Site icon Telegrafi

“Kurrë nuk është vonë” – në moshën 95-vjeçare, Angela Alvarez fitoi çmimin Grammy Latin si ‘Artistja e re më e mirë’

Angela Alvarez (Foto: Christopher Polk/Variety via Getty Images)

Mos i thoni kurrë Angela Alvarezit se është tepër vonë që ëndrrat të realizohen – 95-vjeçarja mori me vete në shtëpi një çmim Grammy Latin në kategorinë “Artistja e re më e mirë”, duke u bërë fituesja më e vjetër ndonjëherë në historinë e kësaj kategorie.

Momenti i vlerësimit për muzikanten amerikano-kubaneze erdhi pas dekadash kompozimi të këngëve, por duke i interpretuar ato vetëm për miqtë dhe familjen – derisa, në moshën 90-vjeçare, ajo shkoi në Avalon, klubin historik të natës së Hollywoodit, dhe dha koncertin e saj të parë, shkruan The Guardian.

Nipi i saj, Carlos, përfundimisht incizoi këngët e saj në një album me ndihmën e aktorit dhe shokut kubanez Andy García. Albumi doli në shitje vitin e kaluar, dhe këngët i sollën aq sukses sa e nominuan për një çmim Grammy Latin.

“Për ata që ende nuk i kanë realizuar ëndrrat e tyre, dijeni se megjithëse jeta është e vështirë, ka gjithmonë një rrugëdalje dhe me besim dhe dashuri gjithçka mund të arrihet”, tha Alvarez në fjalimin e saj pas pranimit të trofeut.

Angela Alvarez (Foto: Christopher Polk/Variety via Getty Images)

Është e vështirë të mbivlerësosh disa nga pengesat që ajo duhej të kapërcente për të lënë gjurmë në industrinë e muzikës.

E rritur në Kubën para-revolucionare, babai dhe gjyshi i saj e ndaluan atë të ndiqte dashurinë e saj për muzikën. Por këngët ajo i kompozonte në fshehtësi, pasi u martua dhe pati fëmijë.

Më pas u shpalos revolucioni kuban që çoi në dekada udhëheqjeje nën Fidel Kastron dhe Alvarez mori atë që ajo e quajti vendimin më të vështirë të jetës së saj: dërgimin e katër fëmijëve të saj në Shtetet e Bashkuara. Ata shkuan si pjesë e Operacionit Pedro Pan, i cili pati më shumë se 14,000 fëmijë të dërguar në ShBA gjatë epokës revolucionare të Kubës midis viteve 1960 dhe 1962.

Alvarez përfundimisht iu bashkua fëmijëve të saj në ShBA, e vonuar nga problemet me dokumentet, raportoi Miami Herald. Familja u vendos në kryeqytetin e Luizianës, Baton Rouge. Por jeta vazhdoi të testonte besimin e saj – ajo humbi burrin dhe vajzën e saj të vetme nga kanceri.

Angela Alvarez (Foto: Christopher Polk/Variety via Getty Images)

Megjithatë, ajo vazhdoi me kompozimin dhe këndimin e saj, kryesisht duke e ndarë punën e saj vetëm me njerëzit më të afërt.

Kjo ndryshoi kur ajo pranoi të merrte pjesë në një dokumentar të quajtur “Miss Angela”, i cili tregon historinë e rritjes së saj në Kubë dhe përgatitjen e saj për koncertin e saj të parë në Avalon.

Pasi fitoi çmimin “Artistja e re më e mirë” në Latin Grammy Awards të enjten, Alvarez inkurajoi të gjithë ëndërrimtarët që të mbanin të ndezura shpresat e tyre, ndërkohë që e gjithë salla u ngrit në këmbë për t’i dhënë një duartrokitje të zjarrtë.

“Ka njerëz që heqin dorë, por unë nuk u dorëzova – gjithmonë kam luftuar”, tha ajo gjatë fjalimit të saj, të cilin ia kushtoi Kubës, sipas Los Angeles Times. “Unë ju premtoj – nuk është kurrë vonë”, përfundoi ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version