Telegrafi

Kur ‘misset’ e shteteve rivale pozojnë krah njëra-tjetrës (Foto)

Shpesh ndodh që personazhet VIP, përfaqësues të garave shtetërore në kompeticione ndërkombëtare, të mos kenë relacione të mira me përfaqësuesit e shteteve fqinje.

Por, kjo mesa duket nuk ka ndodhur mes dy bukurosheve përfaqësuese të Izraelit dhe Irakut në spektaklin e bukurisë “Miss Universe 2017”.

“Miss Iraku” dhe “Miss Izraeli” kanë pozuar pranë njëra-tjetrës në Instagram, teksa shfaqen të buzëqeshura dhe gjithë pozitivistet.

“Që ta dini, kjo është Miss Iraku dhe është e mrekullueshme”, ka shkruar në mbishkrimin e fotografisë 19-vjeçarja Adar Gandelsman, përfaqësuese e Izraelit në “Miss Universe” që këtë vit mbahet në Las Vegas.

“Paqe dhe dashuri nga Miss Irak dhe Miss Izrael”, ka shkruar Miss Iraku, Sarah Idan, në Instagramin e saj.

Reagimet për këtë fotografi kanë qenë të shumta, ndërsa vet “Miss Izraeli” është shprehur se imazhi nuk ka pasur qëllime tjera, por transmetimit të një mesazhi paqësor.

Në një shkrim që bëri më vonë në rrjetet sociale, ajo sqaroi se fotografia ”nuk ka për qëllim të dërgojë ndonjë sinjal në qeverinë e Izraelit dhe nuk do të thotë aspak që unë mbështes politikat e dy vendeve.”

Dy bukuroshet do të shfaqen në edicionin e 66-të të “Miss Universe”, i cili do të mbahet më 26 nëntor. /Telegrafi/