Telegrafi

Kur Schliemanni i takonte arvanitasit në Itakën e Odisesë

Luan Rama

“Kur afrohesha në kasollet e fshatarëve për të blerë trush apo për të pirë ujë, gjithnjë n’a suleshin qentë, por duke i gjuajtur me gurë apo duke bërë sikur po merrnim ndonjë gurë për t’i goditur, unë i mbaja ata larg nesh. Atë ditë në shtëpinë e fshatarit, në oborr u sulmova me furi nga katër qenër të mëdhenj që nuk trembeshin nga gurët e mi. Por, ai që më udhëhiqte në atë udhëtim kishte mbetur larg meje dhe në këtë situatë të vështirë m’u kujtua historia e Odiseut që kisha lexuar, i cili, kur i ishin turrur qentë, ishte ulur qetësisht dhe kishte qëndruar pa lëvizur. Dhe kështu unë ndoqa shembullin e Uliksit duke mos lëvizur, edhe pse qentë ishin gati të më shqyenin, duke ardhur rrotull meje. Ata do më kishin kafshuar po të mos isha përulur, duke e zbutur kështu egërsinë e tyre…”!K

ëtë histori e tregon Heinrich Schliemann, në librin e tij “Kërkimet arkeologjike në Itakë, Peloponez e Trojë”.

Më tej ai vazhdon: “Pasi thirra, u shfaq një burrë shtatëdhjetëvjeçar me tipare të mira dhe sy të mëdhenj inteligjentë, me një hundëshqiponje, me flokët e gjata e të bardha si dëbora që kontrastonte me fytyrën e tij të nxirë nga forca e diellit. Siç ndodh këtu, ai po vinte këmbëzabathur dhe me një fustanellë pambuku, e lidhur sipër brezit dhe qe zgjatej poshtë në njëmijë palë deri tek gjunjtë. Ky kostum i shqiptarëve që e kanë adoptuar grekët që nga koha e revolucionit, ekziston në Shqipëri që nga koha e antikitetit të hershëm dhe shpesh e gjen në statujat e vjetra dhe veçanërisht të Pirros, mbretit të Epirit që ndodhet në muzeun e Napolit…”!