Site icon Telegrafi

Kur të humbë rruga në oborr

Që nga NATO e deri te organizatat “më të parëndësishme” ndërkombëtare Gruevskit i dhanë notë të dobët. Raportet e tyre ishin plotë me vërejtje për sa i përket ngecjeve të mëdha ekonomike, gropave finansiare, klimës së rëndë politike, mungesës së dialogut politik, prishjes së marrëdhënieve ndëretnike por dhe vërejtje për qëndrimin noshalant për sa i përket rrumbullakimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Rehatia e sfungjerit të pushtetit

Marrëveshja e Ohrit tashmë është e vdekur! Duhej të përfundonte që më vitin 2004. Nuk u realizua as dhjetë për qind nga ajo marrëveshje. Tani në horizont hidhet një dokument i ri që fton për një marrëveshje historike në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve. Ideja është e PDSH-së, respektivisht e z. Menduh Thaçit.

Strukturat udhëheqëse të BDI- së që në start e hodhën poshtë këtë iniciativë, duke tentuar me xhelozi ta ruajë Marrëveshjen e Ohrit, si “prodhim të tyre” edhe pse kur hartohej ky dokument ata ishin në male dhe në katund zbritën vetëm kur u garantuan se Marrëveshja e Ohrit do t’i sillte në pushtet.

Atëbotë strukturat udhëheqëse të PDSH-së, të cilët edhe i dhanë peshë politike tërë asaj lufte fillimisht të pakuptimtë, mbanin llogari që të ruhet krenaria kombëtare duke ju krijuar terren “shkaktarëve të luftës” që të futen në parlament dhe në pushtet. Ishte ky gabimi më i madh strategjik i PDSH-së, për të mos thënë edhe gabim fatal që edhe sot e kësaj dite po i kushton rënd shqiptarëve të Maqedonisë.

Komandantët, kush nga malet, kush nga vilat e kush nga hotelet luksoze, zbritën dhe ranë në rehatinë e sfungjerit të pushtetit. Maqedonasit Marrëveshjen e Ohrit e përdorin për t’i frenuar të gjitha proceset avancuese që duhet të shkojnë në të mirë të shqiptarëve dhe nisën një epokë të re të diskriminimit etnik, të nëpërkëmbjes së dinjitetit kombëtar shqiptar.

Analistët e ndryshëm thonë se kjo gjendje do ta dëmtojnë shumë rënd BDI-në, duke harruar se kjo parti në pushtet vjen sa herë që e ka ngushtë punën me shpëtimin e partisë. Do me thënë, nga BDI-ja pushteti shfrytëzohet jo për të ndërmarrë ndonjë hap që do të shkonte në të mirët të shqiptarëve të këtushëm por, thjesht, për ta ruajtur substancën e partisë, e cila, në opozitë, shkërmoqet deri në përimtësime më të pavlera!

Ndryshe, sapo erdhën në pushtet nuk do të pajtoheshin me moratoriumin dyvjeçar mbi çështjet kombëtare që i tangojnë shqiptarët e Maqedonisë, nuk do të heshtnin kaq shumë përballë diskriminimit të përditshëm si dhe të nëpërkëmbjes së dinjitetit shqiptar, nuk do të solidarizoheshin me çdo hap nacionalist të VMRO-së që shkon në dëm të çështjes shqiptare në Maqedoni.

VMRO-ja arrin që ta suspendojë komplet Senatin e Universitetit Shtetëror të Tetovës! Paramendoni sikur të ndodhte një gjë e tillë me senatet e ngjashme të universiteteve maqedonase që kohëve të fundit po themelohen edhe nëpër katunde maqedonase! BDI-ja e përshëndeti fuqishëm një hap të tillë të VMRO-së ngjashëm siç përshëndeti plotë hapa nacionaliste që u hodhën mbi kurrizin e shqiptarëve të vendit.

Pa dyshim, u realizua ky akt i një skenari më të madh antishqiptar në momentin kur Maqedonia mori nota negative prej të gjithë faktorëve relevantë ndërkombëtarë. Për ta amortizuar këtë goditje si dhe për ta ruajtur në nivel nacionalizmin bajat të maqedonasve Gruevski brenda një dite ndërhyri në USHT-ë si dhe, shih ironinë, burgosi me dhjetëra lypsa nëpër rrugët e qytetit, ndonëse po këtë ditë u sulmuan dhe u grabitën posta e banka të vendit!

Identiteti i kombit pa shtet

Gruevski po pretendon që për popullin e vet të sigurojë statusin e trashëgimisë kulturore botërore që do të vihej përjetë nën mbrojtjen e UNESKO-s! Pra, maqedonasit janë popull antik, së këndejmi, vlerë kulturore botërore! Një synim të tillë nuk e kanë pasur asnjë popull në botë, ndërsa, e vetmja qeveria amerikane që ka pranuar një “presedan” të tillë. Rezervatet indiane e gëzojnë një trajtesë të tillë, janë populli më i respektuar dhe më i privilegjuari në botë! Janë tamam trashëgimi kulturore!

Gruevski po këmbëngul në këtë respektim jo se është i bindur se ka të drejtë, por, thjesht, përmes këtij manipulimi nacionalist me popullin e vet tenton që sa më gjatë të mbetet në pushtet. Kohëve të fundit është bërë si ata paranoikët e sëmurë rënd! I pengon çdo konsolidim i opozitës, i pengon çdo angazhim shqiptar për të mohuar aventurat e tij. Në fakt, çdo “rebelim” shqiptar që vjen kryekëput nga PDSH-ja, e motivon Gruevskin për ta elektrizuar nacionalizmin maqedonas!

Nuk i bëhet vonë se janë nja 40-50 mijë shqiptarë që nuk pajtohen me politikat e tij dhe se janë në çdo moment në gjendje për t’u rebeluar kundër këtyre padrejtësive të padurueshme maqedonase. Tashmë ka helikopterët rus të blerë pikërisht për të shuar çdo rebelizëm në vend! Kjo do të thotë se, nuk pranohet asnjë marrëveshje politike me shqiptarët, përveçse marrëveshje vasaliteti.

Kohëve të fundit, Kryeministri i Maqedonisë, z. Gruevski ka probleme edhe me ndërkombëtarët, me ata faktorë relevantë që i monitorojnë jo vetëm zhvillimet ekonomike por edhe ato politike në vend. Prej të gjithëve ka pasur vërejtje se Marrëveshja e Ohrit nuk e ka atë dinamikë të dëshirueshme të realizimit të saj por, ka një shmangie permanente e cila e ushqen me të madhe nacionalizmin ekstrem maqedonas.

Këtë vërejtje ia ka tërhequr NATO, por dhe euroambasadori Ervan Fuere, si dhe ambasadorë dhe organizatave të shumtë si BB-së, FMN-së etj. Pikërisht për këtë “ndërhyrje” në politikat e brendshme kombëtare maqedonase, Gruevski ka filluar lobimin për t’i dhënë fund mandatit të këtyre zyrave ndërkombëtare.

Njerëzit që e kanë njohur me kohë e që rrinë herë pas herë me të thonë se, Gruevski, kohëve të fundit, është futur kokë e këmbë në film dhe se në vete po e ndjenë një reinkarnim të çuditshëm, është thellësisht i bindur se është Leka i Madh i ringjallur.

Gjithnjë e më fuqishëm, në prag të gjunjëzimit të tij para presionit për ta ndërruar emrin e shtetit, apelon në ruajtjen e identitetit kombëtar! Por, të cilit identitet?! Cili do të jetë ai identitet kur do të ndërrohet emri i shtetit dhe çdo gjë që lidhet me shtet e për shtetin!

Tani problemet paraqiten edhe me Bullgarinë. Shteti bullgar teksa do t’ia kontestojë identitetin si dhe historinë kombëtare maqedonasve. Këto ditë ia tërhoqën vërejtjen që mos t’i përvetësojë në mënyrë kaq naive heronjtë e popullit bullgar! Vërtet është tmerr kur të humb rruga në oborr.

Dëshira patologjike e Gruevskit

Në fillim të muajit prill Gruevskit iu dorëzua “memorandumi” i përgatitur nga sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë si dokument ku ishin të përcaktuara prioritetet strategjike të Qeverisë për vitin 2010. Pa dyshim, ky dokument tashmë është i miratuar dhe është shndërruar në një dokument bazë sipas të cilit do të punojë Qeveria e Gruevskit deri në fund të vitit 2010.

Përveç Gruevskit ky dokument i dorëzohet edhe vetëm ministrit të financave, ministrit për ekonomi, Sekretariatit për çështje evropiane si dhe sekretariatit ligjdhënës. Pra, nuk e ka askund sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ndikimet e pritshme të këtyre prioriteteve strategjike do të jenë, veç të tjerave, promovimi i identitetit kulturor maqedonas, ndërsa pak para fundit është ndikimi në realizimin e Marrëveshjes së Ohrit (dmth ky realizim qenka askund!!!) dhe, gati fare në fund është ndikimi në përmbylljen e procesit të decentralizimit si dhe të reformave në gjyqësi!

Janë këto tri elemente për të cilat më së shumti sulmohet kjo Qeveri ndërsa si prioritete i ka renditur nga fundi i strategjisë! Thënë më konkretisht, Marrëveshja e Ohrit përmendet në pikën e 14 të qëllimeve prioritare të këtij dokumenti, ndërsa, po t’i hidhet një sy dokumentit në tërësi, do të vërehet një joseriozitet i skajshëm i kësaj qeverie, do të vërehet një tendencë absolute e mohimit të problemeve ndëretnike në vend, do ët vërehet një megalomani e paparë për sa i përket zhvillimit të biznes klimës, një paturpësi e skajshme për sa i përket joshjes së investitorëve të huaj dhe, fare në fund, një sharlantantizëm i patolerueshëm për sa i përket shfrytëzimit të fondeve të UE-së të cilat (hajde budallaki hajde) do t’ia hapin portat shtetit për t’u inkuadruar në NATO dhe në UE!
Kjo është arsyeja kryesore se pse në skenën politike po shfaqet tendenca për arritjen e një marrëveshje të re dhe historike në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve, marrëveshje kjo e inicuar nga PDSH-ja! Dëshira patologjike maqedonase për të ushtruar superioritet jo vetëm mbi shqiptarët (me këtë tentativë për ta vjedhur antikën edhe mbi tërë botën) duhet të marrë fund, ndryshe, sipas marrëveshjes së re, të cilën kohë më parë e komentoi edhe iniciuesi i saj, z. Thaçi, kapacitetet dhe energjia e shqiptarëve të Maqedonisë do të orientohet nga krijimi i shtetit të ri shqiptar!

Gruevski përfundimisht është para kësaj trysnie të madhe por edhe para trysnisë së ndërkombëtarëve që të këndellet, ndryshe, do të marrë më qafë shtetin dhe kombin e vet të papranueshëm!

Exit mobile version