Sonte në Brazil fillojnë Lojërat Olimpike, në të cilat Kosova me kampionen e botës, Majlinda Kelmendin synon medalje.
Mbi 10 mijë sportistë tashme janë vendosur në Parkun Olimpik dhe Paraolimpik në Barra, i cili ka një sipërfaqe prej 1.18 milionë metra katror.
Mesin e tyre për herë të parë do të jenë edhe tetë sportistë prej Kosovës, të cilëve u ka uruar sukses ish-boksieri kosovar, Luan Krasniqi.
“Miq të mi, sot e gjithë bota, sytë i ka përqendruar në Rio ku zhvillohen Lojërat Olimpike. Ky manifestim sportiv, mua më rikthen në verën e vitit 1996, kur prezantova, në përbërje të reprezentuesve nga Gjermania dhe, në sportin e boksit e fitova medaljen e bronztë”.
“Ishte ky një rast që trasoi rrugën time drejt arritjeve sportive dhe jam tejet i lumtur që sot, me kënaqësinë më të madhe e kujtoj Atlantën e vitit 1996. Ndërkaq, sportistëve-pjesëmarrës të Olimpiadës së sivjetme, u uroj suksese”.
“Në veçanti sportistëve shqiptarë dhe gjermanë, të cilët do të dëshmojnë përfaqësim dinjitoz në Rio. Në kujtim të Atlantës 96, po i ndaj me ju fotot që janë pjesë e jetës sime!”, ka shkruar në Facebook, Krasniqi. /Telegrafi/