Telegrafi

Kur vullneti e mund realitetin e ashpër: Një vajzë pa të dyja këmbët merret me modeling dhe sport

Modelingun e ka nisur që në moshën 7-vjeçare, ndërsa edhe sot ecën në pista dhe stërvitet

Daisy është një vajzë 13-vjeçare e lindur në Birmingham të Anglisë, me një sëmundje të rrallë që duhej që në moshën 18-muajsh t’i amputoheshin të dyja këmbët.

Megjithatë, gjendja e saj nuk e pengoi të realizonte ëndrrat e saj. Daisy tani është një gjimnaste e talentuar si dhe një modele.

Modelingun e ka nisur që në moshën 7-vjeçare, ka pozuar për marka si “Nike”, “River Island”, “Boden”… dhe është emëruar edhe si ambasadore e markës për linjën e veshjeve “Lulu et Gigi”, transmeton Telegrafi.

Babai i saj, Aleks Demetre, është shumë i prekur nga arritjet e së bijës dhe ka deklaruar: “Ajo më frymëzoi duke më treguar se kush është. Hyn në jetë me një buzëqeshje në fytyrë dhe bën gjëra të jashtëzakonshme. Qoftë vallëzim, këndim, ajo është një vajzë shumë e veçantë”.

Ai tha gjithashtu se karriera e modelingut të vajzës së tij ka ardhur krejt rastësisht. Një agjenci modelimi për personat me aftësi të kufizuara u shfaq në TV. Ai e pyeti nëse donte të bëhej supermodele, ku Daisy nuk hezitoi dhe tha se donte dhe ky vendim i ndryshoi tërësisht jetën.

Ajo ka pasur sfilata në të gjithë botën, në Londër, Nju Jork, Paris… e edhe sot ajo është aktive, duke ecur në pasarela dhe duke u stërvitur. /Telegrafi/