Bajram Peçi
Ka ngjarë kjo disa herë në Shqipërinë e 100 vjetëve të fundit, por ky artikull nuk ka të bëjë me ne. Është shkruar nën përshtypjet e zhvillimeve të fundit me fqinjët turq, merr shkas nga shtrirja e pushtetit turk tej kufijve të vendit të vet. Është e njohur se ushtrimi i pushtetit administrativ dhe politik u jep shumë fuqi personave që janë të ngarkuar për ta përdorur atë dhe nuk orvaten ta fshehin sa të fuqishëm janë.
Kjo ndodh me Erdogan i cili nuk sheh ndonjë pengesë që ta ushtrojë atë edhe në Shqipëri, siç pararendësit e tij e ushtruan 500 vjet. Madje, nën hijen e tij, rojat e shfaqën edhe në Shtetet e Bashkuara, ku gjatë vizitës rrahën protestues, duke shkelur ligjin amerikan. Për rrjedhojë nuk mund të mos mbërrinte edhe tek ne, në Shqipëri, shesh-beteja Erdogan-Gylen.
Zërave lart e poshtë të pakënaqësisë turke ndaj sjelljeve tona shtetërore dhe prononcimeve të herë pas herëshme pas “Grushtit të shtetit” të para dhjetë muajve, ju dha fund përmes fillimit të një fushate në media. Intervista e paradokohëshme në një TV u pasua nga botimi i një artikulli në shtypin shqiptar, shkruar prej ambasadorit të Turqisë në Tiranë.
Organizimin në Shqipëri të veprimtarisë guleniste FETO, praninë e saj ende të pacënuar, z. Bayraktar e vlerëson si rrezik për shqiptarët, Shqipërinë e rendit si një vend ku mbahen e strehohen tradhtarët dhe zotohet se “Do i spastrojmë të gjithë” nga Shqipëria (!?). Më shumë se kaq nuk nevojitet për të nxjerrë përfundimin që në krye se ambasadori i nderuar ka tejkaluar të drejtat e diplomatit për të bërë politikë, për të akuzuar administratën shtetërore të vendit ku është akredituar dhe për të ndikuar sa të mundë me shfaqjen e forcës të më të madhit në përqasjen e qendrimeve mes dy qeverive. Siç pohon vetë z. ambasador, propaganda për t’i hapur sytë popullit tonë do vijojë me mjete të tjera. Dhe nuk vonoi që të mbërrinte vetë prokurori i Republikës Turke.
Qëllimi shprehet më qartë në njoftimin zyrtar: “…kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare për hetimin e disa prej personave të përfshirë në ngjarjet e 15 Korrikut 2016 në Turqi, për të cilët institucionet ligjzbatuese turke kanë dyshime se strehohen në Shqipëri”.
* * *
Sa dallim që shohim mes Turqisë së Ataturkut dhe Turqisë së Erdoganit! Askush se ka të zorshme të dallojë ndryshimin mes dy Turqive. Me ardhjen në pushtet të Mustafait të Shkëlqyer nuk u desh shumë kohë për të nuhatur se ç’kishte ngjarë. Kish filluar një përmbysje e madhe social-ekonomiko-kulturore.
Republika e re dhe pushteti i pakufizuar fetar nuk shkonin bashkë. Sheriati, ligji fetar, u ndalua; Kalifati u shkëput nga shteti dhe më pas ky autoritet fetar, më i larti i botës islamike, u suprimua; dervishët e bektashizmit u përzunë për në Shqipëri. Për islamin kish përfunduar ndërveprimi me autoritetin politik e ushtarak. Më tej, ferexheja, burka, shallvaret, poturet dhe festet u zëvendësuan në qytete me veshje evropiane.
Në vend që të mësoheshin normat e kuranit e sharias mori përhapje gjithë-përfshirëse shkolla laike, u vendos alfabet me bazë gërmat latine dhe qytetarët e Republikës Turke u bënë me…mbiemra! Ataturku (Babai i turqve), mbiemri që zgjodhi për vete Mustafa Qemali, la një Turqi me orientim të theksuar evropian. Turqia ishte vënë në rrugën e përparimit të gjithëanshëm.
Tashmë sekularizmit në Turqi i janë tronditur themelet. Kundërshtitë dhe refuzimin ndaj botës perëndimore i treguan duke i drejtuar gishtin Evropës, duke vendosur pak a shumë një regjim autokratik i cili e thellon më tej hendekun ndarës me demokracitë, pas referendumit për ndryshimet kushtetuese që ndau Turqinë më dysh. Turqinë që njihnit, e emancipuar, me status të civilizuar për gruan dhe familjen, për shkollën e shoqërinë, është e vështirë se do ta gjeni.
Pozicioni i tyre ndaj Evropës është krejt i ndryshëm nga koha kur aplikuan për anëtarësim. Qenja si fuqi-anëtare e NATO-s i përket kohës së luftës së ftohtë, kur, e ndodhur në kufi me ish Bashkimin Sovjetik, duhej të merrej në mbrojtje nga aleanca atlantikase.
Gjithsesi, me të dy Turqitë, shumicën e viteve të pas pavarësisë, marrëdhenjet kanë qenë miqësore, një miqësi e gjatë, ku prej nesh janë bërë përpjekje për të harruar shumë gjëra. Miqësi, por jo vëllazërore! I këpusin këto profka servilët pushtetarë (qofshin dhe kryeministra) dhe përfaqësues muslimanë me orientim turk, të cilët dhe sot i lejojnë vetes me paturpësi të heqin mexobustin e heroit tonë kombëtar nga salla e presidencës, kur u vijnë vizitorë të lartë të shtetit Turk. Vëllezërit tanë janë vetëm shqiptarët që historia e bërë nga më të fortët i la jashtë kufirit shtetëror. Shqipëria e emanicipuar është e deklaruar dhe e vendosur të shohë, mësojë dhe të integrohet në perëndimin evropian dhe jo në lindje.
* * *
Të lë një shije të hidhur në gojë guximi që ndërmerret për të diktuar politikën e qendrimet e shtetit të Turqisë në vendin tonë. Presidenti Erdogan mund të jetë prishur për arsyet që i dinë ata me ish mikun e shokun e tij të afërt, Fethullah Gulen, por strukturat shkollore tek ne u ngritën para më se 25 vjetëve, nga koha kur i pari president i Turqisë, Turgut Ozal, vizitoi Shqipërinë.
Kolegjet turke që u hapën ishin një investim në përputhje me interesat e arsimit shqiptar, me marrëveshje ndërqeveritare. Programet e shkollave që ata ushtrojnë janë të kontrolluara, në mbarëvajtje me nivelin e diturisë së nxënjes bashkëkohore dhe, mesa di, tërsisht jashtë frymës fetare. Pra, i përkasin Turqisë sekulariste.
Që ato të mbyllen, siç do dëshironin, z. ambasador dhe prokurori turk, nuk duhet thjesht t’i shajë e mallkojë, por duhet të sjellë prova se tekstet mësimore dhe mësimdhënja nuk janë të dobishme për ne, çështje kjo e përmbajtjes që ska lidhje me pronësinë. Të tilla shkolla, me këtë organizim FETO ka në Gjermani, Zvicër, Hollandë, etj.
“Lufta e Shenjtë”, Xhihadi, lindi kryesisht si lëvizje për përhapjen e besimit. Si e tillë ngjan të jetë për nga agresiviteti edhe këmbëngulja e regjimit të tashëm në Turqi për instalimin e besimit të “fesë” Erdogan në Shqipëri, “Xhihad” në Shqipëri kundër “Idhujtarve FETO”; si i tillë të vjen dhe tingëllimi i fondacionit MAARIF që do përzej shkollat ekzistuese turke (thonë ata) dhe do instaloj shkolla të tjera, të përshtatshme për shijet e grupit politiko-fetar të pushtetit aktual në Turqi.
Në këto rrethana administrata e lartë shtetërore është për t’u përgëzuar që s’u ka kushtuar shumë vëmendje, s’janë përfillur dhe aq, është zgjedhur rruga e heshtjes, janë treguar të matur e nuk janë përzjerë në sherret e tyre.
Por një sjellje e tillë nuk i shkon për shtat mediave, si ato të pagojat, ashtu dhe ato që i krijojnë hapësirat një propagande politike për të shtrirë kthetrat fetare në institucionet tona arsimore, tërsisht laike. Sikur në ekranin e vogël të disa kanaleve televizive të zbresin gjithë filmat turq me trimëritë e hordhive të stepave, me ofshamat e qarjet në dramat e tyre, ky popull zotërinj të ambasadës, është përgjithësisht i formuar kulturalisht, është i përkushtuar dhe i betuar të shkojë në Evropë, jo në Azi!
Në këtë “luftë”, me “shkuljen nga rrënjët të shkollave guleniste”, shqiptarët njoftohen se një fondacion tjetër po përgatitet të vijë në Shqipëri. Prej tyre dimë vetëm nistoret kapitale MAARIF. Njoftohemi se është ky fondacion që merr përsipër të vendosë një sistem e praktikë të re me shkollat turke në vendin tonë. Ruajna Zot, mos krahas fushë-betejës Erdogan-Gulen, na e shndërojnë vendin në fushë eksperimentesh inatçore, në mos islamike! Pse jo, xhamia e stërmadhe e finacuar prej tyre po mbaron dhe shpejt do jetë gati si shkollë për ata që nuk i përmbahen parimit se njeriu është krijesë e Zotit.