Site icon Telegrafi

Kur do të regjistrohet popullsia e Maqedonisë?

Ekspertët kërkojnë regjistrimin e shpejtë të popullsisë në Maqedonisë. Sipas tyre regjistrimi duhet të jetë prioritet numër një, pasi vetëm falë të dhënave që sigurohen nga regjistrimi mund të planifikohen politika të sakta shtetërore, përcjell Telegrafi Maqedoni.

”Është e nevojshme t’i dijmë të gjitha këto të dhëna, në mënyrë që nesër të veprojmë si duhet. Për shembull: Vazhdimisht dëgjojmë se popullata plaket, megjithatë nuk e dimë saktë ku dhe sa. Këto parametra, këto të dhëna do të mundësojnë të gjitha planifikimet tjera në shtet: Ku duhet të ndërtojmë shkollë; Ku duhet të ndërtojmë çerdhe; Ku duhet të ndërtojmë rrugë; në sferën e bujqësisë- Ku duhet të investojmë në mekanizimin, dhënien e subvencioneve; në sferën e ndërtimit të shtëpive-ku, sa dhe çfarë ka e kështu me radhë”, tha për Alsat-M, Donço Gerasimovski, demograf.

Sipas Gerasimovskit, ky proces kërkon përgatitje teknike e teknologjike bashkë me një “ushtri” të personave të trajnuar. Nga ana tjetër Ish nënkryetari i Komisionit për Regjistrim, Abdylmenaf Bexheti kërkoi më shumë kujdes në organizimin e një procesi të ri të regjistrimit dhe i njëjti të mos politizohet.

”Duhet të spastrohet tërësisht ligji dhe të definohen qartë dispozitat ligjore në lidhje me të drejtën e regjistrimit të qytetarëve të cilët punojnë përkohësisht në botën e jashtme. Kjo është kategoria më kontestuese dhe problematike. Tajmingu politik për regjistrimin nuk mendoj se mund të jetë para zgjedhjeve lokale në asnjë mënyrë. Pra duhet të jetë në një periudhë ku së paku pas atij akti nuk do të qëndrojnë së shpejti, dy-tre vitet e para zgjedhje”, tha Abdylmenaf Bexheti, ish-nënkryetar i Komisionit Shtetëror të Regjistrimit.

Sekretari i qeverisë, Dragi Rashkovski konfirmoi se regjistrimi i popullsisë është pjesë e programit të qeverisë së re. Sipas tij, regjistrimi do të bëhet por se për të njëjtën duhet kohë dhe resurse. Rashkovski tha se nuk mund të na garantojë për periudhën kohore se kur do të zhvillohet procesi, por se detaje do të na japë pas të hënës. Regjistrimi i Popullsisë në Maqedoni për herë të fundit është realizuar në vitin 2002, ndërsa procesi i njëjtë dështoi që në nisje në vitin 2011./Telegrafi/

Exit mobile version