Posaçërisht duhet të keni kujdes për ndryshimet prekanceroze të cilat kërkojnë kujdes dhe kontrolle të rregullta
Prof. Ass. dr. Violeta Zatriqi
kirurge plastike–estetike
tel. 044 136 976
Lythat janë ndryshime në lëkurë të përbëra nga grumbullimi i qelizave të nevusit, citoplazma e të cilave përafërsisht e mbushur me pigment, ndërsa sipërfaqja e mbuluar me epidermis.
Zakonisht kanë formë të rrumbullakët, me diametër më të vogël sa një centimetër, mund të jenë të dala jashtë apo në nivel të lëkurës. Përbrenda lëkurës më së shpeshti shtrihen në sipërfaqen e dermës apo shtresën e mesme (dermisi) dhe gati kurrë në nënlëkurë.
Shumica e njerëzve ka 10 deri 40 nevuse të cilat mund të jenë të ngjyrave të ndryshme – prej ngjyrës së lëkurës deri në të purpurt, apo ngjyrë kafe e çelur deri te ato të zeza krejtësisht.
Ekzistojnë edhe forma të rralla të cilat rreth vetes kanë një rreth me ngjyrë të bardhë pa pigmente (halo nevuset), apo janë me ngjyrë të kaltër të mbylltë me konsistencë të dendur (blue nevuset). Lajmërohen në rininë e hershme e më së shumti gjatë moshës së rinisë së shtyrë. Në moshën e shtyrë ngadalë zvogëlohet numri i nevuseve, por atëherë lajmërohen nevuset tjera, më së shpeshti hiperkeratoza.
Ekzistojnë predispozita familjare sa i përket nevuseve, ashtu që shpesh prindërit dhe fëmijët kanë tipe të njëjta të nevuseve, e nganjëherë edhe në vende të njëjta.
Nevuset e ngjashme me ndryshime tjera lëkurore
Nevusi i dalur
Formacionet e ndryshme lëkurore të ngjashme me nevuset mund dallohen nga nevuset e vërteta vetëm me analizë histologjie. Këto para së gjithash janë keratoza seborike të cilat i ngjajnë nevuseve të thjeshta, e të cilat shpesh për shkak të ngjyrës së zezë dyshohen se janë melanoma. Këtu bëjnë pjesë edhe dermatofibromat, hemangiomat, papilomat, pigmenet solare etj.
Bengat
Është shumë me rëndësi që të dallojmë nevuset beninje nga tumoret malinje të lëkurës, e sidomos të melanomas malinje, tumorit malinj të lëkurës që ka një prognozë shumë të keqe. Për të ditur se një nevus a është malinj, apo jo, ekzistojnë disa kritere në bazë të cilës mund të dyshohet, ndërsa ato janë: analiza e skajeve të nevusit, madhësia, ngjyra (nëse rriten, ndryshojnë ngjyrën, skuqen, shpesh gjakosen, psh. te meshkujt gjatë rrojës).
Biondet kanë predispozita më shumë për melanoma. Tek meshkujt paraqiten më shpesh në trup, kokë, qafë, ndërsa tek femrat më së shpeshti lokalizohet në regjionin e nëngjurit. Mund të paraqiten në të gjitha moshat, por duhet të theksohet se në paraqitjen e këtij tumori, rol luan edhe faktori trashëgues. Ekzistojnë edhe tumore tjera lëkurore, si bazaliomat, tumori i Bowenit, karcinomat planocelulare.
Duhet bërë një kujdes i veçantë tek ndryshimet prekancerogjene të lëkurës, sidomos tek nevuset displatike të cilat ende nuk bëjnë pjesë në formacione malinje të lëkurës, por të cilat kërkojnë një kontroll të rregullt tek mjeku. Diagnoza vendoset ashtu që kirurgu plastik bënë largimin-exscidimin e nevusit dhe këtë preparat e dërgon për analizë histopatologjike dhe patologu e vë diagnozën përfundimtare.
Indikacionet për operim të nevuseve
Sipas të dhënave më të reja, nevuset duhen të largohen sa më herë nga kirurgu plastik, edhe përkundër botëkuptimeve të shumta se ato nuk duhet të ngacmohen.
Indikacionet për operimin e nevuseve ndahen në ato estetike dhe funksionale.
Indikacionet funksionale. Këtu bëjnë pjesë të gjitha nevuset të cilat fillojnë të ndërrojnë formën, ngjyrën dhe rriten, gjakosin apo ato nevuse të cilat ndodhen në regjionet ku mund të irritohen padashje (nevuset e lokalizuara në fytyrë tek meshkujt që rruhen çdo ditë, apo tek femrat në regjionet e ndjeshme, etje). Gjithashtu, nevuset e dyshimta në aspektin makroskopik për tumore të lëkurës, duhen të operohen sa më shpejt nga ana e kirurgut plastik.
Indikacionet estetike. Fjala është për të gjitha nevuset e lokalizuara në regjionin e fytyrës dhe qafës, që meqë shihen, shpesh operohen për qëllime estetike. Në duar, bark, shpinë dhe ekstremitete, më shpesh lajmërohen nevuset e gungëta të cilat të imponojnë largimin e tyre. /Telegrafi/