Site icon Telegrafi

Kur dhuna bëhet model për zgjedhjen e problemeve

Në Kosovë po defilojnë vrastarë të llojllojshëm. Vrastarë me gjithfarë armësh. Vrastarë edhe me thika që po marrin jetë të të rinjve të mbetur rrugëve dhe sokakëve të qyteteve. Kosova është bërë kasaphanë e vërtetë. Dhe, të gjithë ne jemi ulur këmbëkryq në burën e barotit, ku po vdiset pa kurrfarë shkaku.

Shoqëria jonë po ballafaqohet më sindromën më të keqe të pasluftës – vrasjet. Gjatë këtyre viteve ndodhën vrasje për motive të ndryshme, deri të vrasjet për motive politike, për të cilat kemi folur shumë here deri me sot. Por, vrasjet e të rinjve tanë që po ngjajnë kohën e fundit, janë vrasje alarmuese dhe që kërkojnë ndërhyrje urgjente.

Dihet së çfarë traumash sjellin vrasjet, së pari për familjen e prekur nga këto vrasje, për rrethin ku jetohet dhe për mbarë shoqërinë. Sistemi të cilin po e ndërtojmë dhe nuk jemi duke e ndërtuar mirë, është bërë strehë për vrastarët.

Natyrisht, kur shohim apo dëgjojmë për vrasje në seri, askush nuk e ndien vetën të sigurt në rrugë, lokale apo të ulesh kudo – në shtëpi etj. Në të shumtën e rasteve, sipas informacioneve që vijnë nga njerëzit dhe sipas informacione policore, këto vrasje po ndodhin pa kurrfarë shkaku. Dy vrasjet e fundit në Pejë ndodhën pas zënkave të ndërsjella të të rinjve që nuk kishin ndonjë të keqe ndërmjet veti përpara. Deri te këto vrasje si duket po vije më shumë nga largimi prej jetës së rehatshme, humbja e shpresës për të ardhmen e mirë, mos kujdesi i duhur I familjes dhe mos kujdesi i shtetit për orientimin në jetë të të rinjve tanë.

Akumulimi i energjisë mund të reflektojë pozitivisht dhe negativisht. Kur e shikojmë rrethin ku po jetojmë, i zymtë për shumicën, atëherë edhe energjitë e akumuluara zbrazen aty ku është më së keqi. Mu për atë më edhe po ndodhin shumica e vrasjeve në mesin e të rinjve.

Ata që sot po i mbajnë frenat e shtetit, më shumë po luftojnë për vota, duke dhënë premtime më shumë boshe të cilët i kanë dhënë shumë herë deri sot gjatë fushatave elektorale. Por, ata, për ta larguar dhunën nuk janë munduar shumë. Dhe, pikërisht dhuna dhe pushteti fatkeqësisht tek ne kanë gjetur lidhshmëri reciproke misterioze. Si duket ky sistem më shumë kaotik, ka sjellë dhe po sjellë gjendje kaotike.

Pse kaq shumë po ndodhin vrasje, është fakti se organet e gjyqësisë nuk po e kryejnë punën mirë dhe me korrektësi. Pas secilës vrasje që po ndodhë, del dikush të ndërhyjë në forma të ndryshme në organet e gjyqësisë dhe dorasit ose dënohen pak, ose pas një kohe lirohen. Kjo gjë vetëm sa i yshtë vrastarët ordinerë të vazhdojnë prapë me vrasje pa u frikësuar se do të ndeshen me ligjin.

Kur punët shkojnë kështu, pastaj këto punë më shumë i merr në mbikëqyrje nëntoka. I mbarë sistemi, dashur ose jo, pa shndërrohet në sistem mafioz.

Kosova ende nuk duket që është në gjendje të përballët më këto akte të dhunës së shfrenuar. Policia, për të qenë efikase, duhet të jetë në çdo lagje dhe në çdo vend ku ekziston nevoja. Kështu, Policia ose polici do të njoftohet për së afërmi me secilin person të predisponuar që të bëjë krime. Dhe, kështu do të ndërtohet logjika e funksionimit të shtetit ku secili do të bënte jetë më të qetë.

Dihet se vendi i parë prej nga fillon edukimi i secilit është familja, shkolla, mbajtja e rendit policor dhe efikasiteti i organeve të drejtësisë. Kur jemi këtu, duhet theksuar së vrasjet në shkolla, siç ndodhi në Prishtinë para disa ditësh, flet se pikërisht tempujt e dijes janë bërë ambient i përshtatshëm për shfaqjen e dhunës, e cila kurrë nuk ishte dashur të ndodhë. Aq më keq ku profesorët nga rebelet nuk kanë mundësi ta përfundojnë si duhet orën mësimore.

A ka gjë më keq kur dëgjon së pikërisht duke u mbajtur ora mësimore nxënësit rrihen. Lypset reformuar i sistemi arsimor dhe në përgjithësi i tërë sistemi në Kosovë. Posaçërisht duhet thelluar reformat ekonomike si element për zvogëlimin e çfarëdo llojesh të vrasjeve. Hapja e vendeve te reja të punës bën shumë që të rinjtë të largohen nga rruga.

Për të dalë nga ky rrethi i errët, nevojitet një angazhim i gjithmbarshëm i shoqërisë që gjerat të marrin të mbarën. Defilimi i atyre që po marrin jetë njerëzish nëpër rrugë dhe kafene, apo diku tjetër, është rezultat edhe i mungesës moralit, indiferencës së theksuar dhe shumë komponenteve të tjera.

Sigurisht se nuk jemi duke e zgjedhur modelin e preferuar i cili do të eliminonte dhunën. Prej fjalimeve të mëdha e pa mbulesë, dhe prej premtimeve të deritashme boshe nga ata që ngjiten në pushtet, nuk mund të presësh të krijohen kushte për jetë të qetë, që dallon nga shkaqet që po sjellin vdekjen e të rinjve – siç ndodhi me pesë vrasjet e fundit në Kosovë…

 

 

 

Exit mobile version