Site icon Telegrafi

Çfarë ndodhi me Facebook, Instagram dhe WhatsApp?

Na ndiqni në dy llogaritë tona në Twitter, Telegrafi.com dhe Telegrafi Sport.

Facebook, Instagram dhe Whatsapp janë jashtë funksionit, për më shumë se katër orë.

Tri aplikacionet që janë në pronësi të themeluesit të Facebookut, Mark Zuckerberg, veprojnë në një infrastrukturë të përbashkët, nuk janë të qasshme për përdoruesit që para orës 17:00, transmeton Telegrafi.

Përdoruesit e Facebook fillimisht hasën në një mesazh se ueb-faqja nuk është duke funksionuar, ndërkohë që në Instagram dhe WhatsApp nuk mund të postohej, dërgohej apo pranohej ndonjë mesazh apo përmbajtje tjetër.

Lexo po ashtu Fillojnë talljet dhe ironizimet në llogari të Facebook, Instagram dhe WhatsApp

Një orë më vonë, gjiganti i rrjeteve sociale reagoi me anë të një postimi në llogarinë e tyre në Twtter, duke shkruar se janë në dijeni për këtë problem dhe janë duke punuar në rregullimin e tij.

Megjithatë, përdorues të shumtë zbuluan se bëhej fjalë për një ndërhyrje në DNS serverët, dhe kjo është duke i pamundësuar atyre të qasen në faqe.

Kompania qëndron shpesh misterioze duke mos treguar shkakun e ndonjë problemi të caktuar, madje edhe pasi ta kenë rregulluar atë.

Në vitin 2019, Facebook pësoi rënien më të madhe ndër vite, duke qëndruar jashtë funksionit për më shumë se 24 orë. Me të zgjidhur këtë problem, kompania shkroi se ishte vetëm një “operacion rutinor i mirëmbajtjes”.

Lexo po ashtu ​Eksperti i sigurisë: Të dhënat e përdoruesve të Facebook u shitën në një forum hakerësh

Tani, sipas raportimeve të ndryshme, problemi është i lidhur me DNS serverët që funksionojnë në atë mënyrë, që kur lexuesit kërkojnë për shembull: Facebook.com në shfletuesit e tyre, atëherë kjo kthehet në një IP adresë me disa numra në mënyrë, që të ofrohet qasja në të dhëna dhe të shohim atë që kemi kërkuar.

Meqenëse Facebook është jashtë funksionit dhe sistemi nuk funksionon, kërkimet nuk funksionojnë, pasi përmbajtja nuk është në dispozicion. Serverët e Facebookut duhet ta ofrojnë këtë, por e gjitha që shfaqet është një kod që lë të kuptohet për një problem.

Në aplikacionet si WhatsApp dhe Instagram, ne mund të shohim përmbajtjet e parapara, por nuk jemi në gjendje t’i kërkojmë serverëve të Facebookut për përmbajtje të re.

Telegrafi do t’ju mbajë të informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version