Telegrafi

“Kuq e Zi” si tifozeri globale

Kaq ishte? Mori fund edhe ky kampionat. Futbolli, birra dhe bixhozi, përfliten si mënyrë për të trullosur masat. Shto kësaj edhe vapën dhe i ke thënë të gjitha. Nuk është se ne dallohemi për birrat apo bixhozin, edhe pse politika jonë është bixhoz hesapi, por kur jemi te futbolli, duhet pranuar se .. ia themi. Edhe kur jemi te kombëtarja, gjithashtu pranohet se kemi lojtarë të shkëlqyer, sidomos lojtarin e 12-të. Tifozët.

Lojtarët tanë në fushë edhe ia huqin, japin gola andej e këndej, nganjëherë edhe andej edhe këndej, por lojtari i 12-të nuk del huq. Dhjetëra milionë euro llogaritet të kenë shpenzuar tifozët Kuq e Zi në këtë kampionat. Të gjithë janë të kënaqur. Rezultati nuk ka rëndësi. Emocionet, spektakli ka rëndësi. “Shqipëria e Madhe” e cila po tkurret me popullsi, por po rritet me komunitetin e tifozëve nga i tërë globi, pushton dhe ushton nëpër stadiume të Evropës, deh me qindra e mijëra shqiptarë anembanë planetit, deh figurat publike dhe ato që duan të bëhen publike duke i frymëzuar për statuse të zjarrta në median sociale.

Dehet sidomos politika, e cila merr meritat për organizimin e shkëlqyer të diasporës, për talentët e shumtë që kemi në diasporë, duke anashkaluar “meritat” e politikës për shkapërderdhjen e shqiptarëve nëpër planet. Autobusët me tifozë nuk u nisën nga Prishtina dhe Tirana; ata ishin atje, në Evropë, pastaj u mblodhën në “Gjermaninë e Madhe”. “Atdhedashurinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj, këtu në diasporë”, mbase do të thoshte cilido lider modest shqiptar, si Edi, Albini, Abazoviqi, apo cilido lider shqiptar që ia “VLEN” nga Maqedonia e Veriut.

Të kuptohemi, kur jemi te dehja kolektive, nga birra shpëton disi, sikurse edhe nga bixhozi, por nga futbolli është e pamundur të ikësh. Është e barabartë me tradhti kombëtare. Edhe ky shkrim mund të shpallet heretik, pasi nuk pajtohet me gjithçka që promovohet si kuq e zi, pasi nganjëherë mund të jetë veç kuq ose veç zi.

Pastaj, futbolli futë konfuzion edhe në (gjeo)politikë. Edi për shembull mund ta ketë mik presidentin serb apo turk, por është aq i mençur sa nuk bënë tifo për kombëtaren e Serbisë, as atë të Turqisë, madje as për atë të Italisë. Kjo vështirë të thuhet për shqiptarin tjetër, Abazoviq, ish-kryeministrin e Malit të Zi i cili, nga ana tjetër, nuk e ka problem që në mes të kombëtares angleze dhe asaj serbe do të bëjë tifo për atë serbe. Kjo ndodhte në kohën kur në Ferizaj të Kosovës promovohej një përmendore për ish-kryeministrin Britanik, Toni Bler.

Kurti, dihet! Ai bënë gjithnjë tifo për Shqipërinë, pavarësisht a luan kundër Turqisë, Malit të Zi, ShBA-së, Gjermanisë … apo kujtdo tjetër, mbase edhe kundër Kosovës. Pra, nuk është çështje përkatësie, kombëtarja është ideologji.

Futbolli nuk është politikë, por pas tij fshihen edhe politika edhe bizneset … shumëçka. Për shumëkënd kombëtarja ka mbetur streha e fundit.

Në Kosovë, në mediat sociale flitet se si kosovarët bëjnë tifo për Shqipërinë, ndërkohë që shqiptarët e Shqipërisë bëjnë tifo për Italinë, me një fjalë ka të bëjë me konceptin e sportit dhe kombit. “O sa mirë me qenë shqiptar” o hej, padyshim se do ta këndojnë një ditë edhe pinguinët, arushat e bardha, devetë, kangurët, e si të mos e këndojnë kur gulçon gjoksi nga emocionet, nga fuqia e tifozërisë tonë ndërkombëtare, “Kuq e Zi”.

Nejse, slogani “O sa mirë me qenë shqiptar” tingëllon më mirë … në Evropë. Më pak mirë tingëllon në Shqipëri, e edhe më pak në Kosovë e Maqedoni të Veriut. Nuk e mohojmë, derisa shpresonim na pat deh edhe ne që kemi mbetur “në shtëpi”. Por, ky duket se është koncept i vjetërsuar i shtëpisë, sepse për “shqipen” shtëpia është kudo ku ka shqiptarë. Edhe Zvicra, edhe Gjermania, kudo.

Pastaj, të gjithë lakmuam të jemi në Hamburg. Vetëm atje ndihet aq fuqishëm dashuria për kombin. Cilin? Për të gjitha kombëtaret shqiptare!

Për të krijuar idenë se çka është çka, ideologji apo argëtim, duhet krahasuar me diçka që prek më pak emocionet tona, edhe pse mund edhe të mos jetë ashtu. Pra, është rivaliteti Barcelona-Real Madrid, sportiv apo politik apo ndërnacional? Golat e kampionit të ri të Evropës i dhanë baskët! Kjo i bie sikur për Serbinë të luante ndonjë shqiptar nga Presheva apo pjesët e tjera që ende janë të Serbisë. Por, ky është futbolli. Mund të prodhojë vetëm sporti kaq energji?

Ta përmbyllim: fituam apo humbëm ? Me gjasë edhe njëra edhe tjetra. Ishim, pamë … dhe kënduam për “Shqipërinë e Madhe” me përmasa planeti. Kudo që të luajmë, kemi publikun tonë aty. Nuk jemi më askund mysafirë. Shqipëria është bërë tashmë globale. Kjo nuk është vetëm Shqipëria e madhe. Është shumë më e madhe. Federata Shqiptare e Futbollit mori edhe faturën për të paguar “dëmet” e tifozëve të cilët e kuptojnë vetëm futbollin dhe nuk i kanë kapur ende përmasat e lojës. “O sa mirë me qenë shqiptar”, kudo që të jesh.

Sido që të jetë, duhet pranuar se shqiptarët luajnë nën shumë flamuj dhe ngjyra, edhe tifozeria “Kuq e Zi” tashmë vështirë se mund të quhet vetëm kombëtare, është bërë (ndër)kombëtare! Globale, thuaj! Ndoshta kështu ndodhë kur diaspora është më e madhe se Atdheu. A ka shumës “Atdheu”?