Site icon Telegrafi

Kur mbërriti në Londër, punoi për vetëm 4 funte në orë, sot ka pasuri milionëshe – historia e njeriut i cili përveç punës, ia pa hajrin edhe çajit! (Foto)

Ishte vetëm 23 vjeç, me vetëm 600 funte në xhepat e tij, kur Rupesh arriti në Londër dhe gjeti një punë në McDonald’s ku paguhej vetëm 4 funte në orë. Ai tani ka pasuri milionëshe – dhe kjo është historia e tij.

“Kam ëndërruar për një jetë më të mirë. Dhe, për mua, ajo jetë ishte në Angli”. Rupesh Thomas u rrit i fiksuar me gjithçka angleze, nga moti i ftohtë deri tek historia.

“Babai im udhëtonte me punë”, thotë tanimë biznesmeni. “Ai kishte një fotografi të Londrës dhe unë e shikoja shpesh atë. Dëshiroja shumë të isha atje”.

Duke jetuar në Kerala, Indi jugore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ai shiti motoçikletën e tij shumë të dashur për 300 funte dhe u nis – i vendosur për të parë nëse rrugët e Londrës ishin të shtruara me ar.

Tani 39 vjeç, ai jeton në një shtëpi prej 1 milion dollarësh në Wimbledon me bashkëshorten e tij, Alexandra dhe djalin e tyre shtatëvjeçar Kian.

Por rruga e tij drejt suksesit nuk ishte e shtruar me ar, ajo ishte ndërtuar mbi një punë të vështirë.

Vetëm 23 vjeç, “i armatosur” me paratë nga shitja e motoçikletës së tij dhe një ëndërr, arriti në kryeqytetin anglez. Fillimisht Rupesh mori një punë në McDonalds.

“Paguhej 4 funte për një orë”, thotë ai. “Ishte punë e vështirë, por gjithmonë buzëqeshja. Unë pëlqeja të takoja biznesmenë dhe kjo më bëri të kuptoja se: ‘Kjo është ajo që unë dua të bëj'”.

Një fëmijëri e lumtur larg nga moti i Londrës

Brenda pak javësh, ai gjeti një punë të dytë si kujdestar, pastaj u bë një shitës derë më derë – kurrë nuk u ndalë, pasi ai punonte dhe punonte për të përmbushur ëndrrat e tij.

Sot ai jo vetëm që ka familjen e tij në Wimbledon, por një shtëpi të dytë me vlerë rreth 350,000 paund në Croydon; biznesi i tij i çajit Tuk Tuk Chai vlen rreth 2 milionë funte; dhe ai ka investuar edhe në biznese të tjera, duke përfshirë një fabrikë lavanderie në Kerala, Indi.

“Suksesi im nuk ka të bëjë fare me fat. Është për shkak të punës së madhe. Unë jam i uritur për punë”, vlerëson ai.

Duke shkëlqyer në matematikë dhe shkencë në shkollë, Rupesh – i cili ka lindur në maj të vitit 1978 – kishte një fëmijëri të lumtur, falë prindërve të tij të përkushtuar Joseph, 66 dhe Shyla, 62 vjeç.

Në moshën 18 vjeçare, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ai u dërgua në Chennai, në lindje të Indisë, në universitet, ku studioi inxhinieri – një subjekt që nuk e donte, por ai që ai mendonte të ishte një zgjedhje e ndjeshme.

“Në zemrën time, e dija që dëshiroja të largohesha nga India”, vazhdon ai. “Pra, pas diplomimit, bëra planet për t’u larguar”.

Në vitin 2002, Rupesh shiti motorin e tij Yamaha për 300 funte, mori hua pak para nga babai i tij dhe rezervoi një fluturim prej 300 dollarësh për në Londër.

Ai ende ka pasaportën e tij “të vjetër”, duke dhënë detaje se me sa para ka ardhur në Angli.

Rupesh si një fëmijë në Indi, me vëllain e tij më të ri Rakesh dhe nënën Shyla

“E ruaj këtë”, thotë ai. “Ajo që unë gjithashtu ruaj – dhe ende e kam – është një biletë udhëtimi 4 funtëshe nga 20 janari i vitit 2002, ditën që mbërrita në Angli”.

“Kjo ishte dita më e mirë e jetës sime”.

Duke kujtuar ditët e tij të hershme, kur kombinonte shitjen e hamburgerëve dhe kujdestarit, ai tha se ishte kohë shumë kërkuese, por kjo ishte një mjet për t’i dhënë fund “varfërisë” – dhe ia dha mundësinë që t’ia paguante babait përsëri paratë që i huazoi.

“Ishin orë të gjata, por ishin gjithashtu të rëndësishme. Kisha nevojë për të fituar para. E dija se çfarë duhej të bëja”.

Në vitin 2003, duke punuar si shitës derë më derë, nga çdo 300 dyert që trokiti, vetëm 10 do të ishin të suksesshme.

Ai pranoi. “Ishte një mësim se si të rrija i buzëqeshur, edhe pse refuzohesha”.

Me etikën e tij të palodhshme të punës, Rupesh shpejt u bë më i miri në kompani, duke u promovuar për udhëheqësin e ekipit, i cili, në proces, e dërgoi drejt takimit me Alexandran, me të cilën ai punoi dhe u martua në vitin 2007.

“Mësova shumë”, tha ai. “Puna më dha frymëzim për të kaluar në një kompani të telefonisë mobile – në shitje”.

Pastaj filloi të punojë për një kompani tjetër, ku përsëri mori një rol drejtues.

Ai erdhi në Londër me vetëm 600 funte në xhepat e tij

“Po punoja kaq shumë”, kujton ai, duke zbuluar se si në vitin 2009 ai dhe Alexandra kishin blerë shtëpinë e tyre afërsi të disa fushave të famshme të tenisit.

Dhe në vitin 2007 atij i erdhi ideja për kompaninë e tij të çajit Tuk Tuk Chai.

“Alexandra pëlqen çajin Chai”, rrëfen ai. “Kur ne jemi në Indi ajo do të pijë deri në 10 gota në ditë. Dhe atë e bëjnë edhe në Britani të Madhe, por është me shumë sheqer, nuk është bërë nga gjethet e çajit”.

“Fillova të mendoja dhe të kurseja, duke menduar nëse mund ta filloja prodhimin”.

Në vitin 2015, me 150,000 funte në bankë, ai vendosi të investonte.

“Kam marrë një rrezik mbi vete”, pranon ai. “Por mendova se kishte një treg për çaj të duhur chai”.

Dhe rreziku i Rupeshit u pagua.

Në mars të vitit 2017, Harvey Nichols (zinxhir luksoz i dyqaneve britanike) – të impresionuar me cilësinë e produktit të tij – filluan ta mbajnë atë në shtatë dyqane të Mbretërisë së Bashkuar.

Pastaj, çaji i tij arriti në tregun masiv.

“Ne kemi fituar edhe çmime”, buzëqesh ai.

“Unë jam prova se nëse punon shumë mund të jesh i suksesshëm”. /Telegrafi/

Exit mobile version