Site icon Telegrafi

Kur Milan Kunderën e ngatërruan me Kadarenë

Kjo intervistë është kryer nga Qirjakos Athanasiadhis me botuesen greke të Milan Kunderës, Eva Karaitidhi (nga Shtëpia Botuese “Hestia”), katër vjet para vdekjes së shkrimtarit të madh çeko-francez. Është botuar më 4 dhjetor 2019.

Përktheu: Aristotel Spiro  

Duhej të kalonin plot dyzet vjet që t’i kthehej shtetësia e atdheut të vet shkrimtarit më të madh çek në gjallje – dhe njërit prej shkrimtarëve me ndikim më të madh evropian – Milan Kunderës. Pa formalitete dhe pa asnjë lloj ceremonie, ambasadori çek në Paris kreu një vizitë në shtëpinë e tij dhe i dorëzoi certifikatën, duke i kërkuar njëkohësisht falje në emër të vendit. Mësohet se Kundera kishte qenë në gjendje të mirë shpirtërore dhe kishte falënderuar ambasadorin.

Në moshën nëntëdhjetëvjeçare, shkrimtari për herë të dytë çek, ka jetuar deri më tani gjysmën e jetës së vet në Francë, që prej vitit 1975. Regjimi ia hoqi shtetësinë në vitin 1979, ndërsa deri para një dekade ishte ende nën syrin vëzhgues të Sigurimit dhe detyrohej të bënte punë të çuditshme për t’u ushqyer. Qarkullimin e librave ia ndaluan.

Pas rënies së diktaturës, Kundera e vizitoi disa herë Republikën e Çekisë, duke parapëlqyer kryesisht Bërnon, qytetin e dytë të vendit dhe vendlindjen e tij. E vetmja gjë që ai bënte aty ishte të vizitonte farefisin dhe miqtë dhe lokalin e tij të vjetër – një birrari. Ai kurrë nuk ka marrë pjesë në asnjë veprimtari për nder të tij.

Sot kemi nderin e madh të flasim me Eva Karaitidhin, botuesen e Milan Kunderës në Greqi, si për këtë autor të madh ashtu edhe për titujt e fundit dhe të ardhshëm nga Shtëpia Botuese “Hestia”.

Cilat janë veçoritë kryesore të stilit të Milan Kunderës, zonja Karaitidhis? Çka e veçon atë?

Më lejoni të përgjigjem këtu si lexuese dhe jo si filologe apo redaktore. Nëse u hedhim një sy titujve të thjeshtë dhe të gjetur të librave të Milan Kunderës, kemi për të marrë menjëherë një ide të qartë për temat që e përshkojnë gjithë veprën, por edhe jetën e tij. Puna dhe jeta janë këtu në harmoni të përsosur. Koha – dhe e tashmja si një arritje e pamundur dhe shëlbuese e parëndësisë -memoria dhe kujtimet – dërrmuese e megjithatë përtej çdo nostalgjie – jeta si një përgjigje festive ndaj misterit të ekzistencës, humori i tmerrshëm që shëlbon, sensualiteti i lartë, mprehtësia politike, ndershmëria me çdo kusht. E shumë të tjera, me një frymë autoriale prej Evrope Qendrore por edhe me një njohuri të tretur mirë të letërsisë së shekujve evropianë. Një shkrimtar evropian, para dhe përtej epokës së tij.

Kundera është një nga të paktët që kurrë nuk u flijua për pará dhe famë – ai i ndaloi intervistat, paraqitjet televizive dhe të gjitha seancat fotografike për dekada me radhë. Në një nga rastet kur pata fatin ta takoja në Paris, e pyeta: “A të njohin në rrugë tani që nuk dilni më në fotografi”? Përgjigja ishte rrufeshgjetuese, por edhe kunderiane: “Hmm, jo … Edhe pse, tani që e mendoj, njëditëzaj një grua desh vrau veten duke i rënë rrugës mespërmes për të rënë në krahët e mi, duke më thënë: ‘Oh, sa mirë që po ju shoh nga afër, zoti Kadare’”.

A duhet ta njohin lexuesit e rinj? Çfarë kanë për të përfituar ata duke u njohur sot me një shkrimtar si ai?

Lexuesit e letërsisë mendojnë se nuk kanë epokë. Ata shijojnë Homerin dhe klasikët modernë me të njëjtin interes. Dhe, Kundera është një klasik. Magjia e letërsisë që bëhet klasike është se tek ajo puqen mendimi dhe ndjenja, forma dhe përmbajtja, historia botërore dhe momenti aktual. Po ashtu, Kundera na mëson etikën letrare në kuptimin më të gjerë. Janë të shumtë ata që nuk e dinë se për dekada me radhë ai nxori në dritë dhe bëri të njohur shkrimtarë të rinj (ndër ta Houellebecq-un), duke punuar si redaktor në Gallimard dhe duke frymëzuar diskutime dhe ngjizje mendimesh në një rreth të ngushtë, një anëtar i rëndësishëm i të cilit pati qenë dhe një grek, Laqis Prongjidhis (duke qenë vetë eseist dhe botues i një reviste të madhe, “L’Atelier du Roman”, së bashku me të shoqen e paepur Doris).

Sa ndikues ka qenë Milan Kundera si shkrimtar, si për lexuesit, ashtu edhe për bashkëkohësit e vet?

Kundera pati një ndikim të thellë në brezat e të ndjerit “socializëm real” dhe te lexuesit perëndimorë të po asaj epoke me humorin e tij katalitik, por mbi të gjitha me reagimin e tij të thellë ndaj çdo banaliteti dhe ndaj çdo totalitarizmi. Gjithashtu falë njëmështisë së tij veçantë në të shkruar dhe në të jetuar, me një kosto shumë të lartë vetjake, siç e dimë. Që atëherë, nëse ma lejoni oksimoronin, ai ka mbetur një monument referimi përherë i freskët.

Dhe, sa aktual është ai sot?

Aq aktual sa ç’është gjithmonë çdo shkrimtar i madh. Dhe, aq më tepër kur qëndrimi i tij thellësisht politik në jetë, pa predikime dhe nxitje fetare, përbën një shembull kyç në epokën e pas Luftës së Ftohtë dhe në perspektivat e reja.

Cilët nga librat e tij janë në qarkullim, cilët po lëvizin më shumë dhe cili është në listën e librave më të shitur nga botimet tuaja?

Sot qarkullojnë 16 libra të Milan Kunderës nga Shtëpia Botuese “Hestia”, pothuajse të gjithë përkthyer nga Janis H. Haris, i cili prej shumë vitesh bashkëpunon ngushtë me autorin. Së shpejti ka për të dalë “Pavdekësia” në një përkthim të ri nga J.H.H. Siç mund të pritet, librat e fiksionit të pastër – sepse esetë e Kunderës janë gjithashtu letërsi e lartë – zënë vendin e parë në parapëlqimet e lexuesve. I pari në qarkullim është gjithmonë “Lehtësia e padurueshme e qenies” (përkthyer nga origjinali prej Katerina Dhaskalaqit) ose “Lehtësia e padurueshme e ekzistencës” (përkthyer sërish nga Janis Haris). Vijojnë “Shakaja”, “Pavdekësia”, “Dashuritë komike”, “Ngadalësia” përkthyer nga Serafim Velenxa), “Jeta është gjetkë”, “Libri i të qeshurit dhe i harresës”, “Identiteti”, “Valsi i lamtumirës”, “Injoranca”, “Festa e parëndësisë”. Drama – për mendimin tim – kryevepër “Jakovi dhe padroni i tij” (përkthyer nga Amalia Caknjá) dhe esetë “Arti i romanit” (përkthyer nga Fílipos Dhrakondaidhís), “Testamentet e tradhtuara”, “Velloja: Ese në shtatë pjesë”, “Takimi”- që duhen mësuar nëpër shkolla, madje edhe para shkollave të të shkruarit krijues – njohin qarkullim shumë më të vogël.

Si u ndiet kur mësuat se ky shkrimtar dhe intelektual i madh rimori shtetësinë çeke?

U gëzova për të, u emocionova. Ishte diçka që i detyroheshin prej kohësh. Më mirë vonë se kurrë. Një çek, një shkrimtar botëror, jashtë salloneve pariziane, ndonëse me njohuri të plotë të asaj çka ndodh në Paris.

E nderuara zonja Karaitidhis, ju faleminderit shumë!

Faleminderit shumë edhe prej meje, zoti Athanasiadhis. /Gazeta “ExLibris/

 

 

Exit mobile version