Site icon Telegrafi

Kur gjakovari nëmte: “T’u boftë shpija ‘Dinasti’”!

Në vitin 1618, nisi e ashtuquajtura Lufta Tridhjetëvjeçare. Kjo luftë pëlciti pasi perandori habsburg, Ferdinand i II-të i Austrisë, një si katolik i devotshëm, vendosi që formën e besimit të tij të krishterë t’ua imponojë të gjithë popujve tjerë të Evropës që kishin nisur reformat fetare. Në veçanti gjermanëve!

Luftimet ishin të tmerrshme. Thuhet se mbi tetë milionë njerëz u vranë. Gjakderdhje kishte kudo. Por, nga kjo luftë u kalit shpirti ushtarak i popullit gjerman, sepse fëmijët lindën me shpatë, u rritën me shpatë e me të i mbrojtën idealet e tyre për liri e pavarësi!

Se çfarë do të thotë të lindësh e të rritesh në luftë, këtë e ka zbërthyer mirë Kate Bush – një nga femrat më kreative në historinë e muzikës. Në këngën “Army Dreamers” (Ëndërrimtarët e Ushtrisë), ajo i këndon një nëne që dëshironte ta “dekorojë me lule” e me mburrje “heroin e saj”, djalin e vdekur që e bartnin në arkivol katër veta në uniformë. Nënën në një moment e kaplojnë dilemat për të ardhmen tjetër që djali i saj ka mundur ta ketë: ka mundur të jetë yll i rockut, por nuk kishte para për kitarë; ka mundur të bëhet politikan, por nuk e kishte shkollimin e duhur; ka mundur të jetë baba, po kurrë nuk i mbërriti të njëzetat!?

Pra, në një vend ku ka luftë, gjithmonë do të ketë të rinj që do të ëndërrojnë të bëhen ushtarë. Në një vend të pushtuar, si Kosova dikur, gjithmonë kishte ëndërrimtarë të sinqertë të idealeve çlirimtare. E, në Kosovën e sotme, të çliruar ama të korruptuar e të dërrmuar deri në palcë për 18 vite, do të ketë ëndërrimtarë të korrupsionit dhe të shkallmimit të mëtejmë të këtij vendi?!

Ky është problemi më i madh i Kosovës: ëndrrat e pamoralshme që po e bëjnë këtë vend të pashpresë e pa besimin se do të bëhet mirë.

Gjithçka ngjan me një nëm të viteve ’80 të shekullit të kaluar, që nisi të përdoret nga gjakovarët! Nëma e kishte bazën te seriali “Dinastia” që jepej në Radiotelevizionin e Prishtinës, çdo të enjte nga ora 20:00. Shqiptarët atëherë, me tërë familjen mblidheshin para televizorëve (shumica bardhezi) për të parë glamurin dhe luksin e Ëndrrës Amerikane. Por, në fakt aty shihej jeta e familjes së pasur Carrington – të një familjeje ku djali e tradhtonte babën, vëllai ia merrte gruan vëllait, njëri ishte i martuar e shkonte me meshkuj, të gjithë ishin lakmitarë për pushtet… Aq amoralitete kishte ky serial e kjo familje – sidomos bazuar në vlerat e dikurshme të shoqërisë shqiptare në Kosovë – sa që gjakovarët e krijuan nëmën: “T’u boftë shpija ‘Dinasti’”!

Nëma e gjakovarit e kapi gjerë shoqërinë e Kosovës. Sepse, e tërë Kosova sot është bërë “Dinasti”. Amoraliteti – qoftë me vepra apo me mendime – është formë e mbijetesës së të fortëve dhe lakmitarëve. Ndërkaq, shumica janë viktimë dhe bashkëpjesëmarrës të këtyre të këqijave me mos veprim. Sidomos heshtje!

Por, kur është fjala te heshtja, është mirë të nxirret një mësim nga një mbret që dikur i kishte çuar njerëzit e tij që të marrin informata se si po jetonte populli. Kur kthehen dhe i thonë se populli i tij po ankohet, mbreti urdhëron të rriten taksat për ta. Pas një kohe, kur shërbëtorët i thonë se populli po hesht e se zëri s’po i ndihet, mbreti u frikësua. “Puna është keq, ulni menjëherë taksat”, tha ai!

Ky mbret ishte i mençur, apo jo!? E ka ditur se heshtja mund të jetë edhe fjalë – madje e fundit! Ndaj, mësoi dhe shpëtuan të gjithë pa e bërë shtetin e shoqërinë… “Dinasti”!

Exit mobile version