Site icon Telegrafi

Kur (pu)shteti nuk është në shtëpi

Kurrqysh nuk po e kuptoj çka ka shoqëria civile këto ditë? As opozita! Pse po ankohen?! Kurrë s’e kanë pasë ma “rahati”!Krejt, të cilët nuk po kanë qejf me i pa me sy, as në TV apo në parlament, e le më “live” nuk janë këndejpari. Kanë shkuar në … Amerikë. Disa, nëpër facebook po i urojnë sikur haxhinjtë kur shkojnë në vendin e shenjët. Kritikët po thonë se është shkelur protokolli i shtetit. Ani çka?! Tash … a po doni të kthehen apo të rrinë atje?! Kush e kupton opozitën ?!

Përndryshe në shtet nuk po hetohet aspak mungesa edhe pse pjesa më “vitale” e qeverisë, presidencës, parlamentit kanë shkuar për udhë. Jo vetëm udhëheqësit por edhe këshilltarët kryesorë. Këndej çdo gjë po duket normale. Jeta po rrjedh binarëve të vet. Ndoshta është vetëm një shprehi prej viteve të 90-ta kur jeta ecte paralel me shtetin. Populli s’e nguc shtetin nëse shteti se ngucë popullin. Ndoshta për herë të parë pas një kohe të gjatë po ndihet një normalitet.

Veç “Vetëvendosja “ nuk rri rahat, por nuk po na len me e shijue çastin! Si po thonë ata, po i përshtatë emrat e institucioneve me realitetin. Për shembull, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik e riemëroi në Ministri të Shkatërrimit Ekonomik. Populli ndërkohë po merret me probleme më serioze. Dje, dy miq të mijë po polemizonin me zë rreth një dileme të madhe! Flokët e Labit! U zbardh krejt- po thoshte njëri nga ata, por i paska ngjyrosur me të zezë! Tjetri kategorikisht e mohonte të parin duke thënë se vetëm e ka kthye ngjyrën natyrale. Thinjat e Labit, paskan qenë artificial –sipas tij. U thashë: shkoni e pini nga një kafe me Labin e ai ua zgjidhë dilemën. “Nuk dimë të këndojmë”, thanë ata me dëshpërim! Nuk jemi VIP-a! Te ne vetëm kush këndon është VIP! S’ka trashëgimtarë të pasur sikur në vendet me traditë! Ne sapo e kemi bërë shtetin!

Por, të kthehemi në realitet, në një dimension tjetër të botës tonë të vogël, të spektaklit. Nëse mungesa e kreut të shtetit nuk hetohet fare, kjo shtron para nesh shumë dilema funksionale por edhe kushtetuese! Prandaj kjo bëhet e rëndësishme sidomos në situatën e “blokimit” të procesit të ndryshimeve kushtetuese. Po të mos kishte shkuar edhe “aga” Isë jashtë, në Angli, ndoshta e kish t’fillue procesin e ndryshimeve në mungesë të kreut të (pu)shetit. Kur të kishin ardhur këta, e kishin gjet çdo gjë gati. Veç me e ndezë në çelës!

Nganjëherë po më mbushet mendja, se ndoshta do të ishte më mirë me e hjekë krejt pozitën e presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit . Edhe pa ta po bëjka!

Por nuk e kam fjalën për askënd personalisht, sepse në rrethana të tjera secili nga këta do të mund të ishte ndoshta një arsimtarë i mirë i historisë, ndonjë lënde tjetër shoqërore, apo ndonjë zanat tjetër por kësaj radhe po flas për mendësinë tone si dhe raportin tonë me institucionet dhe përgjegjësinë.

Kështu, propozoj që me i mbajtë veç postet e domosdoshme. Por si të bëjmë me këta që janë aktualisht në pozita? Ata megjithatë janë zgjedhur nga dikush, edhe pse ndoshta dikushi tashmë nuk është kësajde! Asnjëri prej tyre nuk jep dorëheqje vullnetarisht. Duhet me ba pazar, me u garantue diçka ! Duhet, njëfarë imuniteti!

Për zv. Kryeministrin nuk po flas, ai ia bën qaren edhe vendin veti. Por kryeministri dhe presidentja duan trajtim të veçantë. Për presidenten veç po flitet se po i pregatitet një post në Evropë. Krejt kjo për me e lirue vendin, për me i mundësue kombinimet vendore – ndërkombëtare për qeverinë e re.

Vetëm Kryeministri ende paraqitet me problem. Ish- krye ambasadori patë thenë se ka reputacion të keq te ndërkombëtarët. Duket se ka qenë i informuar mirë! Por … diplomacia perëndimore është plot imagjinatë dhe pragmatike. Dikur për shembull për një ish-ministër kishte diskutime dhe dilema, a me dërgue ambasador në Uashington, në Tokio, apo në Dubravë! Ai zgjodhi…Dubravën! Burgun shtëpiak, në fakt!

Unë, si qytetar i brengosur i këtij vendi e kam një ide. Propozoj që kryeministrin tone me e dërgue administrator të përkohshëm të Sirisë. Pasi diktatori Asad të ketë dhënë dorëheqje apo të jetë rrëzuar dhunshëm nga opozita, ata duhet të ndërtojnë prej fillimi shtetin demokratik. Duhet të ketë një qeveri të përkohshme! Pastaj edhe atje duhet të demilitarizojnë ushtrinë çlirimtare të Sirisë dhe duhet që komandantët lokal me i ba kryetar komunash ose biznesmen. Me i pasurue! Me i formue nja 12-13 komisione antikorrupsion derisa korrupsioni të lulëzojë plotësisht. Edhe militantët islamik duhet me i përfshi në qeveri , në segmente ku mund të korruptohen por nuk mund të rrezikojnë shtetin.

Duhet të reorganizojnë edhe nëntokën, përfshirë këtu edhe profiterët e luftës, të cilët duhet t’i integrojnë në sistem si biznesmen të ndershëm. Edhe Dubai është afër, në rast nevoje!

Pra, propozoj që kryeministri ynë të jetë “Kushneri” i Sirisë.

Pastaj krijohet hapësirë për me u kompletue ekipi. Mund të dërgohet si ndihmesë edhe ndonjë ish-ambasador me përvojë nga vendet si Zimbabveja për shembull. Ai do të ishte “magjistari” atje! Ai që nxjerr lepuroshët nga kapeleja dhe argëton popullin e lumturuar! Pastaj popullit, apo më mirë me thënë kombit, i duhet edhe një autostradë kombëtare prej Stambolli e deri në Tripoli, që me të gjitha analizat do të rezultonte e domosdoshme. Kur të formohet AKM-ja e atjeshme, sistemi tashmë ka marrë formë! Veçse atje do i thonë ASM!

Mos mendoni se po kjo çfarë po propozoj është diçka krejt e re dhe origjinale! Nëse shikojmë në “thellësinë strategjike” të historisë sonë do të gjejmë personalitete shqiptare që lanë namë nëpër botë duke udhëhequr në emër të sulltanit. Aq shumë sa nuk patën kohë me e ba Shipninë, derisa ish perandoria u kalb vet dhe u rrëzua, e ne mbetëm…!

Edhe patrioti i madh Vaso Pasha, autori i poezisë së famshme “O moj Shypni” ishte guvernator i Libanit, në emër të Sulltanit. Edhe Ali Pasha, sundoi një kohë të gjatë në emër të Sulltanit, pastaj u rrebelua. Edhe Mehmet Ali Pasha! Ect…!

Nejse , veç një ide ishte! Këta këndej si duket i përkthejnë vetëm shkrimet proqeveritare, kështu që nuk besoj që kjo ide do të mbërrijë deri “te veni”. Sidoqoftë po e ndaj me lexuesit. Kurrë nuk i dihet, ndoshta dikush vërtetë po na “vëzhgon”! Vëllai i madh, mbase!

Qysh po e shihni edhe vet, mungesa e (pu)shtetit nuk po hetohet fare! Vështirë me e kuptue se a është krejt kjo mirë apo keq, në këtë botë përplot turbulenca!

Derisa po e mbyllë këtë kolumne, kryeparlamentari tashmë u kthye duke sjell pak gjallni dhe shpresa se edhe “Vëllazëria muslimane” do të fillojë të na njohë, duke e “rrëzuar” kështu dominon e parë afrikane të refuzimit!

Numrat po na duhen, njeri! Kështu po më thoshte një mik, ish- diplomat profesionist, gjithnjë duke shprehur frikë se mos “po na e lëshojnë mjekrrën”!
 

Exit mobile version