Banorët e lagjes Taftalixhe 1 të qytetit të Shkupit, edhe sot arritën që të ndalojnë fillimin e ndërtimit të një shumëkatësheje në parkun që gjendet te rruga ”Bukureshka”, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Që në ora 8 e mëngjesit, një ekip i mekanizuar ka arritur në këtë lagje për të filluar ndërtimet, por banorët u janë kundërvënë. Ata ankohen se fëmijët nuk kanë ku të luajnë, pra ndërtimi i ri shkel aspektin human të jetës. Banorët zotohen se do të jenë të denjë në arsyet e kundërshtimit të ndërtimit të shumëkatëshes.
Përveç punëtorëve dhe banorëve, te parku kanë dalë edhe ekipet policore, të cilët nuk janë shfaqur me ndonjë urdhër apo kërkesë, por janë ndalur që të pengojnë ndonjë konflikt të mundshëm, pasi që kanë vërejtur turmë njerëzish.
Banorët kanë filluar të mbledhin një peticion, të cilin do ta dorëzojnë në Komunë, me të cilin do të kërkojnë ndërprerjen e këtij ndërtimi./Telegrafi/