Site icon Telegrafi

Kurdi nga Siria “lahet” me benzinë dhe i vë vetes flakën para zyrave të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, dërgohet me helikopter në spital

Një kurd i Sirisë ka tentuar t’i vë vetes flakën para komesariatit për refugjat të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, me ç’rast është dërguar me helikopter në spitalin e Lozanës për tretman.

31-vjeçari që jeton në Gjermani nuk ka dhënë ndonjë arsyetim për këtë veprim, ka bërë të ditur për AFP zëdhënësi i policisë së Gjenevës, Silven Gio-Zhanti, transmeton Telegrafi.

“Mund të hamendësojmë, por asnjë element konkret nuk kemi”, ka shtuar ai.

Incidenti ka ndodhur në ora 7:40 para kalimtarëve të shumtë të rastit, në sheshin ku edhe gjendet selia e Kombeve të Bashkuara.

Ekipet e zjarrfikësve që kishin mbërritur me urgjencë, e kishin dërguar menjëherë me helikopter të lënduarin që është pranuar në spitalin e Lozanës.

Kurdët në Zvicër kanë protestuar disa herë gjatë javës së fundit, për shkak të ofensivës ushtarake të Turqisë në verilindje të Sirisë. /Telegrafi/

Exit mobile version