Telegrafi

“Kurrë më shumë sesa tani nuk po vdesin njerëz shkaku i COVID-19”, thotë një infermiere amerikane

Infermierja Katie Sefton kurrë nuk e kishte paramenduar se coronavirusi mund të bëhej kaq i keq – dhe sigurisht jo pas fillimit të vaksinimit.

“Unë me të vërtetë shpresoja që ne (të gjithë) të vaksinoheshim dhe gjërat do të ktheheshin në normalitet”, tha Sefton, një ndihmës menaxhere në Spitalin Sparrow në Lansing, Michigan.

Këtë javë, Michigan kishte më shumë se kurrë më parë pacientë të shtruar në spital shkaku i COVID-19, raporton cnn.

Sipas Shoqatës së Shëndetit dhe Spitalit të Michiganit, shtrimet në spital u rritën me 88 për qind në muajin e kaluar, transmeton Telegrafi.

“Ne kemi më shumë pacientë se sa kemi pasur ndonjëherë në çdo moment, dhe po shohim më shumë njerëz që vdesin me një ritëm që nuk kemi parë kurrë të vdesin më parë”, tha Jim Dover, president dhe CEO i Sparrow Health System.

“Që nga janari, ne kemi pasur rreth 289 vdekje; 75 për qind janë njerëz të pavaksinuar”, tha Dover. “Shumë pak (njerëz të vaksinuar) që vdiqën ishin vaksinuar para më shumë se 6 muaj. Pra, ne nuk kemi pasur asnjë person të vetëm që ka vdekur pas marrjes së vaksinës përforcuese”, shtoi ai.

Ndër viktimat e reja të COVID-19, Sefton tha se ka vënë re një prirje shqetësuese, “Ne po shohim shumë njerëz më të rinj që po vdesin. Dhe unë mendoj se kjo është pak sfiduese”.

Ajo kujton se ka ndihmuar familjen e një të riu t’i thotë lamtumirë të dashurit të tyre.

“Ishte një natë e tmerrshme”, tha ajo duke shtuar se “Kjo ishte një nga ditët kur shkova në shtëpi dhe thjesht qava”.

Ndryshe, SHBA-ja deri më tani ka regjistruar rreth 50 milionë raste me coronavirus gjersa kanë ndërruar jetë 794 mijë persona. /Telegrafi/