Gjëja e parë që më duhet ta them për filmin e fundit të regjisorit iranian Asghar Farhadi, “A Hero” (Heroi) është ky: duhet ta shihni.
Farhadi, si një nga emrat më të veçantë të Valës së Re të kinemasë iraniane, është unik në zbërthimin e dramave njerëzore. Sidomos nëse skenarin e tij e zhvillon në Iran. E them këtë sepse ai i ka realizuar dy filma në Evropë – një në Francë (“The Past”, 2013) dhe një në Spanjë (“Everybody Knows”, 2018), me aktorë të famshëm si Javier Bardem, Penelope Cruz, Berenice Bejo dhe Tahar Rahim. Por, stili i tij për mua fle dhe flet më shumë përmes botës ku ai është rritur e ku jeton. Qëndrojnë më mirë edhe rolet e aktorëve iranianë pa akademi aktrimi, si Payman Maadi që ka mbaruar Metalurgjinë, Shahab Hosseini që ka mbaruar Biologjinë dhe në rastin e fundit, Amir Jadidi që ka mbaruar Inxhinierinë Industriale. Se pse regjisorët e famshëm iranianë nuk i angazhojnë shpesh aktorët që ne do t’i quanim profesionistë – sepse kinse diploma i bënë të tillë – kjo kuptohet më mirë nga shpjegimi që Abbas Kiarostami ia jep regjisorit të madh japonez, Akira Kurosawa: “E kam mësuar këtë nga ju … Ndonjëherë loja e aktorëve joprofesionistë më befason … Kam pasë përvojë të re me një aktor profesionist … Ata u përmbahen roleve të mëparshme. Një rrezik ky që na kërcënon … Aktorët veteranë kanë përvojë të madhe por, mjerisht, nuk janë më të freskët; dhe, është e vështirë të kthehen në ndjenjat e tyre njerëzore”.
Vala e Re Iraniane është unike sepse merret me problemet e njeriut të rëndomtë në Iran. Por, kjo nuk është detyrë e lehtë. Shumë regjisorë censurohen, e disa nga ta janë burgosur. Jafar Panahi e ka vuajtur arrestin shtëpiak nga ku – kryesisht me celularë iPhone – e realizoi dokumentarin “This is Not a Film” (2011). Me kamera të lira të montuara në veturë – duke e shkelur ndalesën për të bërë filma – e realizoi edhe filmin “Taxi” (2015). Së fundmi u arrestua regjisori Mohammad Rasoulof meqë filmi i tij i fundit, “There Is No Evil”(2020) – akuzë për dënimin me vdekje – u xhirua duke prezantuar emra dhe skenarë të rrejshëm te Bordi i Filmit i kontrolluar nga shteti.
Të gjithë emrat e kësaj kinemaje poetike – që nga Dariush Mehrjui – janë të respektuar në botë; me çmime të fituara në Kanë, në Venecie e në Berlin. E, veprat i realizojnë me buxhet të vogël. Vlen të përmendet këtu filmi “The Circle” (2000) i Panahit dhe buxheti prej 10 mijë dollarëve. Përjashtim mund të bëjë Farhadi, i cili ka punuar në Evropë dhe i cili është një hero iranian meqë është fitues i dyfishtë i Çmimit Oscar në kategorinë e filmit të huaj – me filmin “A Separation” (2011) dhe “The Salesman” (2016). Në garë është edhe sivjet, me filmin “Heroi”.
Por, epiteti i heroit është thikë me dy teha. Në njërën anë Farhadi është nën vëzhgim të regjimit. Është ndaluar në aeroporte dhe i kanë thënë të mos kthehet më këtu (në Iran). Ia kanë marrë disa herë pasaportën dhe është marrë në pyetje. Sepse, është kritik ndaj qeverisë, siç ishte p. sh. me pandeminë e koronavirusit kur akuzoi se shteti po e lejon masakrimin e njerëzve të vet, apo kur me disa kolegë shkoi në gjykatë për ta kundërshtuar dënimin e Rasoulofit me burg. Në anën tjetër është xhelozia ndaj famës së tij. Nëpër media cilësohet si njeri i regjimit, për çka ka dashur ta tërheqë filmin e fundit nga gara për Oscar. Siç ka thënë Farhadi për famën ndërkombëtare: “Çfarëdo që thua, çfarëdo që bën, je në qendër të vëmendjes”.
Dhe, është pikërisht filmi “Heroi” që trajton rolin e medias, sidomos atyre sociale; të fuqisë që ato e kanë në krijimin dhe përmbysjen e heronjve.
Protagonist i filmit është Rahimi, një burrë i pafat i shkurorëzuar. Futet në borxhe (te miku i tij) për një biznes që dështon dhe, pastaj, në pamundësi për ta larë borxhin e vuan dënimin me burg. E dashura e tij, me të cilën mendon të martohet, e gjen një çantë me monedha të arta. Gjatë lirimit të tij dyditor ia ofron për ta larë gjysmën e borxhit e që pjesën tjetër ta kthejë duke punuar e duke garantuar dikush për të. Por, Rahimi vendos ta kthejë atë çantë. Autoritetet e burgut, për të shmangur pyetjet për një vetëvrasje që kishte ndodhur më parë në burg, e shndërrojnë këtë akt në lajm. Por, si viktimë e besimit, si njeri i sinqertë që veten e sheh te tjetri, i bëri dy gabime: nuk e kërkoi identitetin e gruas që kërkoi çantën dhe lajmin e dha siç u udhëzua nga drejtoria e burgut. Vepra e mirë e tij u përmbys nga mënyra se si deklarua kjo vepër dhe se si u mundua ta vërtetonte.
Me lajmin nis drama e Rahimit. Ai bëhet hero. Por, edhe i urryer nga të burgosurit tjerë. Kthimi i parave dhe lirimi me kusht shndërrohet në problem më të madh kur nuk mund ta gjejë gruan që mori çantën e humbur. Nëse dikur ishte njeri fatkeq, tashti shihej si i pandershëm; luftës për të siguruar paratë për të qenë i lirë tashmë i shtohet lufta për ta faktuar të vërtetën. Kështu, nga mediat sociale e nga komunikimet virtuale e përjeton fatin e Farhadit që ka thënë: “Mediat ekstremiste nuk kanë kursyer asgjë për të më shkatërruar, për të më margjinalizuar dhe stigmatizuar”. Sepse, i tillë është fati i secilit në një shtet teokratik ku sundojnë mullahët që s’e bëjnë hesap njeriun; i tillë është fati i secilit, kudo ku frika ndaj një pakice përcakton se çka është mirë e çka është keq.
Nuk dua të futem në detaje tjera të filmit e as te mënyra mjeshtërore se si Farhadi rrëfen. Por, vlen të ceket se aty është lakmia e mungesa e mëshirës dhe mirëkuptimit. Intrigat, paragjykimet dhe inatet personale. Padrejtësitë në shqiptimin e dënimeve, përfshirë ato me vdekje. Është jeta e njeriut të rëndomtë që nuk mund ta marrë veten nëse nuk ka para e pushtet.
“Heroi” është dramë që të mban, po edhe të streson. Stres të tillë kam pasë vetëm me serinë “Breaking Bad”. Por, derisa në rastin e dytë empatia për personazhin kryesor shndërrohet në urrejtje, te “Heroi” thellohet empatia për personazhin kryesor dhe shtohet urrejtja për një sistem të pandershëm, që në emër të ndershmërisë i shkatërron njerëzit e pafat. Kur sundojnë njerëzit e këqij (qoftë edhe në Iran, në shtetin më të vjetër në botë), secili merret me njeriun që shndërrohet në lajm; duan të bëhen pjesë e lajmit, sillen rreth lajmit e orientohen nga lajmi, pa marrë parasysh se çfarë rrjedhe merr ai – glorifikuese apo linçuese për dikë. Askush nuk merret me të vërtetën; askush nuk do ta thotë të vërtetën e as nuk do t’ia dijë se me të rilind një njeri, se shpëton një dashuri dhe se bën jetë normale një fëmijë. Rahimi luftoi për këto, por nuk pranoi që fati i tij të jetë peng i videove që shpërndahen në rrjetet sociale. Sepse janë thikë me dy teha; sepse ato e ndihmojnë njërin, por e lëndojnë tjetrin. Kur shpëtimi varej nga deklarata e të birit me pengesa në të folur – që do të shpërndahej nëpër mediat sociale – ai zgjedh burgun duke mbrojtur të birin nga talljet. Zgjedh ndershmërinë, diçka që ka çmim të rënd në Iran. Nuk dëshiron më të jetë lajm, as hero, mësime këto që duhet t’i ketë parasysh edhe shoqëria shqiptare, kudo në Ballkan.