Site icon Telegrafi

Kur kërcasin karriget?

Propozoj me e shpërnda parlamentin! Edhe votimet të mos mbahen me kutia, por të jenë elektronike. Me llajka. Like, like, like! Kandidatët të cilët fitojnë më së shumti “like” shpallen deputet. Me këtë do të fitonin të drejtën që ta kenë kolumnen e tyre të javës në gazetat zyrtare të partive. Ato të jenë literaturë e obligueshme për anëtarët e partisë. Çdo parti të jetë e obliguar me ligj të ketë gazetën e vet zyrtare, e jo të korruptojë mediat e lira. Çdo anëtar partie të jetë i obliguar të blejë gazetën e vet. Partitë të obligohen të kenë edhe faqen zyrtare në facebook. Anëtarët e partisë obligohen me ua ba like të gjitha postimeve ku lëvdohet shefi. Për dallim nga anëtarët, simpatizantët obligohen që nga tri herë me ba “like” në shkrimet kolumnistëve zyrtarë. Edhe me ba koment me pak fjalë: ”O ju jeni ma të mirët në botë. Ma të meqmit, ma të pasunit… as Rokfeleri s’o si ju”!

Anëtarët s’kanë çka me komentua me ndonjë kreativitet të veçantë. Mjafton me thanë: ”Qashtu o”!

Mediat e pavaruta të mbyllen. Kolumnistët e pavarur të varen! Ata po na e prishin idilin, po na shesin moral.

Pas një afati provizor, mundet me u shpallë pavarësia edhe prej facebooku e me kalua krejt në twitter. Kështu, prej rrjeti në rrjet, kjo të jetë bota jonë reale, ambienti ku zhvillohet krejt ngjarja publike.

Ky është një propozim futurist. Është edhe shaka pak. Gjithsesi, prekeni kokën me gisht! Është në pyetje vullneti i juaj, vota e juaj, simboli i (pa)fuqisë qytetare. Parlamenti, ky simbol i (pa)fuqisë tuaj!

Mos mendoni që nuk e kishin pranua. Veç me ua dërgua rrogën rregullisht në konto. Edhe aplikimin për tender me e ba online. E sa për popull, mos kini merak. Ne si të kthehemi prej pune o futboll, o seriale , o në facebook. Me dalë në lokale duhen pare e pare s’ka! Ata që s’janë në punë, njëjtë! Veç me orar më të zgjatur. Tjetër alternativë nuk ka. Qeverisja duke vrapuar pas njohjeve po e humbë njohjen në shtëpi të vet.

Veç karrigen mos me ua prekë. Politikanët vështirë se prekin në tokë pa ua hekë karrigen. E karriget janë instrument politik i dorës së parë. Ato nganjëherë edhe keqpërdoren si armë të ftohta, për t’ u shndërruar kështu edhe në simbol të luftës së ftohtë në vend.

Kur kërcasin karriget, atëherë po… është ngjarje. Është lajm.

Kur jemi te karriget: përse kërcasin karriget aty ku duhet të kërcas dialogu? A rrezikon një reprizë me një kuvend karrigesh? Por… te partia tjetër! Pikërisht te partia e cila është përfolur si e dyshuar për nxitje konfliktesh të brendshme në partitë tjera! Sidomos për kuvendin e karrigeve të LDK-së! Mbase kjo në PDK nuk mund të ndodhë? Sepse karriget aty nuk konsiderohen mjete të shprehjes politike. Ndoshta kallashët? Burrat nuk gjuhen me karrige! Pastaj do të quhej kuvend kallashësh?

Pse të bëhet vonë: edhe nëse kërcasin kallashët, apo karrieat, mund të më thotë ndonjë “dezhurni” mediash, nga ata që janë të rreshtuar politikisht, dhe mediumin e shfrytëzojnë si foltore publike. A mos po të dhimbsen a? Nga ata që shpesh gëzohen kur njerëzit bien dhe ngritjen e të tjerëve e përjetojnë si fitore të tyre personale. Ka edhe nga ata që thjesht nuk kuptojnë përse nuk gëzohesh kur i ngordhë lopa fqinjit.

Por, kjo nuk është analizë me pretendime shkencore! Megjithëse kjo puna e karrigeve po përfolët. Është bërë dhe po bëhet gjithnjë e më aktuale. Është dukuri që u ndodhë partive më të mëdha, të cilat nuk kanë vizion integrues. Kështu ndodhë kur ndahet plaçka. Kjo u ndodhë atyre që kanë fuqi përmes pushtetit me i bë njerëzit të pasur brenda nate dhe me ia nxi jetën tjetrit po aq shpejt! Prandaj, çështja e të qenurit në organe të partisë është çështje jete a vdekje për ata që nuk dinë me ba asgjë tjetër, pos politikës.

Në fakt, karrigia u bë simbol luftërash në kuvendin e LDK. Qasja përjashtuese , në kuvendin e LDK-së, e cila synonte “pastrim” nga kundërshtarët, shënoi fillimin e fundit të sundimit të një partie e cila ishte formuar mbi një frymë pajtuese dhe integruese. Në fakt, LDK-ja e krijuar nga një grup intelektualësh ishte një ofertë qytetare e cila e krijonte një kulm për të gjitha rrymat që synonin një shtet të Kosovës dhe një shkëputje nga Serbia. Me këtë filozofi, çdo herë fitoi votat qytetare.

E keni vërejtur se te ne partitë e mëdha kanë formën e lëvizjeve.

Betejat politike bëhen me simbole dhe flamuj, për individ e jo për çështje konkrete.

Rrallëherë diskutohet për gjëra esenciale, sepse aty nuk ka shumë dallime.

Dallimet janë veç në atë se kush do të përfitojë. Për këtë bëhet lufta.

Kur jemi te idetë për pastrime të radhëve, ato nuk mund të bëhen pa fushata. Pa shpallur dhe denigruar armiqtë! Armiqtë e udhëheqësit të madh dhe të pagabueshëm.

Pyetja se a janë fajtorë të përjashtuarit apo përjashtuesit, kjo është mbase më tepër akademike sesa politike. Te kuvendi i LDK-së, për shembull, gabimi politik ishte krejtësisht i dukshëm. Gjithsesi, pushteti i fituar me një votë krejt të ngushtë dhe përjashtimi i “pakicës” nga organet drejtuese përmes një ndarje joproporcionale të fuqisë, kishte tërbuar delegatët e injoruar. Duke qenë se konflikti ka qenë i paralajmëruar, armët e vetme dolën të jenë karriget. Kështu ato u bënë simbol. Pjesë e identitetit të saj, të cilin ia kujtojnë me këmbëngulje kundërshtarët!

Nëpër grupe të ndryshme ka qërim hesapesh, siç ka edhe në mes të grupeve. Organizatat të cilat kanë mundësi të përdorin buxhetin apo votën për pasurimin e tyre , sidomos të krerëve të vet, nuk e dorëzojnë gati asnjëherë vullnetarisht pushtetin, sepse kjo do të thotë konflikt, do të thotë marrje në përgjegjësi, prandaj shpesh i krijojnë krizat dhe jetojnë me krizat derisa të munden. Derisa qytetarët të këndellen

Varet shumë prej liderit dhe udhëheqjes se si do të e menaxhoj ndryshimin e domosdoshëm, apo se si do të menaxhojë një krizë. Mbi këtë bazë krijohen ose bien liderët zakonisht. Mbi këtë bazë ndërtohet identiteti, vizioni apo kaosi.

Ndoshta ju duket propozimi nga kreu i shkrimit, paksa futurist! Gjithsesi, është një shaka. Vet vlerësojeni sasinë e kripës në këtë shaka. Por, mos e hidhni poshtë aq lehtë. Fundja, mos pak hajgare, e kemi shqyrtuar me seriozitetin më të madh sikur të ishin gjenialë? Ju duket parlamenti organ më serioz sesa facebooku? Ju duket më i sigurt votimi me kuti?

Mendoni! Mendoni. Mendoni!

Veç kah karriget mos i prekni.
 

Exit mobile version