Shenjat kanë mbetur, ani pse vjeshtën e vitit të kaluar ishin ndërprerë punimet për futjen e gypave të ujësjellësit, në rrugën “Qemal Stafa”.
Qëllimi i futjes së gypave 800 milimetërsh, ishte të bëhej lidhja e Fabrikës së Ujit në Shkabaj me rezervuarin në lagjen Arbëria, raporton “038” i KTV-së.
Por, pas insistimit të banorëve dhe intervenimit të komunës, më nuk pati punime në këtë rrugë.
Banorët e kësaj lagjeje, thonë se trajektorja e ndjekur nga ujësjellësi është e çuditshme dhe se ka alternativa më të mira, pa pasur nevojë të prishet rruga.
Ndërkohë, në komunë thonë se ujësjellësi e ka tejkaluar planin dhe se nuk do të lejohet vazhdimi i punimeve nëse kjo kompani nuk i përmbahet projektit.
Por, zyrtarë të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, thonë se punimet do të vazhdojnë sipas planit.
Ndërkohë, banorët kanë paralajmëruar protesta paqësore para zyrave të ujësjellësit, në rast se punimet vazhdojnë nëpërmes rrugës.