HIV është si “një rrezik i fshehur”, thotë James Riley, një mikrobiolog në Universitetin e Pensilvanisë, SHBA. Edhe tani, dekada pasi virusi u identifikua, dhe me ilaçet antiretrovirale që na lejojnë ta sulmojmë atë përpara se të zhvillohet në Sidë, 40 milionë njerëz ende jetojnë me këtë infeksion. Shkencëtarët janë ende duke u përpjekur për të gjetur një kurë për HIV-in.
Kjo për shkak se “nëse njerëzit nuk fillojnë terapinë PrEP (profilaksi para ekspozimit) çdo ditë, HIV do të largohet dhe do të rifillojë përsëri infeksionin”, pohon Riley, shkruan Deutsche Welle.
Scott Kitchen, një ekspert në sëmundjet infektive në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, SHBA, i përshkroi ilaçet antiretrovirale për HIV si një “mrekulli” të mjekësisë moderne, por tha se ato ende nuk janë një kurë për infeksionin.
Gjetja e një kure po rezulton të jetë shumë sfiduese për studiuesit. Riley tha se gjetja e një kure për HIV-in është “një nga synimet më të vështira në shkencë”.
“Ne mund t’i mposhtim kanceret e formuara [kanceret me tumore] sepse kemi një kontroll të mirë se cili është problemi dhe si ta zgjidhim atë. Por me HIV, ne nuk kemi ende një zgjidhje për problemin”, potencoi eksperti.
Problemi: HIV-i fshihet në gjenomin e njeriut
Një infeksion HIV është shumë i vështirë për t’u kuruar, sepse virusi është jashtëzakonisht efektiv për t’u fshehur në qelizat tona.
Kur HIV-i infekton trupin tonë, ai integrohet në materialin tonë gjenetik dhe fshihet në gjenomet e qelizave tona në një gjendje të fjetur dhe joaktive.
Më pas aktivizohet kur qelizat tona e kthejnë ADN-në në proteina, një proces i quajtur transkriptim dhe përkthim – dhe është ai që na nevojitet për jetën. HIV e pengon këtë proces. Dhe qelizat tona riprodhojnë pa dashje virusin.
Problemi është se nuk ka asgjë për të dalluar qelizat që përmbajnë HIV-in nga ato që nuk e kanë, kështu që nuk ka mënyra të besueshme për të çrrënjosur HIV-in nga trupi – nëse nuk mund ta shihni objektivin, nuk mund ta goditni atë.
Ilaçet antiretrovirale si PrEP e shtypin virusin në nivele të pazbulueshme, por virusi ende mbetet i ngulitur dhe i fshehur në gjenomin e njeriut.
A nuk ka pasur njerëz të cilët janë shëruar nga HIV-i?
Shtatë persona janë konfirmuar se janë shëruar nga HIV-i me një terapi me qeliza staminale e përdorur për të zëvendësuar të gjitha qelizat imune në trupin e tyre.
“Të gjithë ata që deri më sot janë shëruar nga HIV kanë marrë një transplant të palcës së eshtrave për të trajtuar një kancer [leuçemi ose limfomë] ndërkohë që janë infektuar njëkohësisht me HIV”, tha Kitchen.
Por kjo formë e terapisë me qeliza staminale është e papërshtatshme si kurë për HIV-in në shumicën e njerëzve. Transplantet e palcës së eshtrave janë një procedurë e vështirë, me rrezik të lartë vdekjeje. Ato tentohen vetëm te njerëzit që i nënshtrohen trajtimit të kancerit në fazën e vonë.
“Përveç kostove të larta, këto procedura, për shkak se ato mbartin rrezik të konsiderueshëm për pacientin, duhet të kryhen në një spital ose qendër të madhe mjekësore. Kjo kufizon [përdorimin] e tyre në shumë mjedise ku HIV është me prevalencë të lartë”, pohoi Kitchen.
Kitchen aktualisht po hulumton një lloj të ri të terapisë me qeliza staminale si një kurë për HIV. Terapia përdor qelizat burimore të modifikuara të gjakut për të vrarë qelizat e infektuara me HIV sapo ato të piqen në trup.
“Në thelb, ky është një ‘vaksinim gjenetik’ që mund të lejojë trupin të formojë natyrshëm qeliza që zhdukin HIV-in”, tha ai.
Ndërsa ishte ende në fazat e hershme të hulumtimit, Kitchen tha se qasja e tyre do të shmangte nevojën për kimioterapi ose gjetjen e një dhuruesi të qelizave staminale.
A mund të kurojnë HIV-in terapitë e qelizave T (TCRs)?
Studiues të tjerë po lidhin shpresat e tyre për një kurë në terapitë e qelizave T (TCRs), të cilat nuk kërkojnë transplantim të qelizave staminale.
Qelizat T janë një lloj qelize imune. Ata zbulojnë proteinat e prodhuara brenda qelizave, sikur të ishin proteina virale ose kimikate toksike, pastaj vrasin qelizën për të zhdukur kërcënimin.
Nëse një qelizë është e infektuar me HIV, ajo do të përmbajë shënues të HIV-it, por ato janë shumë të vështira për t’u zbuluar nga qelizat T normale.
“[TCRs] funksionojnë duke dizajnuar qeliza T [të specializuara] për të gjuajtur për shënuesit e HIV në një qelizë, më pas për të vrarë qelizën”, tha Riley.
Është si të futësh në sistem një tufë qensh gjuetie, të cilët janë mbushur me aromën e dhelprës.
TCR-të janë duke u testuar në disa prova klinike, me theks në vërtetimin e sigurisë së tyre. Është shumë herët për të kuptuar nëse ato janë efektive apo jo.
Riley tha se nuk është pesimist për gjetjen e një kure për HIV-in, por pranoi se synimi ishte si të arrish në Hënë.
“A ishte e vështirë të shkosh në Hënë? Po. Por arritëm atje. Dhe shpikëm teknologji të reja për shkak të përpjekjes për të arritur në Hënë. Kjo është ajo që unë mendoj se është shërimi i HIV-it. Përpjekjet tona do të kalojnë në mënyrën se si ne kurojmë sëmundje të tjera”, përfundoi ai. /Telegrafi/