Site icon Telegrafi

Kur optimizmi teprohet!

Nëse i hedhim një vështrim sfidave të popullit tonë ndër vite, do të gjejmë se nëpër të gjitha sfidat në të cilat ka kaluar populli jonë, gjithmonë shpresa për një ditë më të mirë ka qenë ajo që e ka mbajtur të gjallë dhe aktiv këtë popull, i cili të ardhmen dhe perspektivën e tij e ka shikuar përmes dritares së optimizmit dhe jo të pesimizmit.

Kosovarët njihen si një ndër popujt më optimistë dhe kjo vërtetohet kur analizohet gjendja apo situata në të cilën gjendemi ne sot. Pavarësisht këtyre rrethanave, ky popull nuk dorëzohet lehtë dhe shpresa nuk i humbet as edhe për një moment. Ndoshta shpresa si element, është faktori prej më të rëndësishmëve që e mban popullin tonë stoik dhe të qëndrueshëm në arritjen e objektivave dhe qëllimeve të veta.

Shpresa për të ardhmen dhe arritja në qëllimin kryesore të Kosovës që si cak të saj e ka vendosur integrimin në BE, patjetër se ka nevojë për një optimizëm të fuqishëm i cili i shërben përpjekjeve të mëdha dhe të gjata për arritje në atë synim.

Faza në të cilën aktualisht gjendet vendi ynë, në teori njihet si “faze tranzitore” apo tranzicion, e që i bie se Kosova po kalon nga një sistem shtetëror dhe institucional, në një sistem tjetër. Por, gjendja e tashme që është pothuajse statike dhe gati gjithnjë e njëjtë, ka bërë që kjo fazë për vendin tonë të jetë një tranzicion monoton apo një “ndryshim i pandryshuar”, për të mos thënë se jemi ne një trend negative të tranzicionit (ndryshimit).

Ani pse optimizmi shumicën e herëve është pozitiv, sepse sjell aktivitet dhe jo pasivitet, tek ne ky “optimizëm i tepruar” po sjell refleksione negative. Krejt kjo ngase kjo shpresë në kontinuitet edhe e madhe në sasi, ka bërë që populli ynë optimizmit t’ia bashkojë edhe kotjen apo gjumin, i cili nuk po i jep hapësirë dhe mundësi qytetarit tonë të merr masa apo të ketë ide revolucionare, që do t’ia mundësonte ndonjë ndryshim eventual të gjendjes së vendit te tij.

Sipas psikologjise thuhet se kur optimizmi teprohet, ka gjasa të ketë pasoja më shumë sesa një pesimizëm real (i vërtet).Optimizmi i tepërt paraqet një hendek për arritjen e ndryshimeve pozitive brenda shtetit, për arsye se ai hedh pajtim me gjendjen e jetesës me të cilën ballafaqohet qytetari për çdo ditë, edhe pse ai se pëlqen fare gjendjen në të cilën gjendet.

Në vendet e zhvilluara, por edhe në vendet në zhvillim, qytetari është një lloj auditori i cili mbikëqyrë secilën lëvizje, secilin plan apo vendim të cilin e marrin udhëheqësit e shtetit te tij. Vështirë është të kuptohet se si mundet që qytetari të jetë i vetëdijshëm se vendi i tij është vend në zhvillim e sipër dhe është vend që ka nevojë për ndryshim të thellë. Me gjithë këtë ai pajtohet me mos zhvillim dhe me mos ndryshim të situatës së vendit të tij.

Këto janë pikëpamje nga konteksti i qytetarit, por nëse analizojmë pasojat e teprimit të optimizmit tek udhëheqësit e popullit, do të shohim se optimizmi i tepruar shfaq pasoja në sjelljet e pushtetarëve edhe politikanëve në përgjithësi. Kjo sepse kur qytetari pajtohet me gjendjen e tij dhe ka shpresë të tepërt, kjo bën pushtetarin të ndihet komod me situatën e tanishme, dhe me punën e tij në përgjithësi (edhe pse qytetari ndoshta nuk pajtohet fare me qëndrimet e tij dhe as me punën e tij). Pra, optimizmi i tij është ai që nuk e lejon ta shpreh pakënaqësinë me punën e qeveritarëve. Pra, një optimizëm i tepruar i qytetarit reflekton me shtangim dhe paralizim të sjelljeve të institucioneve.

Një paradoks tjetër është edhe fakti se si me gjithë këtë klasë politike të njëjtë dhe shpeshherë monotone, por edhe me faktin se gati në secilat zgjedhje elektorale, kemi të njëjtën fletëvotim, vetëm me ndryshimet e numrave të partive, dhe prapë qytetari gjen vullnetin për të dalë në zgjedhje dhe për ta dhënë votëbesimin e tij. Ndoshta është për shaka, mirëpo është një realitet i hidhur kur dëgjojmë se individë të ndryshëm votojnë nga tre apo katër herë dhe përsëri mungon zgjedhja e partisë apo e politikanit te duhur.

Kjo nuk duhet kuptuar si një thirrje për pesimizëm, por për vetëdijesim qytetar dhe për të kuptuar realisht fuqinë që e posedon qytetari, sepse ai është shtylla e pushtetarit, dhe lirisht mund të quhet “pushtetar mbi pushtetarin“. Dhe, në fund, më e mira e optimizmit do të ishte bashkëdyzimi në mes të dy komponentëve – optimizmit dhe punës.

Exit mobile version