Iluzioni për të vërtetën dhe dijen shkatërron përparimin. Diktatorët përherë godasin shtresën e vërtetë intelektuale. Anti-intelektualizmi – term që nisi të përdoret në shekullin XX – e karakterizoi sundimin e tij, si çdo sundim tjetër diktatorial e të keq, deri në ditët e sotme. Për më keq, pasojat që shkakton pushtet i keq barten gjeneratë pas gjenerate, në një cikël të gjatë të mjerimit…
Pakkush mund ta besojë sot se Mali, një vend i varfër ku më shumë se gjysma e popullatës jeton në varfëri ekstreme, me 1.25 dollarë në ditë, ishte për 375 vite perandori. Aty dikur sundonte Musa i I-rë (Masna Musa) që këtë vend e shndërroi në prodhuesin më të madh të arit në botë. Legjendat thonë se kur Musa e bëri një pelegrinazh 3,000 milje të gjatë deri në Mekë, ishte i shoqëruar nga 60 mijë hamallë dhe 12 mijë skllevër, ku secili me vete kishte 1.8 kilogramë ar. Karvani përbëhej edhe prej 80 deveve, ku secila mbante 23-136 kilogramë ar. Arin thuhej se ua falte të varfërve gjatë rrugëtimit dhe se çdo të premte financonte ndërtimin e një xhamie. Aq shumë dhuroi, sa që në shtetet ku kaloi e dëmtoi ekonominë vendore me rënie të vlerës së arit.
EL DORADO DHE ATHINA ISLAMIKE
Një faqe interneti ka vlerësuar se Musai kishte pasuri që barazohet me vlerën e 400 miliardë dollarëve të sotëm, gjë që e bën personin më të pasur në histori. Nëse pelegrinazhi i tij drejt Mekës ekzagjerohet me numrin e pjesëmarrësve, megjithatë ka shumë dëshmi që vërtetojnë se ai ishte njeriu i parë që kontrollonte çmimin e arit dhe se si një Soros i së kaluarës, i vetëm e pa luftë ia doli të trondiste ekonomitë e shteteve tjera.
Njëri nga trashëgimtarët e tij ishte Askia Muhameti i I-rë, që shkon një hap më tej: Malin e bën shtetin më të madh në Afrikë, ndërsa zgjeron tregtinë me Evropën dhe Azinë. Kryesorja: ai hapi shkolla, sepse donte që vendi i tij të karakterizohej edhe për nga dituria. Kështu, i fuqizoi raportet me një rajon unik në botë, që për një kohë të gjatë ishte vatër e rëndësishme e dijes.
Fjala është për Timbuktun… një vend i mistershëm, sa herë që përmendet. Evropianët qëmoti dëgjonin për të. Mendonin se ishte El Doradoja e pasurisë dhe Athina e dijes. Prandaj, perceptohej si pothuajse i paarritshëm. Kjo është edhe arsyeja se pse një fjalor anglez i vitit 1863, për Timbuktun thoshte se ishte metaforë e një vendi të largët. Në fakt, Timbuktu i sotëm është larg nga vetja – nga shkëlqimi i tij i dikurshëm.
Timbuktu ishte i populluar që nga shekulli i V-të p.e.s. Si qytet me rëndësi përmendet në shekullin XII. Kulmin e arrin nën perandorinë Songai, e sidomos me atë të Malit. Aty kishte universitet. Madje, kur qyteti kishte 100 mijë banorë, 25 mijë nga ta thuhej të ishin studentë që, pos Kuranit, studionin mjekësinë dhe kirurgjinë, astronominë, matematikën, fizikën, kiminë, filozofinë, gjuhët, linguistikën, gjeografinë, historinë, artin…
Pas pushtimit nga Maroku më 1591, ndodh rënia e tij materiale dhe intelektuale. Qyteti i dijes përjeton tatëpjetën, si Andaluzia më parë – Spanja myslimane, rajoni dikur mbase më i zhvilluar e më përparimtar në botë. Andaluzia ngushtohej nga ambiciet e individëve, teksa spanjollët unifikoheshin e përforcoheshin. Myslimanëve u shkojnë në ndihmë luftëtarët nga Maroku, të cilët më shumë shqetësoheshin për jetën përparimtare të banorëve që duhej të mbronin, sesa për rreziqet që u atyre vinin nga të tjerët. Dija dhe e bukura për ta ishin devijim nga “islami i vërtetë”, ndaj bëjnë krime. Të tillë ishin p.sh. përfaqësuesit e Dinastisë Almoravide, që ndiqnin predikimet e ibn Abdullah Jasinit. Mu për këtë, historiani i Andaluzisë, al-Bakri, i quante armiq këta “puritanë të islamit”.
QETËSIA SI DËSHMI E ZHURMËS
Iluzioni për të vërtetën dhe dijen shkatërron përparimin që dituria sjell. Diktatorët përherë godasin shtresën e vërtetë intelektuale. Për Kamboxhian nën sundimin e Pol Potit thuhet se veç një person me shkollim të lartë ia doli të mbijetonte. Të tjerët u likuiduan. Anti-intelektualizmi – term që nisi të përdoret në shekullin XX – e karakterizoi sundimin e tij, si çdo sundim tjetër diktatorial e të keq, deri në ditët e sotme.
Të njëjtin fat e kishte Timbuktu dikur, dhe tash vonë kur më 2012 pushtohet nga grupi Ansar Dine (të ashtuquajturit “Mbrojtësit e fesë”). Me këtë pushtim nis zbatimi – sipas interpretimit të “mbrojtësve” – i Ligjit të Sheriatit; me pushtimin nga ky grup nis edhe shkatërrimi i monumenteve të mbrojtura nga UNESCO, madje edhe të atyre me vlerë sidomos për botën islame.
Këto momente i trajton filmi “Timbuktu”, një perlë e kinematografisë botërore që flet për dashurinë dhe indiferencën, për shpresën dhe mjerimin në një rrugë pa krye. Regjisori Abderrahmane Sissako jep një përshkrim që nuk haset në lajme: sundimin e xhihadistëve, por edhe banorët e rëndomtë që vazhdojnë jetën. Me një film që karakterizohet nga qetësia e pasiviteti, nga fotografia mjeshtërore panoramike e shkretëtirës dhe detajet e fytyrave të vuajtura, Sissako me pak fjalë e më mirë se askush e shpreh zhurmën e keqinterpretuesve të fesë.
Kështu, në Timbuktu ndalohet muzika (siç e kishte ndaluar dikur ibn Jasini), futbolli dhe cigaret; gratë urdhërohen të mbulohen, përfshirë shuplakat e duarve; askush nuk duhet të rri “kot” në rrugë apo para dyerve të shtëpisë; burrat duhet t’i përvjelin pantallonat…
Por, kush i imponon këto rregulla të reja?
PARADOKSET…
Në filmin historik “A Dangerous Method” (Metoda e rrezikshme), teksa ndjekësi i psikanalizës së Sigmund Freudit, Carl Jung, mundohet të gjejë shpjegime se pse Freudi insiston që çdo neurozë ka origjinë seksuale, pacienti i tij, mjeku dhe anarkisti i mëvonshëm Otto Gross, thotë se Freudi fiksohet me seksin pasi nuk bën seks!
“Timbuktu” është i mbushur me paradokse të tilla, me ata që pretendojnë të jenë ata që nuk janë: nga ai që debaton për futbollin e që pi fshehtë cigare; nga ai që pretendon se ndjek islamin e vërtetë, ndërsa vet rri me praktikuesen e vudusë; nga ai që i vardiset gruas së martuar, ndërkohë që i thotë të tregohet e moralshme e të mbulojë kokën; nga ai që rrëmben për grua një vajzë të re, pa dëshirën e familjes, dhe nga ata që thonë se sipas islamit kjo është e lejueshme; nga ata që pretendojnë se po i rikthejnë vlerat e lashta, por që nuk ndahen nga teknologjia moderne: nga motorët, kamionçinat e reja, celularët, armët dhe kamerat për të përhapur mesazhe të propagandës. Ata janë regjisorë që tregojnë se si duhet deklamuar mesazhi dhe se cila duhet të jetë paraqitja skenike; ata janë edhe aktorët kryesorë të një tragjedie!
Por, përmes konflikteve për “vadën e ujit”, Sissako në film shfaq edhe varfërinë dhe prapambeturinë e trashëguar, pasojë e së cilës janë edhe grupi Ansar Dine. Robert Redford, me dramën e vitit 1986, “The Milagro Beanfield War” (Lufta e Milagros për fushën e fasules), me sarkazëm dhe humor trajton jetën në një zonë të varfër amerikane ku vada e ujit bëhet shkas i luftës së fshatarëve kundër lakmisë së pushtetit dhe korporatave. Kjo vadë ka qenë mollë sherri për shekuj edhe ndër shqiptarë, sepse dominimi i ujit shihej si simbol i forcës, i autoritetit dhe i fuqisë ekonomike. Kjo vërehet edhe te “Timbuktu”, përmes gabimit fatal që shkakton hajvani…
GPS-i E KA HUMBUR RRUGËN…
Në një oazë paqeje, në shkretëtirë në dalje të qytetit, jetë të izoluar e modeste bën nomadi Kidani, bashkë me gruan Satiman dhe vajzën e tyre 12-vjeçare Toya. Ai është njeri familjar, me shpirt artisti (i bie kitarës), i lumtur për ato që ia ka dhënë Zoti – sidomos për vajzën, gjënë më të çmuar në jetën e tij. Kidani është pronar i tetë lopëve të cilat ia ruan fëmija i quajtur Issani, ndaj të cilit ka mëshirë meqë është jetim.
Gjatë kullotjes, Issani i dërgon lopët për të pirë ujë në pellgun ku rri një peshkatar problematik, që sheh me urrejtje tufën e bagëtive dhe përherë kërcënon bariun e vogël të mos afrohen ato te rrjetat që i ka vënë. Një ditë, lopa e quajtur GPS (një si metaforë për shtetin që e ka humbur rrugën), merr drejtimin që nuk duhet. Peshkatari e vret GPS-in. Kidani – i zemëruar nga zënkat e kamotshme e të paarsyeshme – në tentimin për të ndalë poshtërimin dhe për të rikthyer krenarinë që mendon se i është cenuar, vret pa dashje peshkatarin. Tash ai duhet të ballafaqohet me drejtësinë në tokën e padrejtësisë!
Këtu qëndron drama më e madhe e filmit dhe e tmerrit që përjetojnë shoqëritë ku sundon e liga: problemi bartet nga gjenerata në gjeneratë. Të vjetrit e pësojnë kot, e pasojat i vuajnë edhe gjeneratat e ardhshme. Një cikël që nuk po ndalet i mjerimit dhe i së keqes, pa mirëqenie, pa drejtësi e pa shpresë. Kjo zbërthehet më së miri me dhembjen e Kidanit, i cili e ndjen se do të ketë një vdekje me mall – me sy hapur!
“Ajo që është shkruar do të bëhet. Jam në paqe me vdekjen time. Ne të gjithë jemi fëmijët e Zotit. Duhet të mbrojmë fëmijët tanë. Bija time do të mbetet e pambrojtur. Kjo më lëndon të tërin, edhe poshtë në dhé, pa ditur se çfarë do të ndodhë me të”, i thotë ai njërit prej shefeve të grupit Ansar Dine. “Nuk më frikëson vdekja, por pse nuk do të jem në gjendje të kthehem prapa e ta shoh fytyrën e saj”.
QYTETI I 700 MIJË MANUSKRIPTEVE, NËN SUNDIMIN E INJORANTËVE
Një gjë tjetër e veçantë e veprës së Abderrahmane Sissakos është se shmang shabllonët e imponuar nga mediat. Ndaj, në filmin e tij sheh situata komike, që nga fakti se në një hapësirë të vogël flitet gjuha frënge, arabe, bambare, angleze, songai dhe tamashek (si një metaforë e mungesës së komunikimit dhe mbase humbjes në përkthim – interpretimit të keq të islamit). Në film kudo vërehet rezistenca: një burrë zhvesh pantallonat në rrugë meqë ishin të hollë e nuk bëheshin palë poshtë; kundërshtohet me guxim vënia e dorëzave nga shitësja e peshkut; të rinjtë këndojnë dhe improvizojnë lojën e futboll pa top; magjistarja e vudusë i bën sehir një komandanti i cili pastaj kërcen si këndes…
Në filmin që është kombinim i satirës, melodramës dhe tragjedisë, Sissako shmang gjakun. E vetmja shfaqje e dhunës fatale është skena e shkurtë e ekzekutimit me gurë të një çifti të varrosur deri në kokë (në fakt, një lajm i vitit 2012 për ekzekutimin e tillë të një çifti të dashuruar, që kishin fëmijë po që kishin “mëkatuar” se nuk e kishin lidhur martesën “para syve të Zotit”, ishte inspirim për ta bërë këtë film). Regjisori shmang edhe stereotipat e prezantimit të xhihadistëve: ata janë njerëz të rëndomtë, dinë të dëgjojnë, por që gabojnë sepse mendojnë që e vërteta është në anën e tyre dhe se nuk janë të vetëdijshëm se sa vuajtje sjell kjo bindje kokëforte e tyre. Ndaj, futen të mbathur e të armatosur në xhami në kohë lutjesh, sepse besojnë që e përfaqësojnë islamin e vërtetë dhe se mund të bëjnë çfarë të duan. Në shtëpinë e shenjtë ku besimi bëhet me zemër dhe kokë, besnikërinë ndaj Hyut Suprem duan ta dëshmojnë me gjoks dhe armë!
“Ne mundemi, sepse ne bëjmë xhihad”, thonë ata kur ua tërheq vërejtjen imami i qytetit.
Politikani anglez, Tony Benn, ka thënë: “Analiza marksiste s’ka lidhje me atë që ka ndodhë në Rusinë e Stalinit: është si ta fajësosh Jezu Krishtin për inkuizicionin e Spanjës”!
Është edhe të fajësosh myslimanët e Timbuktut për grupin Ansar Dine. E, këtë e shpjegon pikërisht imami i guximshëm në qytetin ku janë mbi 700 mijë manuskripte me vlerë, që datojnë nga shekulli XIII, e të cilat janë mbrojtur gjatë shekujve me xhelozi nga banorët – edhe gjatë pushtimit të vitit 2012. Njërit prej shefave të xhihadistëve, ai i thotë: “E bëj xhihadin për veten time. Të betohem, nuk kam kohë për xhihadin e të tjerëve. Nëse nuk do t’i kushtohesha përsosjes së moralit tim, do të isha i pari nga ju… Ndaleni atë që po bëni se po e dëmtoni islamin dhe myslimanët… Ku është mëshira? Ku është falja? Ku është besimi? Ku është ndryshimi? Ku është Zoti në gjithë këtë?”
Vërtetë, ku janë vlerat te sundimi i ligë, kudo? /Telegrafi/