Shumë vende të rajonit po ndjekin kurimin me plazmë për shërimin e personave që janë në gjendje të rëndë nga COVID-19. Shefi i laboratorit të mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi thotë se shumë shpejt ky kurim do të nisë edhe në Shqipëri.
“Shqipëria është e vonuar, në rajon nuk është se ka filluar në masë. Duhet matur ditri i antikorpeve neutralizuese në fakt. Janë ato antikorpe që luftojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë virusin, gjë që nuk është aq e kollajshme për ta bërë. Në plan është që edhe në Shqipëri të fillojë shumë shpejt. Strukturat pothuajse janë bërë gati”.
Por si kryhet kurimi me plazmë?
“Me antitrupa jo që i prodhon vetë, por që i ka prodhuar një organizëm tjetër, pra i merr të gatshëm. Niveli i antitrupave duhet të jetë i lartë”.
Por jo kushdo mund të dhurojë gjak për kurimin me plazmën. Në rast nevojë do të përzgjidhen vetëm ata persona që kanë krijuar imunitet dhe shumë antitrupa. Plazma është pjesë e gjakut e përbërë nga proteina, ujë, hormone dhe ushqyes.
Pjesa më e lëngshme e gjakut është e përbërë nga antitrupa të formuar tek pacientët pas shërimit nga virusi me efekt neutralizues./ Tv Klan