Site icon Telegrafi

Kuorumi problem i vazhdueshëm i Kuvendit, opozita dhe pozita akuzojnë njëra-tjetrën

Pjesëmarrja e ulët e deputetëve në seancat plenare të Kuvendit të Kosovës, po bëhet arsye për akuza ndërmjet shumicës dhe opozitës.

Shefat e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë cilësuar si të turpshme ardhjen e deputetëve në sallën e legjislativit të vendit vetëm për tu nënshkruar dhe marrë mëditjen.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi e ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila sipas tij, nga 27 deputetë të saj, vetëm 7 prej tyre janë pjesëmarrës në seancë.

“Vinë me qitë kushte edhe vinë nënshkruhen për mëditje. Derisa gjysmën e grupit parlamentar e kanë në bregdet”, ka shtuar Krasniqi.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmeti Isufi ka thënë se sot është e premte dhe duket që të zgjedhurit e popullit sipas tij, kanë nevojë me shku në vikend më herët.

“Unë mendoj se kjo është vërtetë e turpshme dhe nuk i bën nder këtij Kuvendi. Të gjithë deputetët jemi të barabartë këtu. Kuorum kishte dhe duket se deputetët qëllimisht u larguan për ta bllokuar Kuvendin”, ka shtuar Krasniqi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje(VV), Glauk Konjufca ka thënë se nuk ka nevojë për ligjërime paternaliste nga ana e pozitës.

“Partitë konkurrojnë me plane të caktuara, dhe bojkoti i Kuvendit strategji. Ky Kuvend në drejtim të gabuar dhe partitë opozitare mund të angazhohen për t’ia pamundësuar funksionimin”, ka shtuar Konjufca.

Sipas tij, njeriu që më së shumti mban ligjërata për atë se deputetët nuk duhet të mungojnë nëpër seanca është kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Në anën tjetër ai e jep shembullin më të keq, sepse vetëm në 44 për qind të rasteve merr pjesë në seancat e Kuvendit”, ka shtuar Konjufca.

Ndryshe, sot është duke vazhduar seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën problem po paraqet mungesa e deputetëve. /Telegrafi/

Exit mobile version