Kurdët sirianë kanë zbuluar planet për të “rregulluar” pjesën veriore të vendit, duke lidhur rajonin kurd Rojava me Detin Mesdhe. Por, një lëvizje e tillë do të zemërojë Turqinë fqinje. Fjala është për fuqizimit të kurdëve në veri të Sirisë. Përfaqësuesit e tyre thonë se do të kërkojnë mbështetje politike amerikane për të krijuar një korridor të tregtisë në Mesdhe, si kompensim për rolin e tyre në çlirimin e Raqqas dhe qyteteve tjera të pushtuara nga ISIS-i, shkruan The Guardian, transmeton Telegrafi.
Forcat Demokratike Siriane (SDF), një grup prej rreth 50 mijë luftëtarësh të dominuar nga milicia kurde YPJ – partnerë kryesorë i të cilëve është SHBA – po bëhen gati të futen më thellë në territorin arab, në luginën e Eufratit. Kurdët kanë paralajmëruar se është e mundshme për ta lëvizur SDF-në edhe drejt Perëndimit, për të çliruar Idlibin, 170 kilometra nga Raqqa, të cilin sot e kontrollojnë al-Qaeda dhe Fronti Al-Nusra.
“Dalja në Mesdhe është projekti ynë për veriun e Sirisë”, ka thënë Hediya Yousef, që është në krye të projektit të federalizmit për rajon e vetëshpallur si Federata Demokratike e Sirisë së Veriut.
E pyetur nëse kjo kërkon ndihmën politike amerikane për të siguruar rrugën e tregtisë në det, ajo tha: “Sigurisht.”
Hapja e kësaj zone ndaj rrugëvet tregtare shumëkombëshe do të forcojë veriun e Sirisë dhe do të anashkalonte bllokadën aktuale të Rojavas të shkaktuar nga mbyllja e kufijve me Turqinë dhe nga trazirat në Irak. Por, këto plane mund të tërbojnë Turqinë, e cila ka bërë invadime në Siri për të parandaluar kurdët në zgjerimin e territorit përgjatë kufirit turk.
Përkundër sulmeve ajrore turke, qindra anëtarë të forcave amerikane janë nisur në Rojavë drejt kufirit turk, që dëshmon solidaritetin për kurdët dhe një tension tjetër mes Washingtonit dhe Ankarasë. Madje, një asistent i lartë i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kërcënuar se amerikanët mund të ballafaqohen nga zjarri bashkë me aleatët kurdë, por ky paralajmërim nuk e ndryshoi qëndrimin amerikan, transmeton Telegrafi.
Mesdheu është 100 kilometra nga zona e kontrolluar nga kurdët dhe plani kërkon marrëveshje me regjimin sirian. Edhe pse YPJ dhe presidenti sirian Bashar al-Assad janë pajtuar për ca gjëra – si aeroport në Kuamishli që mbetet nën kontrollin e Ushtrisë siriane, edhe pse është thellë në territorin kurd – çdo marrëveshje do të kërkojë pëlqimin e Rusisë, aleatit të ngurta të Assadit.
Çlirimi i Raqqas nga SDF-ja dhe qytetet tjera do të zgjerojë territorin nën kontrollin e federatës autonome në veri të Serisë në gati një të tretën e tërë shtetit. Yousef shprehet se pas mundjes së ISIS-it, popullata e Raqqas do të ketë referendum ku do të shprehen se a duan të mbesin në SDF, ku kurdët, arabët dhe të krishterët asirianë do të formojnë qeverinë.
Ndërkohë, nga Departamenti amerikan i Shtetit thonë se për të ardhmen e Sirisë duhet të vendosin sirianët, duke përsëritur qëndrimin e Washingtonit se nuk pranojnë asnjë shpallje të njëanshme të zonave autonome. /Telegrafi/