Romë, vitet 451-449 para Krishtit: Senati i Romës Republikane ngarkon 10 magjistratë “decemvirët”, për të transkriptuar në 12 tabela, që nuk ishin gjë tjetër veçse 12 pllaka bronzi, normat ndëshkuese dhe rregulluese të shoqërisë së asaj kohe, civile apo penale të ishin ato. 12 tabelat u vendos të vareshin kudo nëpër vende publike, në mënyrë që të lexoheshin e të kuptoheshin nga e gjithë qytetaria.
Deri në atë kohë, edhe në Romën e lashtë mbretëronte e drejta zakonore, e përcjellë gojarisht nga njëri brez te tjetri. Kjo e drejtë, në përmbajtje të saj, nuk ishte gjë tjetër veçse ai grup dokesh morale, fetare dhe juridike, të bëra një trup, sikundër Kanuni ynë, që ndër të tjera rezulton të jetë tepër i ngjashëm me to. Këto norma quheshin “mores maiorum” (përafërsisht-këshilla të të urtëve) dhe mbi bazën e tyre interpretohej nga magjistratët vendimmarrja për çështjet në konflikt. Ndryshimet, për ta bërë normën juridike të lexuar dhe të njohur nga gjithkush, u kushtëzuan nga luftërat e plebenjve për të detyruar vendimmarrësit patricë që të gjithë këtë proces ta bënin në emër të rregullave dhe normave të shkruara.
Arsyeja?
Sepse për popullin e Romës, norma e thënë gojarisht nuk ishte njësoj si norma e shkruar, pasi kjo e fundit njëherë e njohur dhe e garantuar, nuk lë mundësinë për ta interpretuar sipas interesit të atyre që kanë pushtetin për të marrë vendime. Ligji duhet të respektonte parimet e sanksionuara në të: qartësinë juridike, barazinë e zbatimit nga të gjithë dhe ndaj kujtdo, dhe mbi të gjitha të garantonte popullin që asnjë organ, shtetëror apo privat, të mos merrte vendime që tejkalonin apo keqpërdornin caqet e përcaktuara në të. Ky fakt historik në të Drejtën Romake, që shumëkush e njeh si Ligji XII i tabelave, njihet si risia e parë e botës së qytetëruar për të shkruar normat juridike dhe të drejtën në përmbajtje të saj. Pra, këtu e rreth tre mijë vjet më parë, Romakët i dhanë ligjit pushtetin absolut, mbi të cilin nuk duhej të dilte asnjë individ dhe asnjë strukturë shtetërore.
Tiranë, vitet 2016-2020 pas Krishtit: Senati në Tiranën e Shqipërisë parlamentare vendos të dalë mbi ligjin më të lartë të shtetit, në mënyrë që simetrikët e tyre të gjyqësorit, në trekëndëshin e të ndarjes së pushteteve, të ndëshkoheshin për hajdutëri, edhe pse llagapin “alla frënga” ia thonë korrupsion. Institucione që vepronin në emër të ligjit dhe nene ndëshkuese kishte plot Kodi Penal, por ligjvënësit tanë e gjykuan të arsyeshme, që mbi buxhetin e shtetit më të varfër në Evropë, të paguheshin një seri institucionesh të ngritura apostafat, për të marrë të njëjtin rezultat që do të jepte një institucion ekzistues, i përbërë nga një shpurë njerëzish me integritet dhe profesionalizëm. Vetëm kaq dhe vetëm për kaq e ndryshuan ligjin e ligjeve (Kushtetutën), dhe me instrumentin më të paprekshëm që duhet të ketë një shtet, po ligjin, sot gjyqësorin e kanë lënë si një invalid tetraplegjik.
Në po të njëjtin hark kohor, senati në Tiranë, i mbetur vetëm me votën plebishitare “të të urtëve”, një amalgamë që merr lëndën e parë nga përzierja e partive mëngjarashe me fundlistat e centristëve, të shartuar me djathtistët, ka kaluar dhe vazhdon të kalojë një numër ligjesh, në të gjitha ato fusha ku spikat qartazi interesi largpamës i futjes së parave publike në xhepat e politikanëve, nëpërmjet ekzekutimit të punimeve nga oligarkët pranë tyre, me duart e investitorëve të huaj. Por nuk mbaron këtu: po nëpërmjet ligjit, mjetin që jo vetëm diktaturat, por edhe demokracitë liberale, e njohin si shtyllën ku mbahet shteti, edhe i parë në kontekstin e forcës, edhe i parë në kontekstin e respektit absolut ndaj tij, senati i “të urtëve” miraton koncesione publike për të paguar shteti privatin dhe jo privati shtetin, rrafshon prona publike për interesa private, u fal porte kombëtare spekulatorëve të huaj duke shkelur marrëveshje të nënshkruara ndërkombëtare, lëshon aeroporte te biznese shqiptare që në kurrikulën e tyre profesionale kanë vetëm kontrabandën e lëndëve djegëse, dhuron afera e territore të Shqipërisë për të bërë qoka ndërkombëtare, për aq sa beson se dikush edhe i fut në kandarin e strategjive të tyre gjeopolitike.
Pra, këtu e dymijë vjet pas Krishtit, senatorët shqiptarë tregojnë se ndaj ligjit jo vetëm nuk kanë as frikë dhe as respekt, por me ligjet e miratuara prej tyre “sipas trupit të politikanëve” vetë strukturat shtetërore i përdorin për të legjitimuar vjedhjen e pronave publike, që kanë çuar deri në cenimin e territorialitetit dhe të integritetit të shtetit shqiptar.
Kanuni është një përmbledhje ligjesh pa datë lindje, po aq apo edhe më shumë i vjetër sa ligjet e Romës antike. Nuk është vetëm shqiptar, por nën emërtime të ndryshme ka shoqëruar rritjen dhe transformimet e shumë shoqërive, edhe nga ato që sot i njohim si më të civilizuarat. Ka lindur dhe jetuar në ato shoqëri ku shteti, si një grupim politik, nuk ka ekzistuar dhe me qëllimin e vetëm për të mbajtur rregullin, paqen dhe rendin publik. Kështu, kur shteti nuk ekzistonte si strukturë, shoqëria ndërvepronte sipas solidaritetit mekanik, d.m.th, nxirrte vetë rregullat e bashkëjetesës në gjendje kaosi.
Në këtë mënyrë lindën rregullat kanunore (të së drejtës zakonore), të cilat ishin të vetmet mekanizma ligjore për të bashkërenduar jetesën në komunitet. Kur shteti u veçua si një grupim dhe mori në dorë policimin, atëherë pushtetin për të vënë rregullin dhe rendin publik e mori vetë shteti dhe shoqëria kaloi në solidaritetin organik, d.m.th., vënien e drejtësisë e mori shteti përsipër, jo individi me individin. Kjo është ajo çfarë në mënyrë të thukët teoritë e sociologëve të famshëm Weber dhe Durkheim na thonë. Edhe në Shqipëri, Kanuni ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë, sepse nuk ka parë asnjëherë që shteti, në historinë e tij të shkurtër si strukturë politike, të jetë në anën e qytetarëve (!), pra, të marrë në dorë zgjidhjen e halleve të tyre, në kuptimin e gjerë. Kjo besohet si teza më e qenësishme dhe e bazuar, duke bërë një gjykim të kthjellët, larg keqpërdorimit që i bëhet Kanunit, duke i veshur atij edhe vrasjet më banale që nuk kanë as lidhje dhe asnjë bazë ligjore apo morale me filozofinë e tij.
Mosekzistenca e shtetit shpërfaqet në trajta të ndryshme në etapa të ndryshme të historisë së tij. Sot, shteti shqiptar është inekzistent, jo sepse nuk ka një strukturë, por sepse duke mos vepruar në interes të qytetarisë, apo më keq akoma, duke vepruar herë me dashje dhe herë me indiferencë të plotë kundër interesave të qytetarëve, në kundërshtim me pritshmëritë dhe organizmin më minimal të ekonomisë, keqmenaxhimin e saj për interesa klienteliste, përfshirjen e tij drejtpërsëdrejti në afera kriminale, kombëtare e ndërkombëtare, janë një arsye më shumë që sot shqiptari të ndihet i braktisur dhe të shohë te shteti një ndër armiqtë e tij më të përbetuar për situatën e gjithanshme ku ka përfunduar.
Nëse politika e bërjes së shtetit do të vazhdojë në këtë hulli, dhe nëse Zoti nuk i ndëshkon edhe njëherë shqiptarët nën një formë të re diktature, modeli i vetëm i ecurisë politike dhe ekonomike do të jetë ai i shoqërisë kaotike, ku Kanuni bëhet i vetmi mjet rregullator. Sikur këtij fakti, t’i shtohen edhe interesa gjeopolitikë të fqinjëve ballkanas, imagjinoni një shoqëri ku secili do të pajiset më armë për të mbrojtur nderin dhe pronën, nëse do t’i kemi akoma. Modelet e dritareve do të adoptojnë frëngjitë, ndërkohë që marrëveshjet ndërgjyqëse do të kalojnë vetëm nëpërmjet tytës së pushkës. Për marrëdhënie ndërkombëtare tregtare apo shkëmbimi nuk do të ketë më vend, pasi në rastin më të mirë do të jemi spektatorë të luftërave ballkanike bis. Regresi dhe mohimi i çdo vlere kombëtare do të jetë i pandalshëm.
E ardhmja e afërt ka projektuar barra të rënda të qytetarëve të këtij vendi dhe klasës politike që do të dojë të drejtojë këtë popull. Sot, është një moment ku secili shqiptar, me votën në dorë, shënon si askurrë në historinë postkomuniste, fatin e vendit të tij, në çështjet e brendshme dhe në arenën ndërkombëtare. Shoqëria shqiptare ka në dorë të vendosë midis ideologjisë në përmbajtje të “thesit me miell” apo shoqërisë së civilizuar. E para të ngopë barkun me dhjetë vakte bukë thatë, por duke ditur se, ata që të ngopin me lugë zbrazur sot, të marrin pronën e nderin pa pyetur për ligj a për zot nesër. Kështu që mjeti ligjor i vetëm që do të ketë në dorë votuesi për një grusht me krunde, do të jetë Kanuni. E dyta, të jep mundësinë të vendosësh të ardhmen tënde dhe të fëmijëve të tu, pranë njëri-tjetrit në një shtet që prosperon drejt zhvillimit dhe stabilitetit kombëtar dhe rajonal, ku të drejtën duhet ta japë vetëm ligji, që duhet të jetë një dhe i barabartë për të gjithë. Ndërgjegjësimi është një çështje imperative.
Por ka një sfidë edhe më të vështirë klasa politike, e cila mendon të çoj përpara këtë vend. Paçka qëndrimeve politike, herë-herë të bëra me preference e hera-herës të bëra me interesa, qytetarët e këtij vendi janë në emërues të përbashkët për indinjatën ndaj klasës politike, e cila shpesh ravijëzohet e njëjtë, në terma të interesave klanore dhe atyre kleptokrate. Ndëshkimi i klasës udhëheqëse sot duhej të vlejë një leksion për atë që do marrë stafetën nesër (!). Por gjëja e parë që një klasë apo grupim politik i së ardhmes duhet të bëjë, është vendosja e ligjit në vendin dhe dinjitetin e tij historik dhe në filozofinë, për të cilin u krijua. Kjo, sepse, si asnjëherë në historinë e shtetit shqiptar, ligji nuk është përdorur si një mjet që të legjitimojë paradoksalisht me shkeljen e tij, vjedhjen e pasurisë kombëtare, dhe kjo të shpallet si e drejtë, madje edhe më keq, të shitet si vlerë!