Ju kujtohet “Kënga e Poçarit” ? Ajo kur poçari shqiptar, gati i asimiluar në Stamboll, e lut blerësin shqiptar nga atdheu të e shajë “edhe një herë”… në shqip! Tash paramendojeni të njëjtin dyqan, ku ka hyrë një maqedonas, nga atdheu po ashtu, e ta ketë sharë serbisht? Qy serbisht, maqedonisht thuaj! Por, do ti, maqedonasit neve po na “shajnë” vetëm serbisht kohëve të fundit! E kanë kuptuar se kjo na bënë me nerva! Po e bëjnë me qëllim?
Pas “enciklopedisë”, maqedonasit po vazhdojnë të kopjojnë serbët! Ju kujtohet se serbët e bënë atë “Memorandumin” e famshëm i cili e ndezi luftën në Ballkan! Pastaj kaluan në sharje dhe ofendime, edhe plane për shfarosje, pra… kaluan në veprim! Vazhdimi tashmë është një faqe e errtë në librin historisë globale! Memorandumi i SANU-së është edhe arsyeja bazë përse NATO është këtu, në Bosnje dhe Hercegovinë! Në Maqedoni!
Në “enciklopedi” maqedonasit, sikurse edhe serbët, luanin me identitetin tonë! Me identitetin vet është e ditur botërisht se kanë ca probleme! Nuk e dinë se çka janë, por dinë se çka nuk janë! Nejse…!
Më duhet të pranoj se këtë kolumne nuk e kam shkruar veç vet! Kam bashkautorë! Tash, për ta thurur vet e kam thurë, por e kam bërë me krahasime! Bashkautorët po i përmendi mbase me refleks të lindur, që e ka kombi ynë i (pa)fajshëm për të shpërndarë përgjegjësinë! Se tema është e “ndjeshme”! Nëse gaboj, nuk mund të shfajësohem as nga zhurma e fëmijëve që po shahen diçka mes vete përjashta! Shpesh marr ide nga ata për të shpjeguar sjelljet e politikanëve! Ata po lozin zhurmshëm përjashta! Ne këtej nuk kemi oborr! Drejt e në… publik!
Kështu, nga frika se më akuzojnë se po hiqem si shumë i mençur, apo se jam qëllimkeq, po fshihem pas… gjermanëve! Pra, të fillojmë… “Intelektualisht do të kisha bërë një duel me ty, por po shoh se nuk je i armatosur ”, kështu mbase këto ditë do i drejtohesha, “gjermanqe”, ndonjë politikani maqedonas të apostrofuar kohëve të fundit për striptiz verbal politik! Ata ishin të sinqertë! Nuk po e dinin se po i dëgjonte ndokush! Në fakt, ata po përgjoheshin!
E, fjalinë e mësipërme e mora nga një rrjet social shqip, kur po lexoja një përmbledhje interesante se si gjermanët e ofendojnë njëri-tjetrin. Me mirësjellje, gjithsesi! Gjerman de! Pastaj, bëhet fjalë për ofendime nga jeta publike, jo nga ato që bëhen pas shpinës së publikut.
Kush e di se si do të tingëllonin gjermanët, sikur të kishim transkriptet e bisedave të tyre të përgjuara, për popujt dhe liderët e Ballkanit?!
Paramendojeni një aferë gjermane sikurse kjo maqedonase, me përgjimet! Apo ajo e më hershmja kosovare, e njohur si “pronto”!
Në këtë të fundit sharjet ishin shqip! Edhe ofendimet! Ishin kundër shqiptarëve! Bashkëvendësit e bashkëpartiakët madje quheshin zagarë, e kryetari i Kuvendit shahej me nënë! Ministrat e “ministreshat” zbuluan afera për të cilat u dënuan? U shpërblyen, thuaj!
Por, të kthehemi te shembujt gjerman.
“Ju jeni shembulli më i mirë për të dëshmuar se aborti nuk funksionon gjithmonë”, e ofendonin dikë! Me këtë ata po jepnin një kontribut publik rreth debatit global për abortin! Shenjtëria e tij, Papa, gjithsesi do të kundërshtonte! Jeta është dhuratë e Zotit! Duhej të vinte në jetë edhe ky! Ky ishte mesazhi! Pastaj, kush na garanton se ai tjetri nuk e mendonte të njëjtën gjë për “ofenduesin”! Dukej të ishte “dashuri” reciproke! Pra, dilemë e madhe kjo puna e abortit… politik!
Një tjetër e fyenin kështu: ”Athua, si dukej në të vërtetë fytyra jote para aksidentit”? Ah, gjermanët… e hollë!
Këtë nuk e pëlqeva! Fillimisht më bëri të dyshoj se mos ka të bëjë me ofendime personale! Fytyrën askush nuk e zgjedh kur lind, e as aksidentin nuk e preferon! Por, ajo mund të ndërrohet me operacion plastik, e nga shumë “aksidente” sidomos në politikë edhe mund të shpëtohet duke i vënë karar… gojës!
Keni dëgjuar si bëhen operacionet politike? Më falni, po pyesja për ato plastike! Pra, merr pak lëkurë nga prapanica dhe… krejt rregullohet politikisht! Po pra… politikisht!
Kështu e kuptova batutën gjermane! Po e pyesnin dikë për fytyrën politike, përpara se të vinte në pushtet! A nuk është njëfarësoj aksidenti edhe ardhja në pushtet? Ndërron fytyra?
Ishte aksident, do të thoni, kur një drejtues opozite vendosi të bëjë publike bisedat e qeveritarëve maqedonas? Dolën shumë pikanteri, sidomos nga ato për komunitetet e tjera të cilat nxitën reagime. Cila ishte fytyra e Qeverisë, përpara aferës? Lëkura u shkëlqente, po se po, por edhe pyetja që lind vetvetiu, krejt natyrshëm është: kishin bërë operacion?
“Po na ofendojnë”, klithën disa intelektualë shqiptarë, të shqetësuar me nivelin civilizues të politikanëve maqedonas, e duke harruar shpesh edhe politikanët tanë! Kush e di çka flasin kur përgjohen?
Por, të kthehemi te ajo batuta me abortin! Sikur nënat tona të ishin pro abortit dhe ta kishin abortuar pjesën shqiptare në Maqedoni, a do të ishin zgjidhur problemet e politikanëve dhe intelektualëve maqedonas?
A nuk e kanë shprehur sa herë publikisht dëshirën që shumë politikanë shqiptarë, e madje edhe shumë qytetarë të ishin “abortuar”? Kjo do të siguronte suksesin e politikës ndëretnike të shtetit maqedon? Gjithsesi, do të kishte më pak probleme me regjistrimin e popullsisë! Me shtetësinë!
A mund të “luftohet” intelektualisht, me këtë klasë politike dhe intelektualët maqedonas, që po i kopjojnë serbët e paraluftës? A mund të luftohet intelektualisht me ta kur janë kaq të pa armatosur? A është etike?
Nuk e vazhdoj dot më tej me gjermanët e kujdesshëm! Po e vazhdojmë me një francez: "Ofendimet janë argumente të njerëzve, që nuk posedojnë argumente." Do të thoshte dikur Jean-Jacques Rousseau!
Për mbyllje, po e ruaj një batutë tjetër, edhe kjo e përfolur si gjermane! Kështu mbase do të klith edhe ndonjë intelektual maqedonas apo shqiptar, i cili nuk mendon si kolegët e vet! As si kolegët e mi! Thjesht, ndihet keq me dy palët dhe atmosferën! Do të më pyeste, mbase: “A nuk ke berber për t’ ia treguar gjithë këto pallavra”?