Debate dhe polemika të ashpra rreth pastrimit të listës zgjedhore janë zhvilluar në mbledhjen e djeshme me kryetarët e degëve dhe shefat e shtabeve zgjedhore të BDI, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Këtë e ka konfirmuar për Alsat-M, anëtari i kryesisë qendrore të BDI Rafis Aliti, i cili ka thënë se brenda partisë ka shumë zëra që kundërshtojnë zhvendosjen e votuesve të diasporës në një listë të veçantë dhe shlyerjen e 40 mijë votuesve siç kërkon LSDM.
“Nëse me çdo kusht imponohet që KShZ ti fshijë 40 mijë votuesit apo formohen lista veç e veç për mërgimtarët dhe banorët rezidentë në Maqedoni, anëtarët e BDI-së qoftë në bisedime, qoftë në KShZ të largohen qoftë nga bisedimet e qoftë nga KShZ. E themi këtë pasi çështja e pastrimit të listës zgjedhore nuk duhet të bëhet në KShZ, por duhet të bëhet në ministrinë e Brendshme, pasi ky institucion është përgjegjës për regjistrimin e banorëve të Maqedonisë ku merret numri amë; MPB është ajo që jep shtetësi, pasaportat, letërnjoftimet dhe gjithë dokumentacionin tjetër, duke përfshirë edhe adresën e banimit që posedon një qytetar i Maqedonisë”, ka deklaruar Rafiz Aliti, deputet i BDI.
Anëtari i Komisioni Shtetëror Zgjedhor, Subhi Jakupi, nga ana tjetër ka përgënjeshtruar zërat e fundit se do të fshihen nga lista zgjedhore 40 mijë votues të cilët llogariten si mërgimtarë. Duke rikujtuar se KShZ është kompetente për Listën Zgjedhore.
Jakupi është shprehur kategorik se asnjë mërgimtar shqiptar nuk do të fshihet nga lista zgjedhore por nga ana tjetër ka theksuar se janë në pritje të asaj se çfarë do të merren vesh partitë politike shqiptare me ato maqedonase.
“Jo, nuk ka mundësi që të fshihen nga lista zgjedhore këta 40 mijë votues mërgimtarë. Lista zgjedhore është përpiluar një herë dhe tani për tani do të ngelet kështu siç është, sepse ne njëherë më ndihmë të MPB-së kemi kryer kontrolle me qëllim të përpilimit të kësaj liste zgjedhore. Ngelet nëse do të ketë ndonjë marrëveshje eventuale mes partive shqiptare me ato maqedonas rreth kësaj çështje” – ka deklaruar për Zhurnal, Jakupi./Telegrafi/