Site icon Telegrafi

“Kur të tjerët janë mirë edhe Bavaria është mirë”, një delegacion i deputetëve gjermanë viziton Kosovën – njoftohen për zhvillimet ekonomike

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) bashkë me Ambasadën Gjermane në Prishtinë kanë mirëpritur në takim delegacionin e deputetëve nga radhët e CSU të rajonit të Bavarisë të udhëhequr nga Karl Freller.

Vizita e tyre në Kosovë filloi në OEGJK, ku delegacioni u mirëprit nga Nora Hasani, Drejtoreshë Ekzekutive e OEGJK-së bashkë me zëvendës-ambasadorin gjerman, Matthias Conrad.

“Deputetët gjermanë u informuan mbi zhvillimet ekonomike të Republikës së Kosovës që nga pas lufta e deri më sot, duke vënë theks të veçantë në rritjen e qëndrueshme të investimeve të huaja, e në veçanti ato gjermane, marrë parasysh që investitori më i madh në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë Republika Federale e Gjermanisë.

Përveç temave ekonomike, deputetët gjermanë u njoftuan edhe rreth temave aktuale politike, sigurisë së vendit si dhe mundësive për zhvillim dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”, thuhet në njoftimin e OEGJK-ut.

Referuar njoftimit, delegacioni u interesua kryesisht për sektorin e energjisë në Kosovë, ku u njoftuan për Strategjinë e Energjisë 2030, zhvillimet e fundit në këtë sektor, por edhe potencialin që ofron Kosova për tërheqje të investimeve të huaja, e në veçanti investimet në energji solare dhe me erë.

Nga Procesi i Berlinit, perspektiva evropiane për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian, reformat në sektorin e energjisë, e deri tek arsimi dhe aftësimi profesional, ishin pikat kyçe të takimit të djeshëm.

“Kur të tjerët janë mirë edhe Bavaria është mirë”, tha deputeti i CSU, Karl Freller.

Ai po ashtu theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit të Kosovës dhe Gjermanisë, në veçanti me rajonin e Bavarisë.

Më pas, OEGJK ka shoqëruar delegacionin gjerman për të vizituar kompani. /Telegrafi/

 

Exit mobile version