Site icon Telegrafi

“Kur toka bëhet ujë” – tërmeti përpin qindra shtëpi në brendësi të tokës! (Video)

Numri i njerëzve që gjetën vdekjen nga tërmeti i pasuar nga një cunam në Indonezi ka arritur 1 347, thonë zyrtarët e reagimit ndaj katastrofave, cituar nga BBC.

Deri të hënën, shifra ishte 844, por numri u rrit ndjeshëm të martën, ndërsa ende dyshohet për viktima nën rrënoja.

Tërmeti me magnitudë prej 7.5 goditi ishullin qendror të Sulawesi, duke shkaktuar një cunami që përfshiu qytetin bregdetar të Palu.

Policia po ruan dyqanet kundër plaçkitësve, ndërsa njerëzit kërkojnë me dëshpërim ushqim, ujë dhe lëndë djegëse.

Nga ana tjetër, imazhet satelitore tronditëse tregojnë për shkatërrimet masive të tërmetit, përcjell oranews.tv.

Dy lagje në qytetin Palu, thuajse janë zhdukur, ndërsa të njëjtin fat kanë edhe pjesë të tëra të fshatrave.

Shumë njerëz besohet të jenë bllokuar në shtëpitë e shkatërruara në lagjen “Balaroa” të Palut, ku tërmeti bëri që toka të ngrihej lart e poshtë në mënyrë të dhunshme.

Në këtë lagje 1 700 shtëpi u gëlltitën kur goditi tërmeti.

Në këtë zonë ka ndodhur i ashtuquajturi procesi i “lëngëzimit”, një fenomen ku rëra e ngopur me ujë dhe balta marrin karakteristikat e një lëngu gjatë goditjes intensive të një tërmeti.

Kjo ndodh kur një tërmet ka rritur presionin e ujit në tokë të ngopur dhe grimcat e tokës humbasin kontaktin me njëri-tjetrin, duke e bërë tokën – sidomos tokën ranore – të veprojë si lëng.

Imazhet satelitore të rrethit të Petobos, në jug të aeroportit të Palut, treguan një fushë tjetër të madhe ku ndërtesat janë fshirë nga faqja e dheut.

Nga ana tjetër, në rrethin e Sigi, 34 fëmijë u gjetën të vdekur nën mbeturinat e cunamit. Ata të gjithë po ndiqnin një kamp të krishterë, tha zëdhënësja e Kryqit të Kuq Indonesian Aulia Arriani.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=11&v=HqdSn5SlDFs

Exit mobile version