Site icon Telegrafi

Kupa Davis me një ndryshim rrënjësor pas 118 viteve traditë

Davis Cup, 4 shkurt 2018 (Foto: Getty Images)

Kupa Davis do t’i nënshtrohet një ndryshimi rrënjësor në të ardhmen.

Ajo që e konfirmoi këtë është vetë Federata Ndërkombëtare e Tenisit, sipas së cilës, ndryshimet në formatin e kësaj gare që do të hyjnë në fuqi duke nisur nga viti 2019.

Ideja është krijimi i një lloj Botërori për kombëtaret e tenisit, që do të zëvendësojë evenimentin e përvitshëm të Kupës Davis. Kjo ngjarje e re tenistike do të zhvillohet në një qytet të vetëm dhe në të do të marrin pjesë 18 skuadra.

Ky projekt do të diskutohet në Mbledhjen e ITF-së që do të zhvillohet në muajin gusht, në Orlando. Që të miratohet, formati i ri duhet të marrë 2/3 e votave në këtë mbledhje.

Për projektin e ri të Kupës Davis foli Presidenti i ITF-së, David Haggerty, i cili konfirmoi se është arritur një akord bashkëpunimi prej 25 vitesh me kompaninë e investimeve Kosmos, pjesë e së cilës është edhe mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique. Kjo kompani, gjatë këtyre viteve do të investojë tre miliardë dollarë.

“Ajo që kërkojmë është të krijojmë një fund sezoni triumfues me tenistët më të mirë të botës që përfaqësojnë vendet e tyre”.

“Do të jetë një ndryshim i plotë për këtë sport. Formati i ri i Kupës Davis parashikon një fazë grupesh dhe më pas ndeshje me eliminim direkt. Nuk do të ketë më pesë ndeshje mes skuadrave, siç ndodh në formatin aktual, por vetëm tre. Dy në lojën individuale dhe një në lojën dyshe dhe ndeshjet do të jenë gjithnjë me pesë sete. 16 skuadra do të hyjnë automatikisht në fazën finale, ndërsa dy të tjerat do të marrin ftesë nga ITF”, ka thënë Haggerty. /TopChannel/

Exit mobile version