues.

Banka e Shqipërisë përllogarit se ekonomitë familjare, zotërojnë rreth 33 për qind të totalit të mjeteve financiare të brendshme. Në harkun kohor një viti, mjetet e këtij sektori u zgjeruan me rreth 98 miliardë lekë dhe në fund të 2019 shënojnë mbi 2 trilionë lekë [mbi 16 miliardë euro].

Instrumenti kryesor i përdorur nga ekonomitë familjare, vijon të jetë “monedha dhe depozitat”, i cili përfaqëson 54 për qind të mjeteve financiare të këtij sektori, në fund të 2019.

Ndërkohë “kapitali dhe aksione në fonde investimi” përbën 35 për qind të totalit të mjeteve financiare, ndjekur nga “letra me vlerë të borxhit” me 4 për qind dhe në masë më të vogël pretendimet në “sigurime dhe skemat pensioneve” me 0.2 për qind.

Zgjerimi vjetor në mjete financiare të këtij sektori i atribuohet në masën me të madhe rritjes së investimeve në “monedha dhe depozitat” prej 63 miliardë lekë [mbi 500 milionë euro], ndjekur nga zgjerimi i “llogari të tjera të arkëtueshme” prej 27 miliardë lekë [rreth 220 milinoë euro] dhe “kapitali dhe aksione në fonde investimi” me rreth 18 miliardë lekë [mbi 14 milionë euro]. Ndërkohë, zotërimet në “letra me vlerë” ranë me rreth 10 miliardë lekë [mbi 10 milionë euro].

Ndërsa detyrimet e ekonomive familjare përbëhen kryesisht nga kreditë hipotekare, të cilat zënë peshën më të madhe të totalit, ndjekur nga kreditë konsumatore dhe huatë e tjera. Në një total prej 224 miliardë lekë [mbi 1.8 miliard euro] detyrimi në “hua” të këtij sektori në fund të vitit 2019, kredia hipotekare përbën rreth 52 për qind. Detyrimi në “hua” i ekonomive familjare, referuar fundvitit 2018 u zgjerua me 17.4 miliardë lekë [mbi 136 milionë euro].

Transaksioni në “hua”, pastruar për efekt të kursit të këmbimit dhe ndryshime të tjera, gjatë vitit 2019 shënon një zgjerim prej 18.1 miliardë lekë [145 milionë euro]. Detyrimi në “hua” ndaj sektorit të korporatave depozituese përveç Bankës Qendrore (bankave të nivelit të dytë) u rrit me 12.2 miliardë lekë [rreth 97 milionë euro] në nivelin e 194 miliardë lekë [rreth 1.6 miliard euro], ndërsa “huatë” me institucionet e tjera financiare u zgjeruan me 3 miliardë lekë [24 milionë euro], në nivelin e 28 miliardë lekë [225 milionë euro]. /Monitor/

Exit mobile version