Kjo gjithsesi merret si befasi më e madhe e edicionit të sivjetmë, nëse jo për diçka tjetër, atëherë për pozitat që i kishin këto tri skuadra në edicionin e kaluar. Llamkos Kosova i shpëtoi largimit vetëm pas ndeshjes barazh me Deçanin, Hysi i shpëtoi barazhit në ndeshjen e fundit, ndërkohë që Ferizaj fare nuk ishte pjesë e elitës së futbollit kosovar. Janë këto tri skuadra vërtet cilësore, apo skuadrat e mëdha si Prishtina, Trepça, Besa, Trepça‘89 janë zënë në gjumë?
“Nuk mund të them se është ndonjë befasi e madhe pasi skuadra të ashtuquajtura “shpresëvogla” e kanë shfrytëzuar mungesën e cilësisë në Superligë. Tregu i futbollit në Kosovës është varfëruar shumë pasi afro 15-16 futbollistë më të mirë kanë kaluar në kampionatin e Shqipërisë. Llamkos Kosova edhe në edicionin e kaluar kishte futbollist të mirë të cilëve u mungoi jo aq shumë loja, sa rezultatet. Tani janë në përbërje të njëjtë dhe ka ardhur koha edhe për rezultate të mira dhe këtë po e dëshmon tabela momentale. Sa i përket Hysit, kjo skuadër ka 3-4 futbollistë shumë cilësorë dhe për nivelin e futbollit tonë, kjo mjafton për të arritur rezultate të mira. Edhe Ferizaj përveç cilësisë ka punë profesionale dhe organizim të mirë në klub, kështu që të gjitha këto janë faktor që ndikojnë në paraqitje të suksesshme”, thotë Ajet Shosholli, trajner i Vëllaznimit, i cili në pranverë nuk e përjashton mundësinë e kyçjes së skuadrave të mëdha në luftë për titull të kampionit.
“Situata në Prishtinë ka të bëjë me ndërrimin e gjeneratave dhe kjo gjithsesi po ndikon në rezultat, por kjo skuadër do të këndellet. Jam i bindur se Prishtina në pranverë do të jetë më ndryshe dhe se do të luftojë për titullin e kampionit”, tha Shosholli. Për kthimin e skuadrave të mëdha në “vendin e vet” është i bindur edhe Hysni Maxhuni.
“Duhet pranuar se ekipet e mëdha si Prishtina e Trepça ’89 janë dobësuar dhe këtë e kanë shfrytëzuar skuadrat më të vogla, ndonëse as cilësia nuk është në nivelin e pritur. Megjithatë nuk dyshoj se këto skuadra do ta thonë fjalën e vet në vazhdim të kampionatit. Llamkos Kosova ka krijuar një atmosferë të mirë në çdo aspekt, por është pyetje se sa do ta mbajë këtë, pasi në pranverë mund të jenë më të dobët, gjithnjë duke pas parasysh se të mëdhenjtë pritet të përforcohen. Sa i përket Hysit, kjo skuadër ka krijuar përvojë nga edicioni i kaluar, por sikur është bërë traditë që Hysi në vjeshtë gjithnjë të ketë paraqitje më të mirë se në pranverë. Nga fondi i lojtarëve varet se sa mund të qëndrojnë kështu. Kur është në pyetje Ferizaj, duhet thënë se ata i ka mbajtur mjaft mirë entuziazmi pas hyrjes në Superligë, por edhe morali dhe motivi i fituar nga Bylbyl Sokoli”, thekson Hysni Maxhuni.
Sipas tij, “atmosfera në klub është element shumë i rëndësishëm, por që kjo lidhet edhe me kushtet dhe fondin e lojtarëve. Diferenca e pikëve nuk është shumë e madhe andaj mund të ketë edhe risi si në krye të tabelës ashtu edhe nga fundi i saj”. Vazhdimi i kampionatit e veçmas pranvera do të tregojnë se çka është në pyetje me skuadrat e “vogla” dhe të “mëdha”, por është e qartë se derisa “macet mungojnë, minjtë gjithnjë do të hedhin valle”. /Zëri/Telegrafi/