Site icon Telegrafi

Kur qytetari shndërrohet në klientë

Shkencëtaret politik e kanë të vështirë ta definojnë saktësisht politiken. Ndonëse ka një pajtueshmëri në mes tyre, se politika ka të bëjë me një proces të vendimmarrjes kolektive nga një grup i caktuar njerëzish dhe se politika ka të bëje me pushtetin, konfliktet, paqen, etj. David Easton, emri i të cilit është bërë i njohur me teorinë e sistemit politik (në librat e tij pas viteve të 50-ta) e ka dhëne definimin që konsiderohet më i “sakti” shkencor deri më tani. Sipas pikëvështrimit të Easton-it është e domosdoshme që sistemi politik të vëzhgohet në kontekst dhe bashkëveprim me mjedisin e tij të brendshëm dhe të jashtëm shoqëror. Sipas kësaj ideje, sistemi politik merr nga mjedisi kërkesat shpresat/pritshmëritë dhe/ose mbështetjen, të cilat përpunohen në të ashtuquajturin proces “konversion” brendapërbrenda këtij sistemi politik dhe që më pas çojnë në vendime të detyrueshme për të gjithë anëtarët e një shoqërie në formë ligjesh dhe urdhëresash. Këto të fundit nëpërmjet reagimeve çojnë në një “feedback” në shoqëri, pra, sërish në kërkesa apo në mbështetje.

Ndonëse qëllimi i këtij shkrimi nuk është të diskutojmë definimin akademik të politikës, është e rëndësishme të sjellim në ketë shkrim definimin e Easton-it i cili e sqaron ndërlikueshmerinë dhe shumëdimensionalitetin e politikës. Easton-i e sqaron se sistemi politik është në ndërveprim dhe komunikim të përhershëm me qytetarët prej të cilëve merr kërkesat dhe/apo mbështetjen. Kush e ndihmon dhe realizon një komunikim/ndërveprim të tillë? Studiuesit e politikës argumentojnë se një prej faktorëve kryesor ne ketë proces janë partitë politike (përveç medieve, shoqërisë civile, grupeve të interesit etj), të cilat e lidhin popullin me shtetin, më specifikisht me sistemin politik. Në këtë mënyrë partitë politike janë ndërmjetës dhe artikulojnë interesat e qytetarëve. Të shohim se si funksionon kjo lidhja qytetar – sistem politik përmes partive politike në Kosovë.

Në vende jodemokratike dhe ne ato që janë duke u demokratizuar, partitë politike nuk janë pjesë e një sistemi ndërmjetës mes qytetarëve dhe sistemit politik çfarë janë ne vendet e zhvilluara dhe me demokraci të lartë. I tillë është rasti edhe ne Kosovë ku partitë politike nuk janë pjesë e këtij sistemi ndërmjetës në mes qytetarëve dhe sistemit politik. Partitë politike kosovare nuk kanë arritur të artikulojnë interesat e qytetarëve në sistemin politik, por kanë futur interesat e tyre në këtë sistem. Atyre u mungon lidhja demokratike me qytetarë. Shumica e partive kryesore në Kosovë zgjedhin personat lojalë dhe shpeshherë jo-kompetentë dhe i prezantojnë në zgjedhje për plotësimin e funksioneve politike, duke mos rekrutuar njerëz të ri dhe profesionist jashtë partive.

Ato që partitë politike në Kosovë shpeshherë i prezantojnë si “prurje të reja” para zgjedhjeve s’janë asgjë më shumë se sa një “strategji marketingu” për të fituar ndonjë poen politik, pasi që menjëherë pas zgjedhjeve ato figura ose konformohen plotësisht me liderin e partisë, ose kane një rol minor në ato parti. Artikulimi i interesave të qytetarëve është drejtuar nga pritjet dhe kërkesat e grupeve të caktuara (klientiliste) të shoqërisë duke injoruar kërkesat dhe pritjet publike të shoqërisë kosovare. Partitë politike në Kosovë kanë dështuar që të integrojë interesat e ndryshme të qytetarëve kosovar në një përfytyrim të përbashkët për politikën, në një program politik.

Lidhja “padronë – klientë”

Shumica e partive politike në Kosovë (përjashtim mund të bëjnë partitë e vogla dhe ato të reja) lidhjet e tyre me qytetar i kanë të bazuara në lidhje klienteliste, pra në lidhje “padronë – klientë”. Klientilzimi është një praktikë karakteristike për shtete me ekonomi dhe demokraci të pazhvilluar. Në këto vende liderët politikë apo “shefat e mëdhenj” e kontrollojnë tërësisht pjesëmarrjen e qytetarëve në politikë duke i kushtëzuar ata në forma të ndryshme me të “mirat e pushtetit”.

Kjo lloj praktike tashmë ka marrë formë edhe në shtetin e ri të Kosovës. Duke qenë se partitë politike nuk janë parti tamam demokratike ato edhe shfrytëzojnë çdo formë për të ruajtur lidhjet e tyre klientiliste me qytetar, shpeshherë në rajone apo bastione të tyre politike prej nga vinë shumica e liderëve të “fortë”. Këto lidhje janë të bazuara tërësisht në interesa të dyanshme, por që natyrisht që “të mëdhenjtë” përfitojnë ma shumë se sa të “vegjlit”. Klientët e tyre janë zakonisht njerëz me të ardhura të vogla ekonomike (por edhe njerëz nga biznesi të cilët përfitojnë nga pushteti në mënyra të ndryshme) ndërkohë që patronët e tyre janë në pozita të larta shoqërore siç janë ta zëmë kryetar komune, sekretar të ministrive, zv. ministra apo ministra, por edhe në nivele edhe më të larta në sistemin politik.

“Kon e ki në qeveri?” po e pyeste një komisionar i një partie komisionarin nga një parti tjetër në njërën nga videot që po qarkullon në internet të shpërndarë nga aktivistë dhe gazetarë nga zgjedhjet e fundit në Kosovë. Pyetja se “kon e ki në qeveri” (“kush është padroni yt?”) tregon më se miri ketë fenomenin e klientilizmit ne Kosovë. Këtij fenomeni të lidhjes “padronë – klientë” i ka ndihmuar mjaft shumë edhe fakti që Kosova është një vend i vogël me familje të mëdha dhe lidhje të forta tradicionale shoqërore. Ky fakt ua lehtëson këtyre “padronëve” t’i gjejnë “klientët” e tyre për t’iu ‘shërbyer’ me diçka nga pushteti i tyre dhe për të fituar mbështetjen (me vota) dhe ndihmësen në shpërndarjen e “vlerave politike” të tyre.

Të gjitha këto probleme duke përfshirë edhe humbjen e legjitimitetit me zgjedhjet e fundit kanë dëmtuar, veç tjerash, ngritjen e demokracisë në Kosovë. Tani partitë politike që ishin në pushtet, por edhe ato që janë në opozitë, kanë humbur çdo lidhje me qytetarë të zakonshëm (e të pavarur) dhe me ata që refuzojnë të bëhen pjesë e këtij rrjeti “padron – klient” sepse ekziston një diskrepancë e theksuar në mes asaj se çka qytetarët presin dhe çka në të vërtetë partitë politike ju ofrojnë. Ato në fakt ofrojnë diçka, por zakonisht për klientët e tyre.

(Autori momentalisht jeton ne Suedi ku ndjek kurse për gjuhen dhe shoqërinë suedeze në Linnéas University në Vajxö)

Exit mobile version