Site icon Telegrafi

Kur (para)politika huazon uniformën e alibisë

Aksioni për inspektimin e lokaleve që ”rastësisht” u zhvillua në disa vendbanime shqiptare, mund të jetë gjithçka, por nuk mund të ketë kurrfarë lidhje me qëllimin e paramenduar – që të gjejë ndonjë parregullsi në punën e këtyre lokaleve. Dikujt nga kupola e shtetit në Shkup i është tekur të demonstrojë muskuj pikërisht këto ditë kur mediat kanë njoftuar për disa lëvizje në terren të së ashtuquajturës “Gardë të Republikës së Iliridës”.

Ndodhja e disa inspektorëve civil të UJP-së si figurantë në skenat horror, ku dominonin disa “gorilla” të fshehur pas fodullëkut të uniformave speciale, shfaq në prapavijë psikologjinë arkaike shtetërore të Gruevskit për të futur edhe njëherë në përdorim shkollën pashiqiane të nënshtrimit të shqiptarëve.

Ky demonstrim kaq vulgar dhe i njëanshëm i resurseve represive shtetërore, në kohën kur në koalicionin qeverisës të Shkupit ende ndodhet (së paku në kuptimin formal) edhe një partner shqiptar, flet për anën e errët të një realiteti politik, i cili sa është bizar për nga jashtësia, po aq është i kalbur nga brendësia.

“Furtuna urbane” e mbrëmshme Gruevskit që rezultoi të jetë një reprizë e një “furtune malore” të para do vitesh, atëherë kur partner kishte një grupacion tjetër politik shqiptar, është edhe përgjigja më e mirë ndaj atyre që pa fijen e përgjegjësisë morale, politike e njerëzore lexojnë deklarata nëpër sheshe kasabash prej ku marrim vesh se “tash e tutje jetuakemi në njëfarë Republikë të Iliridës, ku gjithçka është nën kontroll dhe, madje mund të flejmë zbathur, pa çorapë…”.

Se nuk është mirë të bëhet hajgare me ide të mëdha politike e kombëtare, na tregoi mbrëmë Gruevski dhe ekipi i tij që po merret me hapjen e vrimave të reja për shqiptarët. Për pushtetet autoritare që janë të prirur të mbështesin aksionet e tyre policore mbi alibira të shpifura, ky mund të jetë momenti “më i përshtatshëm” për të rikthyer dinjitetin e nëpërkëmbur të aparatit shtetëror, atëherë “kur këndohej një këngë tjetër” në malet e Sharrit dhe Karadakut. Ndërkaq, ata që “kanë pa ëndërr” se aventurizmi politik është zëvendësim i kollajshëm i veprimit të lodhshëm legal e legjitim institucional, kishin rastin të ballafaqohen me realitetin bizar të një skenografie banditeske shtetërore, brenda së cilës ksihte edhe sasi të pakontrolluara të bashkëfajsësisë politike shqiptare.

Nëse ata që blenë rroba dhe maska të lira në tregun klandestin të parapolitikës, e kishin për qëllimin ta “ngucin ariun” aty ku s’duhej, kjo nuk e arsyeton indiferencën e gjithë atij kontigjenti politikbërësish të talentuar shqiptarë që përmes votës së lirë kanë premtuar se do të demonstrojnë kapacitete të larta të përfaqësimit politik e institucional, madje edhe duke flijuar pak komoditetin e të qenit vëzhgues dhe sehirxhijë të ‘’stuhive urbane’’ të Gruevskit.

Një pamje tjetër e Maqedonisë, çfarë po synohet të disenjohet nga ”të vonuarit e proceseve” të mëdha politike, nuk mund të imponohet si zgjidhje më e mirë, përderisa në fuqi janë ende rregullat e demokracisë dhe lojës politike, për të cilat jo të gjithë njësoj mbajnë llogari se në ç’drejtim po lëvizin. Është kjo edhe një detyrë e vështirë që po iu imponohet gjithë atyre që nesër duhet të vendosin se kujt t’i delegohet besueshmëria e përfaqësimit pak më dinjitoz dhe cilësor.

Politika e keqe ka qenë gjithmonë një mitër nepsqare që në vazhdimësi ka ”pjellë” këlyshë të frikësuar nga ulërima e ujkut.
 

Exit mobile version