Në Kuvendin e Serbisë është duke u zhvilluar një seancë e cila ka filluar pak pas orës 11:00, ku thuhet se po shqyrtohen ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet lokale në mënyrë që zgjedhjet lokale dhe ato të Beogradit të mbahen njëkohësisht më 2 qershor.
Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, në seancë janë deputetët e opozitës që ka paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhje, si dhe ata që do të bojkotojnë zgjedhjet.
Por aty nuk ka mbetur pa u përmendur edhe Kosova, përkatësisht kryeministri Albin Kurti.
Deputeti i Partisë Demokratike, Srxhan Milivojeviq ka thënë se “falë (Aleksandar) Vuçiqit dhe lakmisë së tij për pushtet, Serbia është në krizën më të madhe politike në shekullin e 21-të”.
Siç ka theksuar ai, qeveria e Serbisë “e solli Serbinë në këtë pozitë” – duke shtuar se “opozita do të jetë në koalicion me qytetarët”.
Dhe në një moment ai ka treguar targat “KM” duke thënë se Vuçiq i ka dhënë gjithçka Kurtit, madje edhe atë që ai ka thënë se nuk do t’ia japë.
Madje, sipas Milivojeviq, “kur Kurti i thotë kërce, Vuçiq e pyet se sa”.
Më pas ai ka pretenduar se “opozita do të luftojë për fitore, por që atëherë qeveria do të përgjigjet dhe se nuk do të ketë amnisti”. /Telegrafi/