Telegrafi

Kundërshtohet kërkesa e AKP-së për Trepçën

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Muhamet Mustafa, shqyrtoi shkresën e AKP-së, lidhur me “Trepçën”. Për gjendjen në këtë ndërmarrjeje dhe kërkesën e AKP-së, njoftoi drejtori, Ahmet Tmava.

Ai fillimisht tha se ndërmarrja “Trepça”, ndonëse në kushte jo të favorshme për punë, vitin e ka përmbyllë me sukses, si në prodhim ashtu edhe në menaxhimin e resurseve të saja. Duke shprehur shqetësimin e tij si, dhe të punëtorëve (2000 sosh), të kësaj ndërmarrjeje, ai më tej shtoi se në Ligjin për riorganizimin e ndërmarrjes ”Trepça”, është paraparë që riorganizimi i ndërmarrjes të bëhet deri më dy prill. Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ka funksionuar ndërmarrja, tha në vijim Tmava, ne jemi ankuar në AKP që ky afat të zgjatet.

AKP-ja, sqaroi ai, jo që nuk e ka zgjatur këtë afat, por e ka shkurtuar, nga dy prill në dy shkurt. Duke i bërë thirrje komisionit që të ndikojë në revidimin e vendimit të AKP-së, sipas të cilit pas datës dy shkurt, “Trepça” shkon në likuidim, Tmava në fund u shpreh:” Ndërmarrja shoqërore “Trepça”, është me interes nacional dhe duhet ruajtur me çdo kusht”.

Anëtarët e komisionit, ndërkaq, duke shprehur mospajtim dhe indinjatë të thellë me vendimin e AKP-së, u zotuan se do të angazhohen pareshtur për mbrojtjen e ndërmarrjes “Trepça” nga likuidimi. Lidhur me këtë, komisioni vendosi që fillimisht, mospajtimin e tij ta shfaqë me një shkresë zyrtare dërguar AKP-së, ministrisë përkatëse dhe kryetarit të Qeverisë, Isa Mustafa.

Në këtë mbledhje komisioni ka shqyrtuar edhe Projekt Planin e Punës së për vitin 2015. Sipas Planit të Punës për këtë vit, komisioni ka paraparë që ndër çështjet më me prioritet të trajtohet: krijimi i kushteve për investitorë të brendshëm dhe të jashtëm, stimulimi i prodhimeve vendore, krijimi i infrastrukturës ligjore dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve.

Me theks të veçantë, ndërkaq, do të mbikëqyret performanca e bordeve në ndërmarrjet publike si dhe agjencionet e pavarura.

Plani i Punës së Komisionit për vitin 2015, pritet të miratohet në mbledhjen e radhës, pasi që në të, të inkorporohen propozimet e dala nga mbledhja e sotme. /Telegrafi/