Site icon Telegrafi

Kur pritet të ketë aktakuza nga Gjykata Speciale, flet zëdhënësja Griep

Gjykata Speciale edhe në këtë kohë të pandemisë COVID-19 po funksionon dhe kryetari i Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqyrtuar aktakuzat e paraqitura nga Prokurori i Specializuar.

Kështu ka thënë për Telegrafin në një përgjigje me shkrim, Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Gjatë fazës së konfirmimit, përpara se aktakuza të bëhet publike, kryetari i Dhomave të Specializuara të Kosovës cakton një gjykatës të procedurës paraprake, që do të shqyrtojë provat që mbështesin një aktakuzë me qëllim që të vendoset nëse ekziston dyshimi i bazuar kundër të dyshuarit. Në këtë pikë, aktakuza e pakonfirmuar është rreptësishtë konfidenciale. Gjykatësi i procedurës paraprake ka afat deri në gjashtë muaj të marrë një vendim nëse konfirmon ose hedh poshtë aktakuzën” ka thënë Griep.

Gjithashtu ajo ka bërë të ditur se përkundër pandemisë COVID-19 ky institucion ka prezantuar masa në të gjithë organizatën për t’iu përgjigjur situatës në përputhje me rekomandimet dhe vendimet e autoriteteve përgjegjëse të shëndetit publik, duke ruajtur gjithashtu vazhdimësinë e funksionimin e plotë.

“Këto masa përfshijnë punë në distancë dhe takim kur është e mundur. Përkundër rregullimit në metodat e punës gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme, KSC vazhdon të ecë përpara në përmbushjen e mandatit të saj”, ka thënë zëdhënësja Griep për Telergafin.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Dhomat përkojnë me çdo nivel të sistemit të gjykatave në Kosovë. Ato u formuan në bazë të Amendamentit Kushtetues dhe Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për gjykimin e pretendimeve të paraqitura në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Dhomat janë të përkohshme dhe me mandat e juridiksion të përcaktuar, konkretisht për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera të përkufizuara në Ligjin e Kosovës, të cilat pretendohet se janë kryer midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.

Ligji mundëson që proceset gjyqësore të mbahen jashtë Kosovës.

Dhomat e Specializuara e kanë selinë në Hagë dhe punësojnë gjykatës, prokurorë dhe punonjës ndërkombëtarë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version