Kosova organizoi dhe mbajti, me sukses, zgjedhjet e para të lira e demokratike, pas shpalljes së Pavarësisë. Ishte një vlerësim i përbashkët vendor dhe ndërkombëtar.
Dhe, të gjithëve, sikur, na gëzoi fakti që Kosova po jepte provimin e parë si shtet i pavarur dhe demokratik. Por, akoma pa përfunduar procesi, të pakënaqurit me rezultatet, që nisën t’ju përvijonin humbjen, nisën të mohonin atë që fillimisht kishin lavdëruar me mburrje dhe duke festuar.
Është normale që të paraqiten vërejtje dhe pakënaqësi zyrtare në parregullsitë eventuale, që mund të evidentoheshin në këtë organizim të parë zgjedhor dhe të zgjidhen, sigurisht, brenda rregullave dhe institucioneve të mandatuara përkatëse.
Megjithëkëtë, të fillosh mohimin serik pothuajse të të gjitha qendrave të votimin, përveç atje ku është fituar, nuk është as parimore dhe as e drejtë.
Kuptohet dëshira dhe pretendimi për të fituar. Ama, duhet jo vetëm të kuptohet, por edhe të pranohet edhe mundësia e humbjes. Ka kaluar koha kur një subjekt politik ka fituar absolutisht gjithmonë dhe absolutizmi i një partie ka perënduar njëherë e mirë edhe në Kosovë!
Është pretendim legjitim, për çdo politikan dhe subjekt politik, për të fituar, por vetëm duke iu nënshtruar votës. Ndryshe, nuk i jep të drejtë askujt vetëm dëshira, apo pretendimi për të fituar. Aq me pak, votën duke e mohuar! Jo! Sepse, vota shpreh vullnetin e sovranit, që përcakton jo vetëm fituesin, por edhe humbësin, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtat zgjedhje.
Mohimi i saj është dhunim i një vullneti sovran, përpara të cilit, çdokush duhet të verifikohet me respekt, sepse vetëm vullneti qytetar, i shprehur me votë të lirë e demokratike, shndërrohet në pushtet institucional qeverisës.
Vota nuk fitohet përmes mohimit. Oferta dhe alternativa më e mirë, kundrejt votuesit, përbën kontratën e besimit për qeverisje të mandatuar, nga qytetari për qytetarin. E drejtë, kjo, ekskluzive e vullnetit politik të qytetarit, ta besojë, a ta mohojë këtë votë.
Vota është e drejtë individuale, qe kur përmblidhet numerikisht në një shumicë, shndërrohet në forcë qeverisëse të vullnetit qytetar.
Respektimi i votës së lirë është përgjegjësi demokratike dhe ligjore. Mbrojtja e saj është detyrë politike, kurse garancia është vetëm institucionale. Dhe, kjo, pastaj mund të quhet fitorja më e madhe shtetndërtuese që mund ta ketë arritur Kosova.
Mohimi është negacion dhe nuk ka asnjë kuptim politik, që të fitohet me negativitet, si opsion, kur oferta pozitive e zhvillimit për qytetarin mungon.
Edhe roli i viktimës dhe viktimizimi, ka një kuptim politik nën okupim, por jo dhe sot më! Ndryshe, kjo duket absurd në raport me partnerin bashkëqeverisës, por dhe nga këndi opozitar i mirëfilltë në demokraci! Absurdi, bëhet dhe më i madh, kur, realisht, pranohen zgjedhjet, si të rregullta, vetëm në Prishtinë e Deçan, mbase dhe në Skenderaj!
Ishin zgjedhjet e para të lira dhe demokratike, që u organizuan, u mbajtën dhe duhet kurorëzuar me sukses, si sprovë e parë e shtetit Kosovë, që sapo ka lind.
Këtë realitet shtetëror, të ndërtuar me aq mund e sakrificë, është mirë, jo vetëm ta kuptojnë të gjithë, por edhe ta ndërtojmë e ta gëzojmë bashkërisht, qoftë nga pozita, qoftë nga opozita, të bindur para vullnetin përcaktues të qytetarit me votë!
Ishte sprova e parë serioze e Kosovës shtet dhe e kaluam me sukses solid, besoj! Urime Kosovë!