Emisioni “Radar”, i cili shoqëron dëgjuesit e RTV Dukagjinit çdo ditë prej orës 9:00 deri në orën 11:00, është bërë i njohur tashmë për realizimin e shumë kampanjave dhe fushatave sensibilizuese përmes dëgjuesve.
Përveçse të gjithë shoferët janë të informuar për çdo radar që u del në rrugë, në këtë emision dëgjuesit shpesh herë shpërblehen me dhurata, dhe në disa raste nga “Radari” kanë dalë edhe donatorë të cilët ndihmojnë njerëzit në nevojë.
Prezantuesja shumë e dashur nga dëgjuesit Edita Doli, e njohur tashmë për çiltërsinë në transmetim, ka realizuar së fundmi sërish një nga “prapësitë” e saj, bashkë me kolegun Ermal Panduri.
Ky i fundit thërret një numër të panjohur, në të cilin përgjigjet një qytetar nga Ferizaji me emrin Elez Sallahu.
Ermali “gënjen” telefonuesin duke u shtirur si një person me emrin Agron Bajqinovci dhe që po kërkon punë si kamarier në “Hotel Dukagjini”, mirëpo kinse gabimisht në CV-në e tij ka dërguar numrin e Elezit, si person për të cilin ka punuar më parë për të.
Ai i lutet shumë qytetarit nga Ferizaji që kur ta telefonojnë ata të hotelit, ai tu thotë se “Agroni” ka qenë punëtor i zellshëm i tij dhe të mos jepte vërejtje për të, ngase e gjithë kjo bëhej për një vend pune prej së cilit varej jeta e tij.
Dhe Z. Sallahu u tregua zemërgjerë përderisa vendosi të përgjigjej pozitivisht në telefonatën e Editës, e cila e merrte në pyetje vazhdimisht për “ish-punëtorin” e tij.
Të lumturuar nga përgjigjet pozitive, Edita dhe Ermali në fund i treguan Elezit se gjithçka ishte një lojë, dhe se kjo është bërë vetëm në saj të misionit të ri të emisioni “Radar”, i cili përmes lojërave të tilla është vënë në kërkim të personave të mirë.
Se si ka rrjedhur e gjithë ngjarja, mund të ndiqni videon e plotë të kësaj situate, të publikuar nga faqja e “Radarit” në Facebook. /Telegrafi/