Site icon Telegrafi

Kur Ibrahim Krajkova ishte 18 vjeç: Koha kur u martova dhe u bëra serioz

– Shkrim i publikuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri” (shtojcën “Jeta”), në vitin 2000, në kuadër të rubrikës “Kur isha 18 vjeç” –

Përgatiti: Luljeta Tahiraj

Ka kaluar shumë kohë e gjatë … Ah, kur i kisha 18-vjet … Më duket shumë larg që ta përshkruaj dhe t’i kthehem asaj kohe, asaj moshe, atyre ditëve. Vërtet ka kaluar shumë kohë … Si t’ia nisi … Në atë moshë jam kënaqur edhe pse ndoshta nuk kam ditur që ta shfrytëzoj si duhet atë kohë dhe atë moshë. Por, prapë ajo mbetet mosha më e mirë në jetën time. Ajo moshë, 18-vjeçare, është mosha e cila të bën të harrosh çdo gjë, çdo të hidhur në jetë dhe t’u kthehesh gjithmonë gjërave të mira, vetëm e vetëm që të argëtohesh dhe që në vete të ndjesh përplot lumturi. Pra, harron çdo gjë dhe kërkon argëtim.

E kam dashur këngën shumë

Unë kam qenë fëmijë me një edukatë familjare dhe kam ditur të jem edhe i lazdruar, por lazdrimin e kam pasur të kufizuar. Qysh në atë moshë kam qenë, si në klasë ashtu edhe në shoqëri, gati i njëjtë, tipik ashtu si Leci. Mua, Lec më kanë thirrë të gjithë, në shkollë, në familje, shoqëri. Të gjithë, përveç nënës, e cila më ka thirrë Ibrahim. Në moshën 18-vjeçare kam qenë sportist goxha i njohur. E kam dashur sportin shumë dhe kam qenë reprezentatues i Kosovës në gjimnastikë. Prandaj, dëshira ime, mjaft e madhe atë kohë, ishte të bëhem sportist. Por, përkundër faktit se merresha me sport, më së shumti kam dëshiruar të jem këngëtar, vetëm këngëtar. E kisha bindjen, dhe ashtu më dukej vetja, se kur të këndoj do të fluturoj. Pra, kënga për mua ka qenë çdo gjë në jetë dhe lirisht mund të them se e ndjej veten keq pse nuk më është realizuar kjo dëshirë, kjo ëndërr. E kam dashur shumë këngën, por nga trema që kisha, nuk kam pasur guxim të këndoj, përveç në disa raste. Kjo ndoshta ka qenë arsyeja kryesore pse sot unë nuk jam këngëtar. E për këtë pendohem, sepse sot do të mund të këndoja më mirë se sa gjysma e këngëtarëve të sotëm. Dhe sigurisht, do të këndoja këngë të mirëfillta shqipe, e jo këngë turke, arabe, pra këngë të shëmtuara.

Si 18-vjeçar kam pasur mjaft profesione. Kam qenë shenjëtar i njohur, kam pikturuar shumë dhe kam qenë i regjistruar në shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Por, e pata lënë atë shkollë, sepse isha shumë i padisiplinuar. Pastaj shkova në shkollën e Mesme Bujqësore, pasi që isha nga një familje tipike fshatare.

Ka qenë shumë interesante se në shkollën bujqësore nuk kemi pasur femra, pra të gjithë nxënësit në fillim kemi qenë të gjinisë mashkullore. E vazhdova agronominë atëherë kur kemi marrë bursa. Edhe në këtë shkollë kam qenë i padisiplinuar, por edhe i aftë për mësim. Mirëpo, se do të vijë koha të bëhem edhe unë profesor në shkollë, këtë kurrë nuk e kam menduar.

Rinia ime ishte pa shëtitje

Gjatë moshës 18-vjeçare jam njoftuar me gruan time, me të cilën edhe u martova. Pra, si maturant unë isha i martuar. Gruan time e patën përjashtuar nga shkolla, kurse unë mbeta në shkollë dhe shpëtova për pak.

Pasi që isha martuar shumë i ri, prindërit e mi nuk ishin të kënaqur me martesën time të hershme. Unë kisha frikë si nga prindërit e mi, ashtu edhe nga shoqëria dhe nxitoja të shkollohesha. Prej atij momenti unë u bëra serioz, prandaj më vonë isha një student i zellshëm dhe diplomova shumë shpejt …

Sa i përket mbrëmjes së maturës nuk kam ditur se çka është ajo, sepse atëherë isha i martuar. Mbrëmjen e maturës për herë të parë e kam festuar me nxënësit e mi, pra në moshë të vonuar.

Në rininë time nuk ka pasur shëtitje, po flas për veten time personalisht. Ndoshta pse kam qenë i dashuruar (kurrë më parë nuk kam dashuruar). Me dashurinë time të parë edhe u martova dhe ende jetoj me të. Më 27 mars e festoj 34-vjetorin e martesës sime. Dashuria ime ka qenë e pazëvendësueshme. A ka gjë më të mirë se kjo?

Në moshën rinore kam qenë shumë i shoqëruar me shokë, e sa për femra kurrë nuk i kam regjistruar në kokën time. Ndoshta edhe pse ka qenë koha që me femrat rrallëherë ke pasur mundësi të shoqërohesh. Por, mund të them se nuk më kanë interesuar femrat kurrë, natyrisht derisa takova gruan time. E, kur e takova, atëherë më interesonte vetëm ajo, vetëm ajo e askush tjetër …

Më kujtohet se një herë pata shkuar me gruan time për ta shikuar një film në kino. Ishte ky filmi „Gratë e kënaqura“ të Elvis Prislit. D.m.th atëherë kur ai ishte aktual dhe mund të them se e kisha të vështirë, ngase të gjithë të shikonin, ndoshta pse gruaja ime ishte një vajzë unikate, më e bukura. Atëherë kanë qenë të rralla femrat, të cilat dilnin ai-ajo.

Atëherë më së shumti e kam dëgjuar Xho Kokerin, Tina Tarnerin, Bitëllsat dhe Rolling Stonsat. Ndërsam prej aktorëve më ka pëlqyer Marlon Brando dhe Bekim Fehmiu.

Bekim Fehmiu më ka pëlqyer shumë, por jo vetëm pse është shqiptar. Ai ka qenë dhe mbetet idhulli im edhe sot e kësaj dite. Edhe djalit tim, për hir të tij, ia kam lënë emrin Bekim.

Atëherë si 18-vjeçar, nuk jam marrë me humor. Me humor kam filluar më vonë, pra pasi që jam bërë serioz.

Kurrë nuk kam menduar se do të arrij atë çfarë jam tani. Nuk kam menduar se do të jem një humorist siç jam tash, por ja që u bëra …

Me të vërtetë kam humbur edhe shumë vende të punës, ngase askush nuk do Lec edhe serioz. Atëherë aq kam qenë i lazdruar, saqë e kam luajtur shpeshherë Lecin dhe kurrë në jetën time nuk kam qeshur.

Problemet në shkollë …

 Kur nuk e kam ditur pyetjen e profesorit për ndonjë shkrimtar, unë i kam folur për shkrimtarin tjetër, duke i pështjellur. Që mos të më përjashtojnë nga shkolla, më kanë ndihmuar shokët e klasës, sepse janë kënaqur shumë me mua, por edhe profesorët e mi janë kënaqur po ashtu.

Eh, sa herë e kam bërë profesoreshën që të qeshet. Ka ndodhur që e ka lëshuar edhe mësimin nga të qeshurit, sepse ka qenë kohë „e seriozitetit“, kohë jo e lavdërimeve, dihet monizëm.

E di se një herë kam ikur nga dritarja e klasës, që ishte në katin e parë, ngase profesoresha donte të më pyeste dhe unë nuk kisha mësuar. Për atë shkak u detyrova të ik nga dritarja pa u vërejtur fare. Ky ka qenë ai problemi im i madh. Në fillim kur ka pyetur profesoresha se a mungonte dikush, kujdestarja e klasës nuk më ka shënuar, ngase unë isha në klasë dhe kur më ka thirrë që të pyetesha, unë nuk isha askund. Kështu që ia ka vënë notë të dobët kujdestares së klasës nga shkaku se nuk e ka treguar të vërtetën. E vërteta ishte ndryshe.

Që nga shkolla fillore kam marrë pjesë edhe në dramë dhe imitime, kështu që më kanë njohur qysh atëherë.

Gjatë moshës 18-vjeçare unë kam luajtur në Qendrën e Pionierëve një pjesë teatrale të shkollës „Me kë të rrish ashtu bëhesh“. Për herë të parë shoqëria ime kur rrinin me mua qeshnin pa kufi, ndërsa unë kurrë nuk kam qeshur, kurrë. Kam qenë pra shumë serioz.

Ajo moshë 18-vjeçare për mua ka qenë moshë shumë e mirë dhe më besoni se gjithmonë do të më mbetet në mendjen time ashtu e freskët, sa që nuk di se çka të rrëfej më parë.

Tani unë jam mjaft prind modern dhe çdoherë ua kam lakmi gjeneratave të reja. E sa do të doja që të kthehesha prapë në atë moshë … Këtë vetëm unë di. Tani çdo moshë e kësaj kohe ka përparësitë e veta.

Mirëpo, e kam një vërejtje tek aktorët e rinj, të cilët martohen në moshë shumë të re … Mosha më e mirë për martesë është mbi 25-vjet, e jo siç po martohen tani në moshë shumë të re.

Porosia ime për 18-vjeçarët është që ta kryejnë shkollën dhe mos ta provojnë dashurinë e parë, por dashurinë e dhjetë. Dhe, i porosis që të kenë shëtitje sa më shumë dhe ta shfrytëzojnë rininë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version